Gazeta kryesore ruse sqaron në faqen e saj të parë shkakun e rrëzimit të një avionit ushtarak në Detin Mesdhe ditën e hënë.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se avionic MiG-29K i nisur nga aeroplanmbajtësja “Admirali Kuznecov” u rrëzua në Mesdhe gjatë një fluturimi trajnimi pak kilometra larg para aeroplanmbajtëses. Aksidenti ndodhi për shkak të një defekti teknik. Piloti ka shpëtuar pa dëmtime. “Aeroplanmbajtësja ruse vazhdon operacionin e saj në Mesdhe në përputhje me objektivat “, lajmëron Ministria e Mbrojtjes. Në fund të tetorit, aeroplanmbajtësja “Admirali Kuznecov” u ngarkua me misionin e mbështetjes së sulmeve ruse në Siri.
Një tjetër artikull i kushtohet politikës amerikane. Dy figura të rëndësishme të politikës amerikane – ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Rudolf Xhuliani dhe ish-ambasadori amerikan në OKB, Xhon Bolton, janë kandidatë kryesorë për postin e Sekretarit amerikan të Shtetit, citon kjo gazetë burime nga shtypi amerikan.
Nga ekonomia, gazeta ndalet te lëvizja e kursit te dollarit kundrejt rublës dhe shkaqeve të kësaj lëvizjeje. Vlerësimi i theksuar i dollarit shkakton një dobësim të monedhave të vendeve në zhvillim, por nga ana tjetër, dobësimi i euros lejon që rubla të jetë e qëndrueshme kundrejt dollarit. Forcimi i dollarit këto ditë vjen si pasojë e pritjeve se Rezerva Federale në SHBA do te ndjekë politika monetare të shtrënguara.
Gazeta paralajmëron edhe një stuhi arktike për datat 15-16 nëntor. Kjo do të bëjë që në Moskë temperature të jetë 6-11 gradë nën zero, kurse në Siberi termometri do të shënojë minus 45 gradë!
“PEOPLE’S DAILY”
Kryetitujt e gazetës më të madhe kineze janë:
– Kina dhe Peruja nënshkruajnë marrëveshje tregtare prej 2 miliard dollarësh.
Marrëveshja u nënshkrua në Lima, në kuadër të takimit të vendeve pjesëmarrëse të APEK-ut.
– Aeroplanmbajtësja Liaoning gati për luftime në çdo kohë.
Aeroplanmbajtësja sapo doli nga kantieri për një mision stërvitor dhe ushtarakët e lartë lajmërojnë se ajo është e pajisur me gjithë teknologjinë e nevojshme për të qenë e gatshme në çdo kohë për operacione luftarake.
– Kina paraqet planin emergjent për rreziqet e borxhit të brendshëm.
Plani përmban katër shkallë dhe synon ribalancimin fiskal.
– Trampi e humb betejën tregtare me Kinën.
Donald trampi mund të ketë fituar presidencën amerikane por gjatë pesë viteve të shkuara ka humbur dy herë në përballje ligjore me Kinën lidhur me mosmarrëveshje tregtare.