Nga Aulon Kalaja
Po jetojmë në morinë e lajmeve të krimeve ne familje, makabriteteve, histerive, psikopative, si pasoje e depresionit dhe humbjes së shpresës. Pas lajmit që edhe kreu i bandës së Durrësit la qelinë, mora vesh dhe lajmin, që një i ri 28-vjecar i quajtur Sajmir Rrahmani është dënuar.
Dhe Sajmiri nuk ka vrarë njeri, nuk i ka prerë kujt kokën, nuk ka hedhur askënd nga ballkoni, nuk ka masakruar fëmijët, nuk është as kreu i ndonjë bande famkeqe, por Sajmir Rrahmani ka protestuar kundër betonizimit të parkut të liqenit.
Ishte një nga ato të rinj, që bashkë me mua dhe shume të tjerë të pashitur dhe të shitur, ishim kundër prerjes së pemëve tek liqeni artificial i Tiranës, kundër betonit mbi dhe, kundër hekurave ne park dhe kundra një vendimarrje personale dhe klienteliste, pa dëgjesa publike, pa transparencë nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Sajmir Rrahmani, ky i ri 28-vjecar, fizioterapist i papunë, i cili ka probleme me shikimin dhe është përfaqësues i “Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë”, ishte koka e turkut, sepse Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin me 6 muaj burg, ndërkohë Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 120.000 lekë të reja gjobë.
Dhe këtu nuk jam për të diskutuar vendimin e Gjykatës, nuk e kam bërë asnjëherë dhe nuk do e bëj, sepse nuk është në kulturën time juridike! Por jam këtu për të dënoncuar urdheruesin e këtij dënimi, që për fat të keq nuk është gjyqtar, madje ai është profan në fushën e ligjeve. Është ai që mban pozicionin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Po, po, i njëjti që duke mbajtur këtë post, këtu e disa muaj të shkuar organizoi një protestë me militantë, përpra Gjykatës Administrative. Ironike apo jo?!
Njeriu që përdor fëmijët, ai që të bind se kjo punë është bërë, maniaku i medias, por që nuk lejon median të jetë e pranishme në takimet e tij, njeriu që bën dëgjesa me stafin e Bashkisë, prestigjatori që po eleminon kundërshtarët e tij, puthadori servil i Ilir Metës, vrasësi i Ardit Gjoklës në landfillin e Sharrës, urdheruesi i shkarkimit nga puna të Drejtoreshës së Lajmeve në “A1 News” gazetares Alida Tota, urdhëruesi i shkarkimit nga puna të stafit të “Publicus”, emisionit investigativ ne “Vizion+” per arsye se këta zbardhen të vërtetën e vrasjes së 17-vjecarit Gjoklaj në Sharrë, ka hequr nga puna Artanin producent, Jetmirin gazetar, Endritin gazetar, Envin moderatore, njeriu që jep urdher që seanca dëgjimore për censurën në media në Komisionin Parlamentar të Medias të dështojë për të 5 herë radhazi, për shkak se deputetët e mazhorancës nuk na dëgjojnë dhe bojkotojnë mbledhjen edhe at’herë kur BE e njeh si problem shqetësues, njeriu që me paranojën e tij po na përndjek të gjithëve.
Kryetari i Bashkisë Tiranë pra, si një vrasës gjakftohtë, me urdher primitiv politik, dënoi një të ri të papunë, protestues, Sajmirin, në kufijtë e varfërisë me 1 milion e 200 mijë lekë gjobë. Kurrë nuk e kisha menduar se ky njeri që vinte nga “shoqëria civile” do të dënonte tanimë edhe një njeri në kufijtë e verbërisë.
Qesharake apo jo?! Sa qesharake, aq dhe e trishtueshme, sa ironike aq edhe e dhimbshme. Sepse me dënimin e Sajmir Rrahmanit, Kryetari i Bashkisë Tiranë dhe marionetat e tij na kanë dënuar të gjithëve. Kryetari ka dënuar me vdekje shpirtin e lirë të protestës, ka krijuar policimin e protestave, përcarjen e shoqërisë civile dhe dhe drejtimin e nje pjese me urdhër politik të tij me filozofinë e vjetër romake “përca dhe sundo”.
Dënimi i Sajmirit është një kronikë e paralajmëruar përballë dhunës së paprecedente të policisë me protestuesit tek liqeni, të përleshjes së policisë me deputetët e PD, të tërheqjes zvarrë nga policia dhe të arrestimit të vëllezërve dhe motrave tona, vetëm se Kryetari i Bashkisë Tiranë donte t’i tregonte muskujt me anë të policëve të zellshëm, pikërisht ish bashkëluftëtarëve të tij në kauzat e mëpardhme, kur ai përfaqësonte “shoqërinë civile”. Ky akt burrcakërie nuk tregon asgjë tjetër vecse kompleksin e inferioritetit dhe frikën që ka Kryetari ndaj qytetarëve. Ky shtet dhe Kryetar që shtyp te dobëtin, të verbërin, të papunin, të pamundurin, hallexhiun dhe që ul kokën përballë të fortit, kriminelit, trafikantit, vrasësit dhe pushtetarit.
Dënimi i Sajmir Rrahmanit është një këmbanë alarmi, për të gjithë ne që protestojmë dhe jemi kundër shtypjes. Kryetari kërkon të na tregojë se tani është koha e tij. Une mund t’ju rrah dhe nuk ju lejoj të qani. Unë ju denigroj dhe ju gjobis. Unë ju shtyp dhe ju nuk mund të lëshoni zë. Ai kërkon të na tregojë se erërat e një kohë tjetër po fryjnë, ku përballë shtetit dhe Kryetarit nuk mund të ketë asnjë zë ndryshe, nuk ka protestë, nuk ka kundërshtim, ka vetëm miratim dhe duartrokitje robotike, ka vetëm kronika të porositura nga gazetarët e bashkisë dhe shpifje nga stafi i baltës i punësuar në Bashki që helmojnë dhe kafshojnë në rrjetet sociale dhe që paguhen nga taksta tona.
Dënimi i Sajmirit duhet të na shërbeje për bashkim, për kundërshti dhe protestë. Nuk ka më kokëulje, por vetëm zgjim dhe reagim. Dhe nuk jam këtu për të nisur nëj fushatë bamirësie, pwr thënë që të mbledhim fonde dhe t’i paguajmë gjobën të pamundurit, fizioterapistit të papunë dhe përfaqësuesit të “Shoqatës së të Verbërve”, por të detyrojmë Kryetarin e Bashkisë Tiranë të tërheqë mbrapsht urdherin politik të tij, për dënimin e Sajmir Rrahmanit. Të detyrojmë Kryetarin që të mos guxojë më, të intimidojë dhe të ushtrojë presion e frikë mbi protestat e lira të shqiptarëve të zakonshëm.