Nga: Dr. Enriko Ceko
Prej më shumë se dhjetë vitesh, në çdo fund viti, kam shkruar një artikull në lidhje me atë se si e mendoj ekonominë në vitin që vjen më pas. Edhe ky artikull ka të bëjë me këtë çështje.
Ekonomia, si ajo individuale ashtu dhe ajo e një vendi, ka të bëjë me prodhimin, shpërndarjen dhe konsumin e mallrave dhe shërbimeve të ndryshme midis agjentëve ekonomikë në një territor të caktuar. Niveli i sofistikimit të prodhimit, shpërndarjes dhe konsumit të mallrave dhe shërbimeve midis individëve, familjeve, bizneseve dhe qeverisë tregon edhe nivelin e jetesës dhe nivelin e zhvillimit ekonomik të vendit.
Për të patur prodhim, shpërndarje dhe konsum të sofistikuar është e nevojshme që parimet e pronës, lirisë ekonomike dhe standardeve të jenë të qarta, të respektueshme dhe të aplikueshme. Pra, niveli i jetesës së qytetarëve të vendeve të ndryshme të botës dhe zhvillimi i këtyre vendeve është kryesisht në varësi të qartësisë, respektimit dhe aplikimit të parimeve të pronësisë, lirisë ekonomike dhe standardeve dhe krijimi i kushteve për kryerjen e veprimtarive të përshtatshme dhe racionale publike dhe private, duke mbajtur nën kontroll parametrat makroekonomikë.
Një nga karakteristikat dalluese të ekonomisë së tregut është funksionimi i mbrojtjes shtetërore të të drejtave të pronësisë në një sistem formal pronësie, që, në mënyrë të qartë regjistron pronësinë dhe transaksionet që bëhen me pronat. Sistemi i pronësisë, që funksionon, bën të mundur që të ketë më shumë pavarësi të individëve, për të mbrojtur asetet e tyre, pronësi të qartë, të provueshme dhe të mbrojtshme, standardizim dhe integrim të rregullave të pronësisë dhe informacion për pronat në tërë vendin, rritje të besimit për transaksionet ekonomike, mbrojtje më të mirë nga risku i pronësisë, vlefshmëri më të madhe të sistemit të kreditimit të ekonomisë, biznesve dhe individëve e familjeve për investime e projekte të reja, akses më të besueshëm për vlefshmërinë e aseteve dhe gjendjen ekonomike e financiare të agjentëve ekonomikë, dokumentim të të drejtave të transferueshme, që shtron rrugën për strukturat e tregjeve (kryesisht bizneset e ndryshme) për të operuar në mënyrë më të pavarur dhe më të sigurt. Të tëra sa më lart në fund të fundit sjellin rritje ekonomike. Por parimet e pronësisë janë vetëm një nga shtyllat e ekonomisë së tregut.
Një shtyllë tjetër po aq e rëndësishme është liria ekonomike, që ka të bëjë me aftësinë që kanë pjestarët e shoqërisë në një vend të caktuar për të ndërmarrë veprime ekonomike. Këtu ka disa këndvështrime, por, në këndvështrimin e ekonomisë së tregut, liria ekonomike ka të bëjë me lirinë për të prodhuar, tregtuar dhe konsumuar mallra dhe shërbime pa përdorimin e mënyrave të paligjshme. Kjo lidhet me respektimin e ligjit, parimeve të pronësisë, ligjeve të kontratave, etj dhe karakterizohet nga hapja e tregjeve, mbrojtja e të drejtave të pronësisë dhe liria e inciativës ekonomike.
Në vendet që ka më shumë liri ekonomike ka standarde më të mira jetese, rritje më të madhe ekonomike, më shumë barazi në të ardhura, më pak korrupsion dhe më pak dhunë politike.
Por këto dy shtylla të ekonomisë nuk mund të jenë të plota dhe nuk mund të sjellin efektet e dëshëruara pa shtyllën e tretë që është ajo e standardeve. Standardet janë dokumenta që reflektojnë kërkesat, specifikimet, udhëzuesit dhe/ose karakteristikat që duhet të përdoren për të bërë të sigurt që proceset, produktet dhe shërbimet të jenë të përshtatëshme për qëllimin për të cilin realizohen, përdoren e aplikohen. Nëse, proceset, produktet dhe shërbimet realizohen sipas standardeve, atëhere, edhe cilësia e tyre është më e garantuar dhe ka më shumë hapsirë për përmirësim të vazhdueshëm në të tëra apektet. Standardet janë mjete strategjike për të reduktuar kostot, minimizuar humbjet e gabimet, duke rritur efektivitetin dhe eficiencën.
Në rastin konkret të Shqipërisë ose asnjë nga këto tre shtylla nuk funksionon ose në rastin më të mirë funksionon keq dhe gjithashtu edhe në rastin kur funksionojnë, ato nuk funksionojnë së bashku në të njëjtin drejtim, për të dhënë efektin e dëshëruar nga pjesa më e avancuar e shoqërisë shqiptare.
Konkretisht, për çështjet e pronësisë, lirisë ekonomike dhe standardeve Shqipëria renditet në vendet e fundit në Evropë dhe në botë, duke bërë që rritja ekonomike dhe zhvillimi i qendrueshëm të jenë të kompromentuar prej një kohe mjaft të gjatë. Nëse vazhdohet ende me këto mendësi, duke dhunuar të drejtat e pronësisë, duke kufizuar lirinë ekonomike dhe duke mos respektuar standardet në të tëra fushat e jetës, ka pak gjasa që ekonomia shqiptare dhe ekonomia jonë individuale e familjare të kenë mundësi për përmirësim në periudhën afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë.
Në thelb, të tre shtyllat ku mbështetet ekonomia e tregut lidhen me dy koncepte shumë të rëndësishme. Drejtësia dhe progresi. Pa drejtësi nuk ka progres dhe pa progres nuk ka drejtësi. Kështu, në këtë fund të vitit 2016, ekonomia shqiptare gjendet midis parametrave ekonomikë të përkeqësuar, me papunësi të lartë, me borxh publik të lartë, me deficit buxhetor të lartë dhe me nivel inflacioni që nuk sjell parakushte për zhvillim ekonomik, shtuar këtu rënien e besimit të agjentëve ekonomikë, gjë që e bën vitin 2017 edhe më të pasigurt se viti që po lemë pas.
Zgjedhjet për parlamentin shqiptar në qershor të vitit 2017 mund të sjellin një fuzion më të lartë të parasë në qarkullim dhe kjo për shkak të rritjes së numrit të kontratave të prokurimeve publike, por, pas zgjedhjeve, gjendja ekonomike do vijë përsëri në nivelin e këtij fundviti, nëse çështja e pronave, liria ekonomike dhe standardet nuk do jenë prioritet, shtuar këtu edhe daljen jashtë kontrollit të parametrave makroekonomikë, duke bërë që drejtësia dhe progresi të jenë pikëpyetje shumë të mëdha për të tërë shqiptarët.