Home I pakategorizuar Dështimi i reformës, Komisionit i shtyhet mandati

Dështimi i reformës, Komisionit i shtyhet mandati

Mandati i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore është zgjatur me dy muaj pasi parlamenti e votoi ditën e enjte në seancën maratonë ku u votua buxheti dhe paketa fiskale për vitin 2017.

Edhe pse palët kanë kundërshtuar që në seancën e së enjtes amendamentet e njëra-tjetrës, në fund votuan që komisionit t’i shtohej mandati për 60 ditë të tjera, edhe pse presidenti ka dekretuar datën e zgjedhjeve të ardhshme.

Gjatë seancës plenare, kryetari i Grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, ka komentuar propozimet e Partisë Demokratike, duke thënë se propozimi i një platforme për Kodin Zgjedhor ishte i pakuptimtë.

“Opozitë që edhe 6 muajt e fundit të mos kërkojë dhe luftojë, të mos kryejë misionin e vet në një komision bipartizan për të bërë misionin e vet, qofshi ju që jeni. Pra, i paskeni propozuar Parlamentit një platformë, ore zotërinj ne ju kemi zgjedhur në Parlament që të bini amendime, jo platforma. Ç’është kjo platformë që na keni prurë në Parlament?! Për platforma ju kemi zgjedhur ne? Ne platforma kemi, e platforma për ne dhe për ju është raporti i OSBE-ODIHR-it. Ajo është platformë dhe na është vënë detyra që këtë platformën ta implementojmë, ta përkthejmë në amendime, për të cilat juve ju kemi ngarkuar, dhe ju deri më sot s’na keni prodhuar asnjë amendim të vetëm.

Dhe ky komision nuk është mbledhur. Do të isha plotësisht dakord në qoftë se ju si bashkëkryetar i komisionit do të kishit bërë kalendar për punën e komisionit dhe do të kishte munguar me vakancat e veta maxhoranca, gjë që s’ka ekzistuar, e kundërta po. Ai komision nuk funksionon pa dakordësinë e PD-së dhe PS-së bashkë. Në amendimet tona ka gjëra thelbësore, ato kanë zbërthyer shqetësimet e OSBEODIHR- it.

Ne ju kemi bërë propozime që të depolitizojmë komisionet e dyta dhe të treta e jo për t’i kapur ato. Këtë kërkon raporti, këtë kërkon ajo që ju e quani platformë. Nëse jeni dakord, hajde ta bëjmë, por në qoftë se nuk doni t’i mbajmë kështu siç janë, por ama ta dini se ju jeni bërë pengesë për të implementuar platformën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR- it”, është shprehur Gramoz Ruçi.

Share: