Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndërpreu mbledhjen e sotme, duke e shtyrë për në datën 29, për shkak se kërkon nga prokuroria informacione më specifike rreth kërkesës së saj për rastet e tre zyrtarëve.
“Prokuroria ka 48 orë kohë për të na i vënë në dispozicion”, tha kreu i KQZ-së, Denar Biba.
Në mbledhjen e sotme u paraqit vetëm Shkëlqim Selami, i shoqëruar nga avokati i tij, Genci Çifliku. Ndërsa Dashamir Tahiri u përfaqësua vetëm nga avokati i tij Fatmir Braka, por edhe Elvis Roshi, u përfaqësua nga Theodhori Sallaku.
“Mua nuk më takon të hedh dyshime nëse Prokuroria e ka bërë apo jo detyrën e saj konform ligjit. Unë prezumoj që e ka bërë dhe i ka vendimet përfundimtare dhe jo përfundimtare. Rezultatet e verifikimit janë tashmë. Ne bëmë mirë që organizuam këtë seancë dëgjimore. Kur u gjendëm përballë kërkesës se prokurorisë ishim në dilemë nëse do diskutonim brenda vetes apo do organizonim një proces të rregullt ligjor. U vumë në dijeni se disa fakte nuk na janë vënë në dijeni. Do jemi live dhe në vendimmarrjen tonë”, tha Biba.
Avokati i deputetit Shkëlqim Selami i tha KQZsë se gjykata italiane e ka pushuar çështjen ndaj Shkëlqim Selamit.
Në këto kushte sipas tij kërkesa e Prokurorisë nuk qëndron.
“Gjykata italiane e ka pushuar çështjen dhe personi është i pafajshëm. Nuk mund të themi se ndodhemi para një mase të sigurimit personal. Nuk jemi në kushtet kur parashikon nga ligji i dekriminalizimit. Ne i kemi të gjitha provat nga shteti italian”, tha avokati i Selamit.