Home KRYESORE 25 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri – Seli e Shenjtë

25 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri – Seli e Shenjtë

Në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme u zhvillua sot, në bashkëpunim me Nunciaturën Apostolike dhe Institutin Filozofik dhe Teologjik në Shkodër, Konferenca “Çerek shekulli marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë”, në kuadër të 25 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shënjtë.

Në konferencë ishin të ftuar dhe morën pjesë Ministri i Mirëqenises Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi, përfaqësues besimeve fetare në Shqipëri, përfaqësues të trupit diplomatik, si edhe ish-ambasadorë të Shqipërisë në Vatikan.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Bushati u shpreh se “25 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetin e Vatikanit, i cili përkon me fillimin e pluralizmit dhe ndërtimin e demokracisë, është tregues i marrëdhënieve të reja diplomatike midis Shtetit të Vatikanit dhe Shqipërisë, por lidhjet shpirtërore midis nesh datojnë shekuj përpara aq sa sot katolicizmi është pjesë e rëndësishme e kulturës tonë kombëtare”. “Në këtë përvjetor – vijoi Ministri Bushati – Shqipëria e njeh dhe përshëndet filozofinë në të cilën bazohet Vatikani për një mentalitet të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare që udhëhiqet drejt respektit të alteritetit, lirive fetare, kulturës e traditave të shumëllojshme si vlera universale që nxisin mirëkuptimin dhe bashkëjetesën. Shqipëria përbën një simbol unik të kësaj filozofie të paqes. Bashkëjetesa dhe harmonia fetare që përshkron në shpirt e kushtetutë mbarë shoqërinë, botën dhe historinë shqiptare përbën bazamentin e patjetërsueshëm të humanizmit dhe dimensionit moral, që siç nënvizohet me të drejtë nga Selia e Shenjtë, duhet të udhëheqë sot e gjithmonë marrëdhëniet ndërkombëtare”.

“Historiku i 25 viteve të marrëdhënieve diplomatike është një histori suksesi, kulmi i së cilës përkon me dy vizitat e Papëve: Vizita në Shqipëri e Papës Gjon Pali II, më 25 prill 1993 dhe e Papë Françeskut më 21 shtator 2014. Roli i Selisë së Shenjtë dhe Kishës për jetësimin e nismave dhe projekteve në arsim, shëndetësi, ndihmë sociale gjatë periudhës së tranzicionit në vendin tonë i jep gjithashtu një dimension të veçantë marrëdhënieve tona dypalëshe” – nënvizoi Ministri Bushati në fjalën e tij.

I Dërguari i Posaçëm i Selisë së Shenjtë, Mons. Diego Causero, i Ngarkuari i Parë me Punë në Nunciaturën Apostolike në Tiranë, duke përshëndetur këtë ngjarje vuri në dukje se “Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shejtë i hapi rrugën bashkëpunimit në fusha të ndryshme në të mirë të të dy vendeve”. Ai e vuri theksin në faktin se “Shqipëria është e pashembullt në marrëdhëniet e vlerësimit reciprok dhe bashkëpunimit kordial që ekziston mes tre besimeve fetare”

Mons. Causero u shpreh se viti 2016 ishte viti i Shqipërisë i cili u kurorëzua me shenjtërimin e bijës shqiptare Nënë Tereza, lumturimin e 38 martirëve të periudhës së komunizmit dhe dhënien e titullit Kardinal, Don Ernest Troshanit, tre fakte të
cilat përbëjnë burim krenarie për të gjithë popullin shqiptar”.

Ne emër të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë pëshëndeti dhe Presidenti i saj, Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkev Metropolit i Shkodër-Pultit.

Kjo konferencë u zhvillua në mbyllje të vitit 2016, i cili është një vit i shënuar me ngjarje shpirtërore për Shqipërinë. 25-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë përkoi me shenjtërimin e shqiptares së madhe, bamirëses së mbarë botës, Nënë Tereza, me lumturimin e 38 martirëve të Kishës katolike dhe me emërimin nga Papa Francesku të një Kardinali tjetër shqiptar, Don Ernest Troshani, në nderim të vuajtjes dhe martirizimit të popullit shqiptar.

Gajtë konferencës u shfaq një ekspozitë fotografike kushtuar jetës dhe veprës së Shënjtores Nënë Tereza, si edhe një ekspoze historike me pasuritë arkivore të MPJ-së mbi vëndosjen e marrëdhënieve diplomatike të shtetit shqiptar me shtetin e Vatikanit.

Share: