Home KRYESORE “Koncerti i Vienës” i Shkelzen Dolit miniere parash nga taksat dhe biletat

“Koncerti i Vienës” i Shkelzen Dolit miniere parash nga taksat dhe biletat

Nga Desada METAJ

Shkëlzen Doli është shqiptari me pozicionin më prestigjioz në kulturën vieneze. Ai është anëtar i Orkestrës së Filarmonisë së Vienës, e famshme për Koncertin e Vitit të Ri. Shkëlzen Doli, që luan si violinë e dytë në Filarmoninë e Vienës, u bë i famshëm në Tiranë, kur performoi muzikë të përpunuar shqiptare si pjesë e programit të Konceritit të Vienës për Vitin e Ri 2015. Si një artist i afirmuar në kryeqytetin e muzikës klasike europiane, Shkëlzen Doli, përveçse ka luajtur me disa grupe të njohura të këtij zhanri muzikor, në vitin 2013 krijoi grupin e tij muzikor që quhet Ansambli Filarmonik-Vienë, i përbërë nga 4 instrumentistë virtuozë, 3 prej të cilëve janë pjesë e Orkestrës së Filarmonisë së Vienës. Koncertet e tyre janë shumë të pëlqyera nga publiku europian, i edukuar me muzikë klasike. Të gjithë presim që në 2 Janar performanca e tyre te jetë e shkëlqyer dhe repertori i zgjedhur të kënaqë publikun shqiptar, i pamësuar më të tilla shfaqje dhe që jo për faj të tij, duken gati ekzotike.

Por, për shkak se ky është një terren i pashkelur më parë, kryeministri Edi Rama tentoi të manipulojë publikun shqiptar, duke e paraqitur Koncertin e 2 Janarit të Tiranës si Koncertin e Vienës, atë me famë botërore të Filarmonisë së Vienës.

Pse u tentua të manipulohet me emrin e grupit që do të performojë në Tiranë dhe me numrin e instrumentistëve që do të marrin pjesë në koncert?

Pse u keqpërdor nga Kryeministri emri i eventit unik muzikor pas ndërrimit të viteve i organizuar nga një prej institucioneve muzikore më dinjitoze në botë si ai i Filarmonisë së Vienës?

Dhe në fund, pse nuk ka transaprencë për fondet e këtij koncerti dhe shitjen e biletave?

Le t’i marrim gjërat me radhë

Opinion.al ka faktuar me dokumenta autentike se në Shqipëri në 2 Janar nuk do të luajë Filarmonia e Vienës dhe se Koncerti i Vienës do të zhvillohet vetëm në Vienë në 1 Janar. Përgjigja e qartë e Drejtorit të Përgjithshëm të Filarmonisë së Vienës, pas interesimit të Opinion.al, nuk lë vend për asnjë diskutim tjetër.

211751c6-f110-4b06-bfd0-4b0dd7b2a463

Reagimi i Filarmonisë së Vienës detyroi Ambasadën e Austrisë në Tiranë të thyejë heshtjen dhe të pranojë se Kryeministri nuk kishte thënë të vërtetën. Ambasada konfirmoi se Shkëlzen Doli do të vijë në Tiranë me Ansamblin e tij dhe me disa muzikantë të tjerë vjenezë.

Opinion.al i kërkoi zyrtarisht para 2 ditësh Ministrisë së Kulturës, si organizatore e koncertit, që të bëjë publik numrin e instrumentistëve të Filarmonisë së Vienës që do të jenë në këtë koncert, sa është shuma që ka paguar shteti shqiptar për ardhjen e tyre dhe si është proceduar për shitjen e biletave.

Por, Ministria e Kulturës nuk përgjigjet për pyetjen e parë, duke theksuar se zyrtarisht ajo është kujdesur të përcaktojë si pjesëmarrës në koncert “Asamblin Filarmonik të Vjenës”, duke saktësuar po në të njëjtën përgjigje se bëhet fjalë për plot 160.000 euro që kjo ministri do të japë për një koncert për të cilin nuk ka ende listën e instrumentistëve që do të perfomojnë në datën 2 Janar.

Dokumentat provojnë se Ministria e Kulturës ka kaluar pa asnjë procedurë transparente fondin fillestar prej gati 100.000 eurosh (160.000 që do paguajë gjithsej) në llogari të kompanisë AGE PRODUCTION, e njëjta kompani që është sponsor gjeneral i Koncertit me protagonist Ansamblin e Shkëlzen Dolit.

94664ba7-2ef6-4a09-ade1-241bd767047f

Sipas dokumentave në Qendrën Kombëtare të Rregjistrimit AGE PRODUCTION është krijuar në gusht 2016 dhe një nga aksionerët e saj është vetë Shkëlzen Doli. Aksioneri tjetër është Sadik Llapashtica, administrator kryesor edhe i kompanisë AEG GROUP, me aktivitet në fushën e energjitikës (kryesisht në Kosovë) dhe që prej vitit 2014 edhe në Shqipëri.

Deri tani askush nga organizatorët shqiptarë nuk është në gjendje të përgjigjet përse Qeveria duhet të financojë më 100 mijë euro një kompani që ka për administrator të njëjtin person që administron AEG GROUP, sponsorin gjeneral të aktivitetit.

Opinion.al ka i dërguar të njëjtat pyetje edhe kompanisë AGE e cila zyrtarish sponsorizon Koncertin e lajmëruar nga Kryeministri.

111 2222

Sa për kuriozitet, 100 mijë euro që qeveria i ka dhënë në mënyrë jotransparente kompanisë është gati e barabartë me buxhetin vjetor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Ndërkohë, fitimet nga biletat pritet të jenë të mëdha. Biletat e shitura në kohë rekord, sikur në Tiranë do të luhej Koncerti i Vienës, kushtuan nga 3000-7000 lek të reja. Me një llogari të thjeshtë, duke marë parasysh kapacitetet e Pallatit të Kongreseve, vlera arrin deri ne 80.000 euro.

(Kjo gjithmonë, nëse pushtetarët kanë paguar për biletat e tyre). Kjo do të thotë se Koncerti, pa llogaritur asnjë sponsor tjetër, ka arkëtuar vetëm nga qeveria dhe nga biletat 240 mijë euro.

Ndoshta, ata që do të luajnë në 2 Janar, mund të vlejnë shumë më shumë sesa kaq, por unë këtë llogari nuk di ta bëj, se nuk jam eksperte e marketingut. Ajo që kuptoj unë nga e gjithë kjo ngjarje e bukur është së ajo u bë pis nga gënjeshtra e panevojshme e Kryeministrit se në Tiranë do të luhej Koncerti i Vienës. Unë besoj se publiku shqiptar do të mirëpriste njësoj virtuozin Shkëlzen Doli edhe sikur ai të luante i vetëm në sallën e Pallatit të Kongreseve.

Në fund të të gjithë kësaj historie, vazhdoj të mos kuptoj pse duhet të gënjejë njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri për një event të tillë që, megjithë dëshirën e madhe, as nuk e bën Shqipërinë një vend me më shumë kulturë, as nuk i rrit numrin e turistëve. Madje nuk rrit as numrin e votave.

Ndoshta Kryeministri beson ende se në 2 Janar do të dëgjojë Filarmoninë e Vienës, mbase dikush tjetër ka përgatitur dhe “jehonën ndërkombëtare” të koncertit. Por ky makiazh i skaduar nuk mbulon dot të inkriminuarit e grupit parlamentar që drejton Edi Rama, të deputetëve trafikantë apo të trafikantëve kandidatë për deputetë. Në fund të fundit, dikush që e do fort, duhet t’i thotë Mbretit se është lakuriq dhe se as koncerti i vërtetë i Vienës nëse vjen nuk e mbulon dot! /Opinion.al

Share: