Ish-kryetari i Bashkisë së Leskovikut, Fatmir Guda ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejt si organizator të kërcënimit me armë një ditë më parë, zv/Kryeministrin Niko Peleshi.
Në një status në profilin e tij në ‘Facebook’, Guda ka paralajmëruar se do të vihet përballë me zë akoma më të lartë deri sa të vijë dita, sipas tij, të shkulet e shporet më gjithë shpurrë e me gjithë “kullë” nga jeta e Korçarëve Kolonjarëve dhe Leskovoqarëve.
Reagimi i Fatmir Guda:
O Niko Peleshi, po ta “uroj” FORT vitin e ri! Sepse në gjithë jetën time askush nuk më ka dërguar kartolinë më të shëmtuar për vitin e ri sesa TY, 2 derdimenë surrat mbuluar me kobure në brez të më mbyllnin gojën! Mos u çudit Niko! Tashmë është fakt që në Korçë, as gjethja nuk bie nga pema pa të marrë lejë ty e jo më rrobi.
Sinqerisht jua uroj një vit të mbarë e të gëzuar fëmijve të tu dhe familjes tënde; kurse ti mi kërcënove të mitë me gjithë familje! Edhe atyre 2 myteberëve që më nise për të më kërcënuar me kobure në kokë, nqs kanë fëmijë a familje ua uroj nga zemra vitin e ri të gëzuar e jetë të gjatë. Se ç’faj kanë fëmija e familja, o tutkunër! Ndërsa për TY dhe ata 2 kollovarët me kapuç, uroj 365 ditë ferri!
Dhe tani dëgjoje mirë e ta fiksosh ti zv/kryeministri vetëm i Korçës, por jo i Korçarëve: Nga sot unë e ndava mëndjen të të neveris, të të përçmoj e të të them se do më kesh përballë me zë akoma më të lartë deri sa të vijë dita të shkulesh e shporesh më gjithë shpurrë e me gjithë “kullë” nga jeta e Korçarëve Kolonjarëve dhe Leskovoqarëve; kurse larg qoftë, nëse bën vaki që familjes dhe fëmijve të mi u preket një fije floku, sepse për lumturinë dhe gëzimin e tyre do djersis vetë e nuk pres urata prej teje, se ç’kishe për t’i bërë mi bëre, atëherë dije mirë ta dish që unë nuk do shoh askund tjetër, veçse emrin tënd me atë mbiemër ashtu siç e ke! (P.S. MUA NUK DO MË MPOSHTËSH DOT KURRË, sepse unë nuk jam vetëm, sepse me mua janë shumë e më shumë çdo ditë, deri sa të arrijë piku që tu heqim qafe se vërtet po na kushtoni shtrenjtë)!