Home KRYESORE “Luftë e ftohtë”, SHBA dëbon 35 diplomatë rusë

“Luftë e ftohtë”, SHBA dëbon 35 diplomatë rusë

Administrata e presidentit Obama vendosi sanksione kundër Rusisë, në përgjigje të sulmeve kibernetike dhe ndërhyrjes së dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale të SHBA.

Sipas zyrtarëve, SHBA do të dëbojnë 35 diplomatë rusë, të cilët do të kenë 72 orë afat për t’u larguar. Do të mbyllen edhe dy komplekse në Nju Jork dhe Merilend, që përdoren nga zyrtarët rusë për qëllime zbulimi, në përgjigje të një fushate ngacmimesh ndaj diplomatëve amerikanë në Moskë, raporton VOA.

Vendimi i presidentit parashikon gjithashtu sanksione ndaj dy agjencive kryesore ruse të zbulimit si dhe ndaj katër drejtuesve të Shërbimit Ushtarak të Zbulimit, për të cilët Shtëpia e Bardhë beson se kreu sulmet kibernetike ndaj Komitetit Kombëtar Demokrat dhe organizatave të tjera politike.

Ministria e Jashtme ruse e ka dënuar idenë e sanksioneve të reja.

“Të jem e sinqertë, jemi lodhur nga gënjeshtrat për ‘hakerat rusë’ që vazhdojnë të burojnë nga rangjet më të larta të qeverisë amerikane,” thuhej në një deklaratë të lëshuar të mërkurën nga zëdhënësja e ministrisë Maria Zakharova.

Edhe në qoftë se sanksionet e reja zbatohen me sukses, mbetet e paqartë nëse ato do të mbahen në fuqi nga administrata Trump, pasi ajo të marrë detyrën më 20 janar.

Sekretari i shtypit i zotit Trump, Sean Spicer, kërkoi prova të qarta që të vërtetojnë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje.

“Shumë njerëz nga e majta vazhdojnë të minojnë legjitimitetin e fitores së zotit Trump në zgjedhje dhe kjo është për të ardhur keq”, tha ai të enjten. “Nëse SHBA kanë dëshmi të qartë se dikush ka ndërhyrë në zgjedhjet tona, ne duhet ta bëjmë atë të njohur.”

Senatori i njohur republikan Lindsey Graham ngul këmbë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale.

Sipas senatorit, Kongresi amerikan në vitin 2017 do të hetojë përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e 8 nëntorit. “Unë pres që të ketë sanksione dypartiake që do ta goditin rëndë Rusinë, sidomos Presidentin Putin si individ”, tha senatori Graham, pa dhënë hollësi. “Është koha që Rusia të kuptojë se e ka tepruar,” tha ai.

Share: