Home KRYESORE Lapsi.al: Si po e përdor Rama PDIU për t’i bërë presion Metës

Lapsi.al: Si po e përdor Rama PDIU për t’i bërë presion Metës

Kryeministri Rama thotë se pas zgjedhjeve të vitit 2017 koalicioni i tij do të ketë tre bashkëkryetarë. Ai la të kuptohet mbrëmë në Top Story se e ka arritur marrëveshjen me PDIU –në për ta patur në koalicion edhe në zgjedhjet e përgjithshme, ashtu si në zgjedhjet vendore të 2015 –ës dhe dy zgjedhjet e pjesshme në Dibër e Kolonjë. Në 2013 PDIU ishte në koalicion me PD –në.

I pyetur nëse barazonte Ilir Metën me Shpëtim Idrizin, Rama u tregua i prerë: “Jo”, tha ai, duke shtuar se “Në drejtimin e koalicionit, nga pikëpamja politike ju siguroj që mesmeje dhe kreut të LSI ka komunikim të vazhdueshëm, ndërveprim dhe harmonizim të të gjitha veprimeve”.

A është kjo një formë presioni që po ushtron ai ndaj aleatit që më shumë i duhet sesa e do?

“E keni kuptuar gabim, sepse unë nuk bëj asnjë presion mbi Ilirin dhe ai nuk bën asnjë presion mbi mua”, përgjigjet Rama.

Në një tjetër studio televizive, në emisionin “Të Paekspozuarit”, i vënë në dijeni për këtë deklaratë të Ramës, Ilir Meta u përpoq të mos i jepte rëndësi dhe u kujdes të mos ia përmendte asnjëherë emrin as PDIU –së dhe as kryetarit të saj ish –kryedoganier.

“Mendoj se është me qëllimin e mirë për të rritur kolegjialitetin, transparencën, vendimmarrjen e koalicionit, kështu që kjo është gjë pozitive, mendoj unë”, tha Meta.

Kryetari i LSI u bë shenjestër e një sulmi të ashpër të PDIU pas vizitës së tij në Athinë.

“I them kryetarit Meta, unë kuptoj shumë nga politika, besoj te kompromisio, aleancat fluide dhe llogaritë elektorale, porn ë politikë ka detyrime… Në Athinë, për ju dhe kolegët ishte detyrim rezoluta e shqiptarëve të Çamërisë. Unë nuk e fsheh habinë time për gjuhën që zgjodhët në Athinë”, do të shprehej kretari i PDIU në parlament.

PDIU do të jetë kështu një problem në koalicion. Një problem për LSI –në, siç duket se llogarit Rama. Por zgjerimi nga tregu çam ka filluar të trazojë edhe vetë PS –në, që e sheh si një parti që Rama po e rrit artificialisht. “Nuk ka ekzistuar asnjëherë kjo parti që të përfaqësojë këto interesa atje (në Kolonjë). Në mënyrë artificial tentojnë të emërojnë drejtorë dhe sigurisht duke marrë pushtet, kërkojnë të zgjerojnë partinë”, shpërtheu pak ditë më parë ndaj PDIU Arta Dade.

Po përse Rama po e rrit artificialisht PDIU? Edhe në fushatën e Dibrës i la asaj peshën më të madhe. PDIU mori edhe koston për akuzat për blerje vote, njësoj si LSI në zgjedhjet e 2013 –ës.

Këto lëvizje të Ramës janë komentuar si tentativë e tij për të gjetur zëvendësuesin e Ilir Metës nëse Meta vendos të “rimartohet djathtas”, në mos edhe për t’i ulur atij pazarin në koalicion. Në tregun çam dihet që gjithçka kushton më lirë. /Lapsi.al

Share: