Home KRYESORE Si të merrni një vizë pune për Kanada, profesionet që kanë prioritet

Si të merrni një vizë pune për Kanada, profesionet që kanë prioritet

Kanadaja ka njoftuar se do të presë 300 mijë emigrant në vitin 2017. Mirëpo, për të fituar të drejtën e punësimit dhe qëndrimit në Kanada ka një sërë kriteresh. Profesionet më të kërkuara janë: kuzhinierë, menaxherë restorantesh, infermierë, arkitektë, mjekë, dentistë, biologë, mjekë familjeje, farmacist, psikolog, asistentë socialë, elektricistë, hidraulikë dhe ndërtues.

Sipas një njoftimi të zyrës kanadeze të Emigracionit, thuhet se baza e pranimeve do të jetë fillimisht për 300 mijë, si banorë të përhershëm dhe shumica e tyre që do të përzgjidhen do të jenë emigrantë ekonomikë.

Kanadaja ka pranuar 259 mijë shtetas të huaj, ndaj për ministrin e Emigracionit John McCallum duke e bërë objektivin e përvitshëm 300 mijë është një themel i fortë. Ashtu si shumë vende të zhvilluara, Kanadaja ka një popullsi prej 35 milionë banorësh, por shumica në plakje, çka përbën një sfidë për rritjen ekonomike. Referuar rregullores që ka përcaktuar qeveria kanadeze, aplikimi kalon në disa faza, por më e rëndësishmja është intervista, në të cilën merret vendimi për kualifikimin apo jo të kërkesës së aplikantit.

Intervista sipas udhëzimit, do të zhvillohet në Konsullatën Kanadeze midis një oficeri të imigracionit kanadez dhe aplikantit.

Aplikanti nëse e përfundon me sukses, duhet të kryejë një kontroll mjekësor nga një mjek i njohur prej Qeverisë Kanadeze. Ky kontroll duhet të bindë Ambasadën se personi në fjalë dhe anëtarët e familjes së tij nuk paraqesin problem për shëndetin publik kanadez me gjendjen e tyre shëndetësore. Që ambasada të marrë vendimin përfundimtar, lëshimin e vizës, duhet që edhe Ministria e Brendshme Kanadeze të japë miratimin e saj pas shqyrtimit që ajo i bën të dhënave personale të aplikantit.

Për të siguruar një qëndrim të përhershëm në një prej qyteteve të Kanadasë duhet të plotësoni formularët e duhur, në bazë të interesit që ju keni. Nëse jeni një profesionist i kualifikuar dhe nëse nuk keni një ofertë pune, atëherë duhet të pajiseni me një kod (NOC), që përbëhet nga katër shifra dhe që identifikon profesionin në të cilin ju dëshironi të punoni. Pas të gjitha këtyre procedurave ju do t’i nënshtroheni një testimi, ku duhet të grumbulloni të paktën 67 pikë nga 100 pikë të mundshme./Shqip

Share: