Home KRYESORE Atetantori me kollare qëllon ambasadorin rus në Ankara!

Atetantori me kollare qëllon ambasadorin rus në Ankara!

Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi

Që prej nisjes së konfliktit në Siri e deri më sot Turqia ishte pozicionuar qartësisht në krah të kryengritësve opozitarë. Presidenti Erdogan organizoi para disa vitesh në Stamboll një takim me opozitën siriane, asokohe të paarmatosur mirë dhe me mbështetjen e Perendimit mori përsipër mbështetjen politike dhe ushtarake të saj, me qëllim rrëzimin e regjimit të Bashar-Al Assad.

Ndërkohë Rusia shpalli publikisht përkrahjen e saj të parezerva ndaj regjimit të Asadit, duke iu kundërvënë politikave ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit pa presidentin sirian në tryezën e bisedimeve. Ajo vuri veton në Këshillin e Sigurimit e në të gjitha strukturat ndërkombëtare të së drejtës në mbrojtje të Assad, duke vështirësuar zgjidhjet e skicuara në Bruksel dhe Uashington, me qëllim evitimin e një gjakderdhjeje të tillë si ajo që po shohim këto ditë në Alepo.

Ushtria e regjimit të diktatorit sirian jo vetëm eleminoi me dhunë e terror kundërshtërët e tij brenda vendit, por shkretoi Alepon me qëllim marrjen e qytetit të kulturës mesdhetare përmes bombardimeve dhe vrasjes masive të civilëve të pambrojtur, ndër ta shumica fëmijë, gra e pleq. Një krim i pashoq, që le në harresë Srebenicën e Kosovën, një krim të cilin e mbështeti me mjete ushtarake e logjistikë Moska e Vladimir Putin.

Nesër do të mblidheshin në Ankara tre ministrat e Jashtëm të Rusisë, Turqisë dhe Iranit për të shqyrtuar situatën e krijuar në Alepo dhe për të përcaktuar një zgjidhje të pranueshme të konfliktit. Por pak orë para këtij takimi ndodhi ajo që kishte ndodhur në vitin 1903 në Mitrovicë, kur ishte vrarë me atentat konsulli i Rusisë në këtë qytet. Një atentator me kostum e kollare ka penetruar në ekspozitën e hapur në kryeqytetin turk, Ankara, e cila i kushtohej Rusisë dhe ka qëlluar mbi ambasadorin rus në këtë vend. Ambasadori Andrej Karloë ndërroi jetë pas plagëve të rënda që mori, ndërsa atentatori në momentin e atentatit kishte thirrur “Allahu ekberr” (Zoti është i madh), duke dhënë kështu sinjalin se akti ishte urdhëruar nga shteti islamik IS, në vazhdën e një kërcënimi që islamistët ekstremistë kishin bërë pas ngjarjeve tragjike në qytetin e Alepos. Madje pas këtyre ngjarjeve vetë turqit u tronditën dhe fajësuan Moskën krahas Assadit për masakrat dhe tmerret në këtë qytet. Ata organizuan protesta të fuqishme përpara ambasadës së Rusisë dhe të Iranit në Ankara, duke denoncuar bashkëpunimin e këtyre dy vendeve me regjimin e diktatoorit sirian.

Ndërkaq ky atentat ishte paraprirë me batica dhe zbatica të shumta midis Kremlinit dhe Pallatit Presidencial të Turqisë. Kulmin e konfliktit e shënoi rrëzimi i një avioni rus nga dy pilotë turq para një viti, akt i cili shërbeu për ngrirjen e marrëdhënieve politike, ekonomike, në turizëm e në fusha të tjera midis Rusisë dhe Turqisë. Por grushti i shtetit i 15 korrikut të këtij viti krijoi mundësinë e një lidhjeje të ngushtë të ripërtërirë midis dy presidentëve, Vladimir Putin dhe Rexhep Tayp Erdogan. Një telefonatë paralajmëruese e rusëve për atë grusht-shteti dhe një telefonatë solidarizuese e Putin me Erdogan i shkrinë si me magji akujt midis dy vendeve.

Prej gati gjashtë muajsh bota ishte mësuar të shihte sesi dy vende me qëndrime të kundërta sa i përket zgjidhjes së konfliktit në Siri krijuan një marrëdhënie speciale të miqësisë, mirëkuptimit dhe paqes midis tyre. U harrua rrëzimi i avionit luftarak rus. Madje piloti turk u arrestua pas grushtit të shtetit nën akuzën se “e kishte kryer veprimin nën ndikimin e klerikut Gylen” dhe Putin e Erdogan shkëmbyen vizita të ndërsjella, duke dëshmuar se ishin në të njëjtën anije të luftës kundër Perendimit, para së gjithash kundër SHBA-ve.

Vrasja e ambasadorit Karlov sot mbasditë në Ankara duket se riktheu situatën e para grushtit të shtetit dhe investimi i Erdogan për forcimin e boshtit Ankara-Moskë duhet vlerësuar tashmë si një investim i dështuar. Dështimi rrjedh së pari nga fakti se të dy vendet nuk janë të të njëjtit mendim dhe qëndrim sa i përket rrjedhës dhe zgjidhjes së konflikteve në Lindjen e Mesme, para së gjithash në Siri. Por kur nuk funksionon logjika e aleancave dhe ngritjes së marrëdhënieve të partneritetit në këtë botë kaq të trazuar, atëherë ndodhin akte të tilla si atentati i sotëm, si për të dëshmuar se rrejdha e zhvillimeve është e panatyrshme dhe jo realiste.

Ajo që ndodhi në Ankara nbasditën e vonë të sotme është një akt dhune e barbar, por i paralajmëruar tashmë nga qëndrimet kontradiktore të presidentit turk sa i përket konfliktit sirian. Ankaraja u përdor nga ana e Kremlinit, sepse përmes imazhit të marrëdhënieve të mira me Rusinë krijoi përceptimin se presidenti turk është i një mendimi me presidentin rus sa i përket qëndrimit të tyre ndaj presidentit sirian Bashar Al Assad. Mjaftoi ky përceptim që forcat rebele kundër Assadit të humbin besimin ndaj Ankarasë. Më së pari besimin e humbën kurdët, si kontribues të mëdhenj në luftën e kryengritësve kundër Assadit dhe kundër IS. Ata u vunë në shënjestër të bombardimeve të ushtrisë turke, por edhe të aviacionit të Assadit e të Vladimir Putin.

Më pas opozitarët e shndërruar në luftëtarë të armatosur kundër presidentit sirian humbën dhe ata besimin te një mbështetje e sinqertë e Ankarasë, e cila për hir të së vërtetës u tërhoq praktikisht nga aksionet konkrete në ndihmë të tyre, për shkak të lidhjeve me Moskën. Presidenti Erdogan shfrytëzoi vetëm një mundësi për ta paraqitur veten si një udhëheqës popullor, ndërmori aksione humanitare, gjë për të cilën nuk kishte kundërshtime Moska. Çdo veprim dhe qëndrim tjetër që atakonte Moskën ai e rezervoi dhe nuk e realizoi, së paku me këmbëngulsinë e fillimit të konfliktit sirian. Madie iu kundërvu përpjekjeve të aleatëve tradicionalë të Turqisë, vendeve të Perendimit e NATO-s, në planet e tyre për ndërhyrje dhe rivendosjen e rendit dhe rregullit në Siri e në Alepo.

Erdogan u shqua në mbledhjen e viktimave të Alepos, por nuk reagoi ndaj shkaktëreve të këtyre viktimave. E gjitha kjo solli njgarjen tragjike të mbasdites së sotme të datës 19 dhjetor 2016, kur një atentator qëlloi dhe vrau ambasadorin e Rusisë, Andrej Karloë. Kjo ngjarje do të jetë pikë kthese në zhvillimet e ardhshme jo vetëm për marrëdhëniet ruso-turke, por edhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme. Pritet që lidhjet midis Ankarasë dhe Moskës të rikthehen në pikën zero, për shkak se Kremlini nuk do ta kapërcejë kaq lehtë vrasjen e ambasadorit të saj në Turqi.

Qoftë dhe për shkak të egos së tij për t’u paraqitur si Fuqi e Madhe që “dikton rendin e ri botëror”?! Vrasje të personaliteteve të larta të këtij kalibri e të Fuqive të Mëdha kanë ndezur luftra të përbotëshme, nëse kemi parasysh gjithashtu atentatin që iu bë Princit Ferdinand dhe gruas së tij në Sarajëve në ditën e Shën Vidovdanit serb, më 28 qershor 1914. Por fantasia nuk besoj se shkon deri te një konflikt i armatosur midis dy vendeve të fuqishme ushtarake, Rusisë dhe Turqisë, me ç’rast do të detyrohej gjithashtu NATO të pozicionohej përkrah vendit anëtar të saj, pavarësisht shqelmave antiNATO të Erdogan. Sidoqoftë marrëdhëniet ruso-turke janë tashmë nën peshën e këtij atentati të sotëm dhe nuk ka gjasa që ato të përmirësohen, aq më pak të marrin përmasat e një aleance midis dy vendeve.

Ndërkohë Erdogan nuk do të pranohet lehtë në aelancën perendimore, sepse qëndrimet e tij të derisotme kanë dëshmuar për agresivitetin e tij antiperendim. Ai do të ketë mbi shpatulla në mënyrë të shtuar presionin kurd e madje me qëndrimet e tij e represionin kundër Kurdistanit ka krijuar kushte për një homogjenizim të të gjitha territoreve kurde në katërkëndshnin e kufijve Turqi-Siri-Irak-Iran.

Ndërkaq ngjarjet në Alepo dhe ky atentat do të shtojnë presionin e brendshëm opozitar kundër presidentit turk. Ky presion është në vlim për shkak të represionit dhe burgosjes së dhjetramijë njerëzve me emër, të cilët konsiderohen si kundërshtarë të regjimit të Erdogan. Në vlim janë edhe konfliktet jo vetëm me PKK, por edhe me përfaqësuesit demokratë kurdë të zgjedhur në parlamentin e Turqisë, grup i cili synohet të nxirret jashtë ligji. Ndërkohë që praktika të tilla vetëm se thellojnë konflktin e në një konflikt të tillë nuk mund të fitojnë as ushtritë më të fuqishme të botës. Edhe si perandori Turqia ka ekzistuar për shkak të ekulibrit midis interesave të Portës së Lartë dhe popujve që e përbënin këtë perandori. Ndryshe ajo do të ishte shkërmoqur që në shekullin e parë të ekzistencës së vet. Ky mësim i historisë duhet lexuar, me qëllim që në kushtet e sotme të globalizimit dhe politikave të ndërvarura politika e presidentit Rexhep Tayp Erdogan të krijojë një ekuilibër midis nevojave të kombit turk dhe interesave të kurdëve, sirianëve dhe popujve ku ai është prezent me politikën e ndërhyrjen e tij.

Mbi të gjitha ngjarja e sotme, e cila në çdo rrethanë duhet dënuar si akt barbar, është një mësim se vokacioni i Turqisë është i lidhur me interesat e NATO-s dhe Fuqive të Mëdha në Perendim, para së gjithash në lidhje e partneritet të ngushtë me SHBA-të. Në një kohë të tillë të artë, vendi më i madh musliman në rajonin e Mesdheut e Golfit pati gjetur harmoninë, qetësinë dhe prosperitetin e tij. Ndryshimi i politikave çekuilibroi gjithashtu gjeopolitikën rajonale e më gjerë, duke kërcënuar seriozisht paqen, sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në vetë territorin e Turqisë.

Një ambassador u vra nga një atentator me kollare. Ky ishte një akt i dënueshëm antinjerëzor. Por kjo paralajmëron një stuhi, e cila kërcënon seriozisht paqen botërore

Share: