Prokuroria ka në dorë një tjetër dëshmi që pritet të “fundosë” Emiliano Shullazin dhe njerëzit e tij të besuar tashmë të vënë në pranga lidhur me akuzën e gjobëvënies. Njëri prej dëshmitarëve kyç në procesin e pritshëm kundër të ashtuquajturës banda e Emiljano Shullazit, Ylvi Beqja, në dëshminë e tij dhënë në Prokurori, ka rrëfyer se vetëm në një rast i ka dhënë Shullazit lekët e gjobëvënies në dorë. Në raste të tjera ia ka dorëzuar njerëzve të tij.
Ylvi Beqja ka dëshmuar tashmë se nga rreth 540 mijë euro të paguara në formë gjobe Shullazit, 50 mije euro ia ka dhënë vetë në dorë atij. Në dëshminë e tij biznesmeni Beqja ka treguar dhe momentin kur pasi regjistrohet prona e ish-hotel Vollgës në emër të kompanisë arabe që ai përfaqësonte i është kërkuar takim nga Shullazi për të dorëzuar paratë.
Beqja ka dëshmuar se nga një filial i një banke të nivelit të dytë ka tërhequr 50 mijë euro dhe më pas ka shkuar të takojë Shullazin në lokalin e këtij të fundit në Rrugën e Kavajës. Në momentin që i ka dorëzuar paratë, Beqja dëshmon se Shullazi i ka thënë: “Kështu je njësh ti”.
Biznesmeni Ylvi Beqja ka sqaruar edhe se rreth 250 mijë euro te tjera ia ka paguar mikut të Shullazit, Gilmando Danit, apo dhe dy prej njerëzve të besuar të tij Endri Zelës dhe Endri Qyqes. Por, një material tjetër që pritet të fundosë Shullazin janë dhe çeqet e firmosura nga njerëzit e tij pasi i ka paguar në dorë 50 mije euro Shullazit, raporton “ABC News”.
Këtij të fundit pas pagesës kesh i ka sqaruar se kompania i kishte e kërkuar do t’ia dorëzonte në çeqe bankare. Në këtë rast përfshihen bashkëpunëtorët tashmë të arrestuar të Shullazit. Prokuroria ka arritur të provojë se nipi i Shullazit Endri Zela dhe shoku i tij Endri Qyqja kanë tërhequr para të paktën në dy raste nga çeqet e kompanise qe përfaqësonte biznesmeni Ylvi Beqja./Lapsi.al