Home KRYESORE Buxheti i Tiranës 2017: Taksat e reja që do të paguajnë qytetarët...

Buxheti i Tiranës 2017: Taksat e reja që do të paguajnë qytetarët dhe bizneset

3.3 milionë euro për të parkuar; 5 milionë euro për zënien e hapësirës publike; 6.3 milionë euro për taksën e arsimit; 16 milionë euro për pastrim; 13 milionë euro taksë për pasurinë, janë disa nga shumat që pritet të paguajnë bizneset, por edhe familjet e individët në 2017-n në kryeqytet…

Bashkia e Tiranës ka hartuar projektbuxhetin e vitit 2017, që pritet të miratohet në mbledhjen e datës 29 dhjetor. Të ardhurat totale pritet të jenë rreth 100 milionë euro, apo 14.2 miliardë lekë (përfshirë 650 milionë lekë të mbetura nga 2016), me një rritje prej 2% në krahasim me planin e pritshëm 2016.

Të ardhurat tatimore do të jenë 7 miliardë lekë, ato jo tatimore 4.8 miliardë lekë dhe të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar 1.9 miliardë lekë.

Në kahun e shpenzimeve, ato korente do të jenë 8.3 miliardë lekë dhe ato kapitale gati 6 miliardë lekë. Pritet që gjatë vitit 2017 të zgjerohet dhe sistemohet shtrati i lumit Lanë, pylli orbital (mbjellja e 2 milionë pemëve në brezin e ri të qytetit), terminali i transportit (që synohet të përfundohet brenda vitit 2017), rrjeti minimal i biçikletave (krijimi me shpejtësi i korsive të dedikuara në akset kryesore, rrugën e Dibrës, Rrugën e Durrësit, Rrugën e kavajës, Zogu i Parë dhe Bulevardin Dëshmorët e Kombit, Unazën e parë dhe të tretë të qytetit), 17 shkolla të reja, vazhdim i rehabilitimit të rrugëve, ndërsa do të prezantohet dhe plani rregullues i Tiranës.

 Taksat dhe tarifat

Projektbuxheti parashikon që për vitin 2017 taksat dhe tarifat nuk do të kenë asnjë ndryshim dhe do të jenë të njëjta me vitin 2016.

Tatimi mbi biznesin e vogël do të jetë zero për bizneset me qarkullim deri në 5 milionë lekë dhe 5% e fitimit të tatueshëm për bizneset nga 5-8 milionë lekë. Nga ky tatim pritet të arkëtohen 231 milionë lekë në 2017-n.

Taksa mbi pasuritë e paluajtshme mbetet në të njëjtin nivel si më parë. Do të aplikohet ulja me 30% për njësitë administrative Bërzhitë, Baldushk, vaqarr, Petrelë, Krrabë, Ndroq, Shëngjergj, Zall Herr dhe Zall Bastar. Edhe për ndërtesat në tregti taksa nuk ndryshon dhe për 10 komunat e sipërpërmendura është 30% më e ulët se në pjesën tjetër të Tiranës.

Taksa mbi truallin do të jetë në të njëjtin nivel, ku individët do të paguajnë 0.45 lek/m2 në vit ndërsa bizneset vetëm 20 lekë/m2 në vit.

Takasa e fjetjes në hotel do të jetë 350 lekë/nata për hotelet me 4-5 yje, ndërsa për bujtinat, motelet etj. Do të jenë vetëm 140 lekë për çdo natë. Nga kjo taksë pritet të arkëtohen 150 milionë lekë në 2017-n.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë do të vazhdojë të llogaritet në kufijtë 4% deri në 8% të çmimit të shitjes.

Taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme do të vazhdojë të jetë   1100 lekë/m2 për ndërtesat e banimit, 2200lekë/m2 për ndërtesat për tregti dhe shërbime dhe 1550 lekë/m2 për ndërtesat e tjera. Ndrëkohë, do të vazhdojë të aplikohet ulja me 30% për njësitë administrative Bërzhitë, Baldushk Vaqarr, Pezë Petrelë, Krrabë, Ndroq, Shëngjergj, Zall Herr dhe Zall Bastar.

Taksa e tabelës për tabelat identifikuese deri në 2m2 do të mbetet zero. Për tabelat mbi 2m2, pra për tabelat reklamuese kjo taksë do të mbetet në nivelin e mëparshëm prej 45.000 lekë/në vit. Nga kjo taksë pritet të arkëtohen rreth 501 milionë lekë në 2017-n.

Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore gjithashtu do të mbetet në të njëjtat nivele. Ajo do t’u kushtojë familjeve 1800 lekë në vit ose 150 lekë në muaj. Pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike apo shtresat e tjera në nevojë do të përjashtohen nga kjo taksë. Për biznesin kjo taksë do të variojë në bazë të në bazë të të ardhurave, nga 4000 lekë në vit për biznesin e vogël deri në 37000 lekë në vit për biznesin e madh dhe atë VIP.

 Taksa mbi pasurinë, do paguhet 13 milionë euro

Për vitin 2017 pritet të paguhen nga bizneset dhe familjet 1.8 miliardë lekë (rreth 13 mln euro), nga e cila 1.6 miliardë lekë do paguhen nga subjektet tregtare (rreth 38 mijë njësi për 5.4 milionë m2)

Nga taksa mbi tokën bujqësore pritet të arkëtohen 25 milionë lekë dhe nga taksa mbi truallin 45 milionë lekë.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë , 20 milionë euro

Taksa e ndikimit në infrastrukturë në kryeqytet u rrit në 2016-n nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes. Si rrjedhojë, në vitin 2016, të ardhurat nga kjo taksë u rritën me 18 herë, nga 128 milionë lekë në 2.16 miliardë lekë.

Për vitin 2017 pritet që arkëtimi të rritet në 2.7 miliardë lekë (rreth 20 milionë euro). Rritja pritet edhe si rrjedhojë e miratimit të planit rregullues të Tiranës.

Rritjen e taksës së ndërtimit në infrastrukturë, ndërtuesit e transferuan në çmimet e aparatmenteve që gjatë vitit 2016 u rritën mesatarisht me 10%, sipas të dhënave të indeksit të çmimit të banesave të Bankës së Shqipërisë.

6.3 milionë euro për taksën e arsimit

Rreth 880 milionë lekë pritet të paguhet nga bizneset e familjet për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore, nga e cila 550 milionë lekë nga subjektet tregtare dhe 330 milionë lekë nga familjet.

Nga Ujësjellës Kanalizime, që mbledh këtë taksë, është parashikuar që ajo të arkëtohet nga 177,800 familje, kundrejt 204,800 familje të kontraktuara, teksa 27 mijë familje përfitojnë nga lehtësitë fiskale.

16 milionë euro për pastrim

Rreth 2.17 miliardë lekë (16 mln euro) pret Bashkia të arkëtojë nga tarifa e pastrimit, 63% e të cilës pritet të paguhet nga bizneset.

Teksa tarifa e pastrimit u dyfishua në 2016-n për bizneset e mesme dhe të mëdha, edhe të ardhurat nga ky zë u rritën këtë vit nga 830 milionë lekë në 2015-n në 1.6 miliardë lekë në 2016-n.

Në një takim të para pak ditëve, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka ngritur shqetësimin për barrën e lartë që është krijuar nga tarifa e pastrimit dhe pagimi i saj për çdo NIPT sekondar. Kjo tarifë, sipas materialit të Dhomës, ka shënuar një rritje të ndjeshme dhe si e tillë është bërë një kosto e konsiderueshme për bizneset. Nisur nga kjo dhe faktin që kjo tarifë jepet në këmbim të një shërbimi është e rëndësishme që të ketë një lidhje sa më të drejtpërdrejtë midis tyre dhe ajo duhet të rikonceptohet, ka rekomanduar Dhoma. Por, në Buxhetin 2017, pritet që ajo të mbetet e njëjtë.

Zënia e hapësirës publike , 5 milionë euro

Tarifa e zënies së hapësirës publike ishte ndër më të debatuarat në paketën fiskale të 2016-s dhe Bashkia Tiranë u detyrua ta rishikonte atë në shkurt, pas protestave të bizneseve.

Për vitin 2016, arkëtimi i pritshëm i saj është 270 milionë lekë (nga 65 milionë lekë në 2015-n), por gjithsesi shumë më i ulët se plani prej 600 milionë lekë i fillimit të vitit).

Për vitin 2017 pritet që arkëtimet nga kjo tarifë të jenë rreth 5 milionë euro (680 milionë lekë).

3.3 milionë euro për të parkuar

Të parkosh automjetin në kryeqytet sot është një mission tepër i shtrenjtë. Me 100 lekë ora, një personi që ka punën në qendër të kryeqytetit do t’i duhet të shpenzojë gati 20 mijë lekë në muaj (gati gjysma e pagës mesatare në vend)  vetëm për të parkuar.

Për vitin 2017, bashkia pret të arkëtojë 450 milionë lekë (3.3 milionë euro) nga tarifat e parkimit.

Në vitin 2016, qytetarët kanë paguar rreth 300 milionë lekë për të lënë makinat e tyre në hapësirat publike, nga rreth 72 milionë lekë vitin e mëparshëm. /Monitor

Share: