Home KRYESORE Shtrojeni në konak si Iliri Atëdhedashurinë

Shtrojeni në konak si Iliri Atëdhedashurinë

Nga Azem Parllaku

Është e padiskutueshme që, Ilir Shaqiri, ky këngëtar emblematik i Ballkanit, të mbetet ai personaliteti, e zëri që më së miri, përmes këngës ka artikuluar, Çështjen Kombëtare Shqiptare.

Ilir Shaqiri është, një prej këngëtarëve më prodhimtarë, që me tekstin, zërin, e muzikën e këngës së tij, i ka bashkuar në një odë, të gjithë shqiptarët, ata të Shqipërisë, të Kosovës, të Çamërisë, të Malit të Zi, të Preshevës, Arbëreshët e Italisë, e kudo gjinden shqiptarë në Diasporë. Iliri i ka shtruar në konak, çdo ngjarje të rëndësishme, nëpër të cilat ka kaluar Kombi ynë.

Duke e përcjellë në këngë, jehonën e këtyre ngjarjeve, ai është dëshmuar unik në talentin e tij, i përgjegjshëm, e i apasionuar, për të na promovuar ne dhe brezave, vlerën e lartë artistike të epikës, e udhëtimit tonë historik si Komb.

Kënga historike, kënga për heroin, është kënga kryesore, që Iliri e këndon, duke e shoqëruar me çdo lloj instrumenti, të traditës tonë popullore. Iliri është këngëtari shqiptar, që dëgjohet më shumë nga të gjithë, atë e dëgjojmë në Tiranë, në Shkodër, në Vlorë, në Selanik, në Shkup, Ulqin, Prizren, Prishtinë, Luginën e Preshevës, Londër, Paris, Romë, Stamboll, Athinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanadanë e largët, e ishullin Australian.

Ndërsa, kam qëndruar shpesh me Ilirin, më ka befasuar njohja e tij në lëmin historik. Ilirin përherë e kam dëgjuar të kuvendojë plot pasion, njëlloj sikur të dëgjosh të flasë, një ciceron, që përherë e ka çuar ditën në “kështjellën”, ku ngjarjet dhe protagonistët, janë mbërthyer pazgjidhshmërisht. Në përmbajtjen e këtyre bisedave, kam vënë re se Iliri, është kërkues, i cili priret të zbulojë proçeset e zhvillimit të Kombit.

Nuk është habi, kur e kam dëgjuar të këndojë këngë të krahinave të ndryshme, ndërsa nuk kam dëgjuar, që dikush të këndoj si Iliri. E kam dëgjuar të recitojë krijime krahinore të të gjitha trevave, ç’ka më ka lënë të kuptojë se; …historia e Kombit u ngjizka nga historia e gjymtyrëve të tij… Kështu Ilirin e kam dëgjuar t’i njohë të gjithë heronjtë, madje për secilin prej tyre, t’i dijte dhe këngën. Nëpërmjet këngës Iliri rrëfen, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme ngjarje, mbresa, përshtypje e gjykime, që nga mëngjesi i largët historik, të cilin na e kanë bërë me dije Herodoti dhe librat e shenjtë.

Këngëtarja e madhe Vaçe Zela, ka thënë për Ilir Shaqirin; “…me zërin e tij Kosovën e ndjejë më afër…” Autori i mbi 600 këngëve, ku më shumë se 100 prej tyre këndohen për Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk diskutohet, që përveç atij, kush mund të na e sillte Kosovën më afër. Nëpërmjet këngës së Ilirit, të cilën brezi ynë kishim mundësi t’a dëgjonim në valët e radios, gjithëherë e më shumë, konturuam atë vizionin tonë për Kosovën, e çfarë ndodhte aty me shqiptarët.

Kënga epike e Ilir Shaqirit, në ndërtimin e saj udhëhiqet prej ligjeve të përgjithshme të epikës tonë historike. Atë e karakterizon, trajtimi i fakteve më tipike të së shkuarës dhe të realitetit në Kosovë. Ilir Shaqiri ishte, e është këngëtari i aksionit. Ngjarjet, heronjtë, motivet, kontrastet, e qëllimet, në këngën e tij, përherë kanë mbetur e mbesin në aksion. Si zëri në aksion, ai është dokumentuar qartësisht, si zëri më legal i këngës etnike. Arkitektuara e këngës së Ilirit, ka gjallëri dhe reliev të fortë.

Në këngën e tij është kristalizuar mënyra e veçantë e hyrjes në të, aty fiksohet mjedisi historik në të cilin zhvillohen ngjarjet, e me të njejtin kujdes gdhenden hollësitë e fakteve, profili moral dhe luftarak i heronjve. Mbi këtë bazë janë ndërtuar dhe karakteristikat e brendshme të formës artistike si; figuracioni poetik, struktura e vargut, refrenet, rimat, etj. Drenicaku i lindur në Burojë, i shkruan vetë këngët.

Është Drenica e tij, ajo tokë që e mban lidhur dhe i ka dhënë fuqinë. Ilirin e kam parë shpesh të preket, mbi varret e memorialet e Dëshmorëve të Kosovës. Mardhënien e tij me Dëshmorët, me dhimbjen në rrudhat e baballarëve e kraharorin e nënave të Dëshmorëve, e kam lexuar, si një nga kultet më të shenjta të shqiptarëve. Sigurisht, që një këngëtar si ai, e ka të ushqyer dashurinë për vendin, për gjuhën, traditën, zakonin e çdo gjë të përbashkët shpirtërore të Kombit. Me atë shpirt prej poeti, e zëri në aksion, ai më mirë nga kushdo e di që luftëtarët vijnë. Ata vijnë, ashtu të gjallë në këngën e tij, ata shkojnë në luftë sikur ajo të ishte dasëm, ata të gjithë mbahen lidhur dhe në unitet, e sërish vijnë e ne i presim. Në një intervistë, që i kam bërë Ilirit në vitin 1999, intervistë të cilën e zbardha në gazetën “Shekulli”, në Maj të atij viti, i lashë Ilirit, të zgjidhte titull për këtë bisedë, e ashtu siç tha ai, u vendua në gazetë; “Luftëtarëve të lirisë u ka hije kënga”.

Përpos, profilit të tij si intelektual, Ilir Shaqiri ishte bërë një ujvarë e pashtershme frymëzimi, për të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tek Iliri, kam vënë re se; patriotizmi është në fazën e tij më të lartë, e origjina e tij tregon se kjo ndjenjë nuk është spontane. Ashtu të arsyetuar, kam pikatur idealin çlirimtar e vizionin e qytetarit të lirë, sa herë e kam dëgjuar të këndojë, apo kur kam pirë çaj me Drenicakun Shaqiri.

E ku më shumë se në Drenicën e Ilirit, e gjejmë të dalluar atë pasuri të traditës së epikës historike legjendare. Rapsodët e kësaj ane e mbajtën të gjallë këtë traditë, duke e pasuruar dhe trashëguar brez pas brezi. Shtrati historik i këngës në konakun e burrave, kish folur për legjenda dhe heronj si protagonistë në të tilla, për trima, burra, kapedanë e kaçakë, për njerëz të urtë e liridashës. Rapsodët e Drenicës këto këngë i këndonin bashkë me të vegjlit në mjedisin aty në kullat e tyre, në mbrëmje e sebepe me miqtë, përpara e pas kuvendeve të burrave, në festat popullore, e në dasma. Drenicakët këto këngë i shoqëruan me lahutë, me sharki e çifteli. Të gjithë këngët mësoheshin, jo vetëm nga të rinjtë, por dhe nga më të vegjlit, dhe gratë, për të ardhur deri në ditët tona, ashtu të pasura në repertor plot lirikë dhe baladë. Është mardhënia me këtë truall, Drenicën e tij, që i ka dhënë e i jep Ilir Shaqirit profilin e zërit përherë në aksion.

Share: