Nga Gavrosh Levonja
Diku nga mesi I viteve 90-të të shekullit të kaluar kur një pjese të konsideueshme shqiptarësh filloi t’u dilte “droga” e demokracise për t’i a lënë vendin zhgënjimit, kjo sigurisht jo si pasojë e sistemit, por e abuzimit me demokracinë nga ana e pushtetarëve, ndoshta për t’u vetëngushëlluar apo për të mos humbur shpresën, u bë e modës ideja se “sa të kthehen në Shqipëri ata të rinj që shkuan të studiojnë në Perëndim, cdo gjë do të rregullohet”.
Ide kjo që argumentohej nga fakti se ata të rinj do të sillnin në Shqipëri mentalitetin perëndimor, jo vetëm në qeverisje e administrim por edhe në marrëdhëniet midis kategorive të ndryshme si pushtet-opozitë, shtet-qytetar, vendosjen dhe zbatimin e rregullave për jetesën në komunitet e mbi të gjitha instalimin e një fryme demokratike na cdo lloj bashkësie, në radhë të parë në partitë politike, të cilat do ta injektonin këtë dhe në qeverisje për sa kohë të ishin në pushtet.
Por, ndonëse kanë kaluar mëse njëzet vjet që athere, të kthyerit nga Perëndimi, me përjashtim të ndonjë nisme butaforike, jo vetëm nuk sollën gjë për t’u lakmuar, por u bënë ushtarë të partive ku u antarësuan në disa raste dhe kapterë a rreshterë të kryetarëve. Ndërsa shpresohej që të rinjtë e “oksidentalizuar” të sillnin frymën e kritikës ndaj lidershipit në funksion të demokratizimit, këta filluan t’i hidhen në grykë kujtdo që guxonte të dilte “jashtë linjës” qoftë dhe kur vetëm mund të ketë hedhur një mendim ndryshe nga ai i kryetarit.
Mjafton të ndiqni një tryezë debati në TV-të shqiptare dhe do të shihni se këta të rinj, nuk kanë as më të voglin ndryshim nga ata që për dy dekada e gjysëm u a kanë sjellë në majë të hundës shqiptarëve. Dhe nuk e cajnë aspak kokën kur, të paaftë për të argumentuar qëndrimet e tyre nuk e kanë për gjë të bëhen deri dhe qesharakë, mjafton të jenë “në linjë” me kryetarin duke i “treguar vendin armikut”.
Para nja dy ditësh ndërsa ndiqja “Studio-n e Hapur” në News 24, deputetja socialiste, Olta Xhaçka, vuri shenjën e barazimit midis lëvizjes së kohëve të fundit në PS, e inicuar tani së fundi nga Koco Kokëdhima me qëndrimet dhe akuzat e opozitës së Sali Berishës. Sado u mundova të gjeja ndonjë element të përbashkët ndërmjet akuzave që ish-kreu I PD-së ka bërë e bën kundër PS dhe ndryshimeve që propozon Kokëdhima brenda saj, nuk pata sukses.
Për më tepër dhe deputetja Xhaçka nuk përmendi asnjë fakt konkret në këtë aspekt. Të paktën të tregonte ndonjë rast kur Sali Berisha ka kërkuar që e drejta për të zgjedhur në PS të spostohej nga forumet në qendër tek socialistët e thjeshtë të bazës, apo e anasjellta të servirte ndonjë situatë ku Koco Kokëdhima të ketë akuzuar lidershipin e partisë së tij për korrupsion, lidhje me bandat e krimit, vjedhje votash, favorizim të klientelës…
Madje, prej më shumë se njëzet vitesh, vetë Kokëdhima ka qenë një target e preferuar i Berishës. Në fakt Dr. Berisha më shumë ka sulmuar Kokëdhimën se sa gjithë eksponentët e “Rilindjes” të marrë së bashku. Deputetja, para se të rrekej të vinte shenjën e barazimit midis Kokëdhimës e Berishës do të kishte qenë më mirë të shprehej nëse ishte dakord që PS e ka të nevojshëm një demokratizim të mëtejshëm apo gjithçka është në rregull, pavarësisht se statuti shkelet, se kryetari nuk ka nevojë të zgjidhet se socialistët në bazë nuk kanë pse shprehin preferencat e tyre lidhur me të zgjedhurit apo mendimet e tyre ndaj forumeve drejtuese të partisë për të cilën votojnë.
Deputetja “perendimore” nuk është as në nivelin e babait të saj, I clli në fillimin e viteve 90-të, kur edhe mund të lincohej, mbronte idetë e tij me shkrimet tek “Zeri I Popullit”. Po ashtu, nuk ka as guximin e njeriut të afërm të saj profesorit të respektuar, Servet Pëllumbi, i cili jo vetëm i u kundërvu Fatos Nanos në kohën kur ky ishte idhull në PS, por nuk ndruhej të mbronte publikisht Marksin dhe idetë e këtij.
Kur Xhaçka, e shkolluar dhe e edukuar në USA pajtohet me status-quo-në, mos vallë duhen pritur reforma e novacione nga Taulanti I Librazhdit?