I gjithë vendi është përfshirë nga i ftohti siberian, me temperatura disa gradë nën zero.
Në kryeqytet temperaturat arrijnë deri në -6 gradë. Prej ditës së djeshme, moti i kthjellët është shoqëruar me erë të fortë. Në Divjakë, një 83 – vjeçar humbi jetën si pasojë e stuhisë së fortë me erë deri në 23 km në orë gjatë natës. Halil Mici, gjeti vdekjen pasi i ka rënë në kokë një degë pishe e thyer. Ai ndodhej në oborrin e shtëpisë së tij, kur pema është thyer.
Ndërsa në juglindje të vendit, bora zbardhi të gjitha rrugat duke i bërë ato të pakalueshme. Firma mirëmbajtëse nuk mori masa në kohë dhe pati disa aksidente pa pasoja në jetë. Për këtë arsye Prefekti i Korçës, Ardit Konomi, kërkoi ndjekje penale për subjektin që mirëmban rrugën Korçë – Kapshticë.
Në orët e para të mëngjesit, segmentet kryesore u bënë të kalueshme. Korçë – Ersekë dhe në Qafën e Qarrit qarkullimi bëhet vetëm me zinxhirë, për shkak të shtresave të akullit. Edhe rrugët drejt zonave turistike të Dardhës dhe Voskopojës, në të cilat trashësia e borës ka arritur deri në 20 centimetra, qarkullohet vetëm më zinxhirë./Tv Klan