Nga Suzana Tahiri
Shteti më i ri i Europës vazhdon të ballafaqohet një varg problemesh, çka u reflektuan edhe në mbledhjen e mesdhjetorit të Parlamentit Europian për Kosovën. Kosova, sipas institucioneve europiane duhet të përmbushë edhe dy kritere në mënyrë që autoritetet e Brukselit të merren me procedurën e liberalizimit të vizave.
Kjo u konfirmua edhe në deklaratën e Presidencës Sllovake të BE-së, e cila u publikua në mungesë të një deklarate përfudimtare të Këshillit të BE-së, për miratimin e të cilave nuk u arrit konsensus.
Nga pozita dhe opozita kosovare kërkohet ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe vazhdimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Përtej këtyre kërkesave shoqëria kosovare përballet me papunësi të lartë, me numër të lartë të azilkërkuesve, me institucione të brishta, me mungesë demokracie në klasën politike, etj.
Është për t’u shënuar zvogëlimi i numrit i luftëtarëve që rreshtohen pranë ISIS, por nga ana tjetër duhet menduar më shumë nga qeveria për projekte zhvilluese në zona tërësisht të varfëra dhe pa asnjë shpresë.
Po ashtu lufta kundër korrupsionit në nivelet më të larta është ende një “fushë e paeksploruar” nga sistemi i drejtësisë në Kosovës, çka kërkon reforma më të thella dhe përgjegjshmëri më të lartë nga strukturat legjislative dhe ekzekutive.
Një sfidë po aq e madhe është edhe demokratizimi i partive kryesore, të cilat duhet të marrin modelet më të mira euro-atlantike, të kufizojnë mandatet e të zgjedhurve dhe të rrisin garën e konkurimit.