Kosova është partner i SHBA-ve, sa i përket luftimit të ekstremizmit, vlerëson ambasadori amerikanë në Kosovë, Greg Delawie, në një bisedë ekskluzive për RTV Dukagjinin.
“Është me rëndësi ta dimë se luftimi i ekstremizmit të dhunshëm është diçka me të cilën duhet të merren të gjitha shtetet. Në Shtetet e Bashkuara shqetësohemi për këtë, sepse nuk është çështje vetëm e Ballkanit; nuk është çështje vetëm e Kosovës. Ne kemi një partneritet me Kosovën, përkitazi me këtë. Kosova i ka miratuar disa ligje të rëndësishme, ka burgosur njerëz, kurse numri i atyre që shkon në Irak dhe Siri për të luftuar, ka rënë tepër shumë”, ka thënë ai.
Delawie shprehet se Kosova është më meritorja që në Elbasani, më 12 nëntor, nuk ka pasur viktima.
“Elementi më mbresëlënës në këtë tregim ka të bëjë me atë që ndodhi në nëntor në ndeshjen e futbollit ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë – që fillimisht ishte menduar të luhej në Shkodër, por u bart në Elbasan. Si rezultat i veprimeve të Policisë së Kosovës dhe agjencive qeveritare të Kosovës, komploti terrorist u prish plotësisht. Ka pasur gjasa që të ketë shumë viktima nga ai sulm.
Më bëri përshtypje që Izraeli e mundi Shqipërinë 3:0, por të gjithë ishin fitues, sepse të gjithë shkuan gjallë në shtëpi. Kjo ndodhi për shkak të veprimeve që zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe partnerët e tyre në rajon i ndërmorën për t’i mbrojtur ato jetë’’, tha Delawie.
Tutje, ambasadori i SHBA-ve shtoi se Qeveria amerikane është e mahnitur me punën e Qeverisë së Kosovës në trajtimin e problemit të ekstremizmit të dhunshëm./Telegtafi/