Nga Artur Zheji
Do të jetë në gjëndje Rama, të bindë Ilir Metën, për të dalë edhe njëherë në Zgjedhjet e përgjithshme 2017, sëbashku me PS dhe me PDIU?
Shenjat e deritashme, janë se po. Pamvarsisht hezitimit publik të LSI, për tu deklaruar paraprakisht për një ripërtëritje të kontratës politike me PS e Ramës, duket qartë se cdo gjë do të ndahet, nëse do të ketë dakordësi për “Emrin e Presidentit” të Republikës, që do të zgjidhet në janarin e ardhshëm.
Mungesa e një Reforme Zgjedhore, që të shkojë afër një proporcionali kombëtar, është demoralizuese për cdo parti politike, që nuk quhet PS apo PD, sepse Ligji më i fundit elektoral, është i prerë dhe i qepur pikërisht që këto dy parti “të mëdha”, të jenë artificialisht të përkëdhelura, sepse Ps dhe Pd, janë edhe autorët e
Ligjit, edhe përfituesit e drejtëpërdrejtë të efekteve të tij.
Në këtë qasje, në interesin jetik të subjekteve politike, që edhe kanë lindur kohët e fundit, si partia e Agron Dukës, Bojaxhiut apo Blushit, aleancat janë të detyrueshme parazgjedhore, për të tejkaluar pragun e ekzistencës parlamentare.
Mirëpo profilet tepër të spikatura të personave që drejtojnë këto parti të reja apo të ripërtëritura, e bëjnë shumë të vështirë “koagulimin” e tyre, në një grupim të federuar politik, për tu shndrruar në një forcë realisht imponuese, që të mund të kushtëzojë PS dhe Ramën. Eksperienca e trishtuar në rezultate zgjedhore 2013, e partisë së Bamir Topit, është një paralajmërim se si shkon fati i partive të reja shqiptare në xhunglën e politikës shqiptare.
Simbas të gjithë treguesve PD, do të ketë rritje elektorale, të paktën në votë proteste, votë pakënaqësish dhe në votën e të zhgënjyerve nga qeverisja.
Kryeministri do të mundohet ta balancojë bjerrjen reale të votave, me organizimin e një makinerie elektorale të armatosur, me shumë financime dhe me skuadrone të errta, të paskrupullta dhe kërcënuese.
LSI është e lëkundur dhe Ilir Meta do të marrë vendimet e veta politike në çastin e fundit. Vështruar nga ky fundvit, mund të themi se nuk parashikohet asgjë e re. Por duhet shtuar këtu faktori Kokëdhima, i cili duket i nënvleftësuar nga mediat dhe analistët, por jo nga Rama.
Beteja më e fortë zgjedhore pra, do të bëhet në Vlorë, ku shanset e Ramës janë më të vogla, por ai do të përpiqet të kompensohet në Tiranë dhe në Durrës, me mjete të tërthorta dhe aspak ligjore dhe të shëndetshme. Por kjo është një cështje tjetër.
Këshilla ime, për ata që më lexojnë është ti gëzohen Vitit të Ri, në datat 31 Dhjetor dhe më 1 Janar, të mos merren me politikë këto 48 orë, sepse deri në qershorin e vitit që vjen, përgjatë 2017-tës, do të dëgjojnë dhe përjetojnë shumë lajme dhe kthesa tronditëse…