Qindra e mijëra euro çdo ditë dalin jashtë vendit apo pastrohen nga pushtetarët e korruptuar dhe nga bota e krimit. Shumë raporte ndërkombëtare, përfshirë dhe Departamentin Amerikan të Shtetit, kanë theksuar se pastrimi i parave është një fenomen shqetësues, teksa nuk ka pasur të dhëna të sakta se si ndodh procesi i pastrimit të parave. Mirëpo Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka dhënë detaje në këtë aspekt, ku rolin kyç e kanë noterët. Dihet se dy janë kategoritë që pastrojnë para: Politikanët e korruptuar dhe bota e krimit. Dhe pikërisht kjo kategori bashkëpunon me noterët për të fshehur çdo lloj pasurie që është vënë në mënyrë të pistë.
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka zhvilluar një takim me Ministrinë e Drejtësisë, Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe noterëve të Dhomës së Noterisë Tiranë, ku janë nxjerrë detaje mbi skemën që përdoret për pastrimin e parave. Sipas dokumenteve të publikuara aty, numri i noterëve që raportojnë raste të pastrimit të parave është inekzistent. “Nga analizat e kryera për rastet e dyshuara për pastrim parash të dërguara nga DPPPP në institucionet ligjzbatuese, në pjesë të madhe të tyre, të dyshuarit kanë kryer transaksione nëpërmjet noterëve; Janë evidentuar raste që nuk raportohen transaksionet e vlerave, ndërkohë që detyrimi për raportim të transaksioneve të vlerave është minimumi i përmbushjes së detyrimeve sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Pastrimit të Parave.
Takimi me noterët
Gjatë takimit të pranishmit dhanë ide mbi luftën ndaj pastrimit të parave, ndërsa kreu i Drejtorisë së Pastrimit të Parave, Alket Hyseni, kërkoi më shumë bashkëpunim. “Jam sot këtu për të konfirmuar vullnetin për bashkëpunim me Ju e mirëkuptim për çdo vështirësi që mund të hasni, por edhe për të shprehur vendosmërinë për të mbajtur qëndrim ndaj çdo rasti kur noterët me vetëdije anashkalojnë përmbushjen e detyrimeve ligjore për raportim në DPPPP”, u shpreh në takim Hyseni. Nga ana e Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë u vlerësua fryma bashkëpunuese e DPPPP dhe asistenca e vazhdueshme, por nga ana tjetër u nënvizua se duhen akoma më shumë përpjekje nga ana e noterëve në përmbushje të detyrimeve ligjore.
Paratë dalin nga doganat
Sipas një raporti të Drejtorisë së Pastrimit të Parave, qindra miliona lekë dalin çdo vit nga territori shqiptar përmes doganave, për t’u fshehur në vende të tjera apo për t’u pastruar. Raporti thekson se vendi ynë është i prekur nga pastrimi i parave dhe bëhet fjalë për para të vendosura nga krimi dhe korrupsioni. Por përtej kësaj, interesant është fakti se të gjitha paratë grumbullohen CASH dhe më pas përmes automjeteve apo anijeve dalin nga pikat kufitare për t’u dërguar në vende të ndryshme të botës. “Transporti i parasë fizike në hyrje/dalje nga pikat e kalimit të kufirit të Republikës së Shqipërisë, përbën risk në fushën e pastrimit të parave pasi konkludohet se ndodh në masë të konsiderueshme, ndërkohë që deklarimet dhe ndëshkimet për këtë veprën penale të mos-deklarimit janë minimale”, theksohet në raport. Sipas dokumentit, në Shqipëri pastrimi i parave është një fenomen shumë i vazhdueshëm, ndërkohë që në sy bie fakti se janë të përfshirë dhe zyrtarë. Kjo sepse është evidentuar se një pjesë e madhe e parave që pastrohen vijnë pikërisht nga korrupsioni. /gazeta Sot/