Nga Gavrosh Levonja
Përsa i përket asaj që tashmë njihet si “Lëvizja e Dhjetorit” apo “Lëvizja Studentore” e cila pretendohet të ketë përmbysur diktaturën komunistë, për asnjë moment nuk e kam ndalur respektin dhe konsideratën për ata studentë të cilët në mbrëmjen e 8 dhjetorit të vitit 1990 filluan një minirevoltë duke protestuar për ikjen e dritave dhe në përgjithësi kundër kushteve në konviktet e tyre, kushte që ishin larg të qenit normale. Mirëpo për asnjë moment nuk kam ushqyer iluzionin se “dhjetoristët” përmbysën sistemin.
Do të vazhdoj ta kem një bindje të tillë për sa kohë do të mbetet anonim “studenti”, apo personi i cili hodhi idenë që protesta për drita e ngrohje të shndërrohej në një lëvizje me kërkesa politike. Edhe sot, kur kanë kaluar 26 vite nuk ka dalë ende asnjë nga studentët nismëtarë të “revoltës” së dritave që të pohojë se në filan moment studenti X. Y. na sugjeroi që protesta e nisur të merrte karakter politik. Vërtetë që për grupin nismëtar të minirevoltës së 8 dhjetorit 1990 nuk bëj asnjë insinuatë apo të hedh hije dyshimi se kanë bërë “lojëra” të orkestruara nga sigurimi dhe sektorë të PPSH-së së athershme, por nuk mund ta them këtë për ato që ndodhën më pas me atë që filloi si protestë për kushtet e jetësës për t’u kthyer në një lëvizje më motive politike, gjë që për mua, filloi me “vizitat mbështetse” të intelektualëve të regjimit komunist.
Në këtë aspekt, ajo protestë e studentëve ishte mënyra më e mirë, rruga ideale që PPSH dhe Ramiz Alia të infiltronin njerëzit e piketuar prej tij në radhët e asaj që do të ishte “opozita antikomuniste, packa se drejtuesit e kësaj do të lehnin kundër sistemit komunist duke pasur akoma në xhep teserën e PPSH. Vetë “intelektualët” lidhur me shkuarjen tek strudentët, në historitë që tregojnë nëpër intervista, flasin për takime në komitetin e partisë, për biseda me Xhelil Gjonin, Ramiz Alinë e ndonjë tjetër. Gjatë vitit 1990, ishin zhvilluar protesta, madje shumë herë më masive, si në Shkodër, në janar, më pas në Kavajë, por asnjë “intelektual” jo vetëm nuk ishte afruar, por kishte dhe nga ata që i dënonin si “veprimtari armiqsore” nxitur nga “armiku i klasës” dhe agjenturat e huaja.
Nga njëra anë nuk kishin marrë urdhër nga partia ose nuk u a mbante b..a, por nga ana tjetër, të paktën përsa i përket Shkodrës, ku kisha shokë e miq në radhët e atyre që u ngritën për të rrëzuar bustin e Stalinit, Dom Simon Jubani e të tjerë vështirë se do t’i linin t’u afroheshin. Në korrik të po atij viti gjatë zhvillimeve në ambasada, Elez Biberaj, asokohe shef i seksionit shqip të VOA, “u ça” duke u rënë telefonave të “intelektualëve” por asnjëri nuk e merrte guximin për të dhënë një opinion. Në njërën prej atryre ditëve isha në shtëpinë e Gramoz Pashkos, ku ndodhej dhe Linz Ngjela, i ardhur nga internimi. Në një moment, pasi ra telefoni, Moza i thotë Gramozit: “Elezi” dhe Gramozi i cili të paktën e kapi telefonin, i tha: “Elez ti e kupton që nuk mund të flas”…”
Në një nga ditët e fundmarsit, një intervistë e Ismail Kadaresë tek “Zëri i Rinisë” do t’i hapte rrugën disa intervistave “të guximshme” të intelektualëve, ku shprehej dhe ndonjë qëndrim i lehtë ‘kritik” për disa nga problemet e shumta që kishte shoqëria shqiptare si pasojë e kufizimeve deri në absurd të lirive më elementare. Dhe shqiptarët të etur për dicka publike kundër regjimit shprehnin një farë entusiazmi por dhe simpati për autorët, pavarësisht se këta ishin komunistë të afirmuar. Personalisht isha skeptik dhe në tavolinat e përditshme të pirjes ku diskutohej vetëm politikë thosha: “Mirë, mirë po është botuar në organin e KQ të PPSH, ku çdo shkronjë është e censuruar…”
Ca vite më vonë, duke qenë se shkruaja dhe punoja në gazeta pata fatin të njihesha me Sofo Lazrin, një nga njerzit kryesorë të kohës për të cilën po flas. Një ditë ndërsa pinim kafe, po diskutonim për një artikull të njërit prej këtyre “intelektualëve” ku tregonte se si duke “sfidusar” regjimin kishte publikuar artikuj “heretikë”. Lazri nuk duroi dhe më tha: “C’ botoni budallallëqet e këtij, po pse ore, po të mos donja unë a mund të botoheshin ato?” Kjo ishte një etapë në vazhdën e përgatitjes së “disidentëve” komunistë duke përligjur krijimin e “opozitës” prej tyre dhe daljen në krye të saj.
Dhe kjo, sigurisht e bëri efektin. Shumica e shqiptarëve u pajtuan me një opozitë të tillë që mund të konsiderohet dhe si një fraksion I PPSH-së aq sa i dëgjonin me ëndje ndërsa shanin me “libër shtëpie” diktaturën komuniste nëpër mitingjet e zhvilluara në çdo qytet, pa i bërë pyetjen vetes: “ore po prit një herë, ky deri dje thoshte të kundërtën, pse ta besoj që tani e ka me gjithë zemër”?
Tani, ka nga këta “intelektualë” që na dalin prapë nëpër intervista duke kujtuar ato “ngjarje të stuhishme” duke u vënë në rolin e Pilo Peristerit, Miha Lakos që përrallisnin për aktivitetin e Enverit si komunist i orëve të para. Por ndryshe nga Pilo apo Miha që, në fund të fundit ishin zanatçinj “intelektualët” duke u vënë në rolin e këtyre bëhen tejet të neveritshëm, për më tepër kur ashtu si gjatë komunizmit, tani i kanë shërbyer me zell kujtdo që ka ardhur në pushtet gjatë 25 viteve.
Këta “intelektualë” duke mos qenë të sinqertë, nuk thonë asnjëherë arsyet pse Shqipëria ishte “guri i fundit i dominosë”, nuk thonë kurrë se sistemi pluralist në Shqipëri më shumë ishte një heqje dorë nga administrimi i vendit, i cili kishte falimentuar totalisht dhe se duke gjykuar nga lidershipi i partive opozitare të krijuara në fillim, ishte një pluralizëm brenda PPSH-së, natyrisht duke kooptuar dhe ndonjë përfaqsues nga kategori të tjera.
Gjithë kjo për të shmangur kalimin e pushtetit në duart e asaj që ishte opozita reale, të persekutuarit politikë realë, të shpronësduarit, përgjithësisht, ata që quheshin “të deklasuar”