Qeveria shqiptare ka bërë gati 15 milion euro për të mbështetur të gjithë ata që kanë makina të vjetra dhe që vendosin të marrin një makinë të re. Arsyeja e këtij financimi, që aplikohet për herë të parë në Shqipëri, thuhet se është ndotja e ajrit. Duke qenë se makinat e vjetra rritin ndotjen, qytetarët nxiten të blejnë makina të reja dhe qeveria pritet të shpërndajë para, menjëherë sapo vendimi të kalojë në mbledhjen e qeverisë. Është e qartë se bizneset e makinave të reja do të përfitues direkt nga kjo skemë.
Por si do të funksionojë?
Kur pronari i automjetit shkon të blejë një makinë të re, pra që ndot më pak ambientin, ajo do të vlerësohet jo me vlerën e tregut, por me vlerën e pastrimit të ajrit. Kjo skemë funksionon në shumë vende të BE-së, ku koncesionarët e makinave, pavarësisht moshës së makinës së vjetër, kanë një vlerë të caktuar vlerësimi për ta nxjerrë atë nga qarkullimi.
“Për të nxitur drejtuesit që të blejnë automjete të standardeve të fundit dhe të teknologjisë së fundit, është e rëndësishme të ketë një mbështetje financiare, që të mos blejnë automjete të përdorura, me shkarkime të larta të ndotësve në ajër.
Kjo nismë është parashikuar për rreth 15 mijë përdorues automjetesh, si dhe ka një vlerë rreth 15 milionë euro”, tha Laureta Dibra, përgjegjëse e Sektorit të Ajrit dhe Ndryshimeve Klimatike në Ministrinë e Mjedisit, në një prononcimi për “Top-Channel”. Sipas saj, pjesë e planit është edhe diferencimi i taksimit.
“Ato që ndotin më shumë duhet të paguajnë më shumë, ose gradualisht mund të hiqen nga sistemi i taksave automjetet e reja (Euro 4, Euro 5), ato më pak ndotëse”, theksoi Dibra. Por nuk mbaron me kaq. Në draft janë parashikuar edhe nisma të tjera. Një tjetër propozim është nxjerrja nga qarkullimi e makinave të prodhuara para vitit 1995. Nisëm kjo që sipas draftit prek mbi 20 mijë makina të qytetarëve apo bizneseve.
“Qeveria duhet të parashikojë program për të nxjerrë nga qarkullimi makinat e prodhuara para vitit 1995. Qeveria duhet të parashikojë një fond prej të paktën 20 milionë eurosh, për të iniciuar programin për një periudhë 3-5-vjeçare. Numri i përfituesve mund të arrijë në rreth 20 mijë ose afërsisht 6% e njerëzve dhe kompanive që kanë një makinë”.
Qeverisë i duhet të përmirësojë ndjeshëm edhe shërbimin e transportit publik. Në draft theksohet se në qytetet e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit të hiqen nga qarkullimi mjetet e transportit publik, me parametrat “euro 0” dhe “euro 1”. Kjo do të dojë ndërhyrjen për blerjen e 55 autobusëve të rinj. Sipas parashikimit, një mjet hibrid me 41 vende ka një kosto prej 250 mijë eurosh.