Nga VALBONA GJONI KARANXHA, Shenasi Rama dhe Grid Roji
Momenti historik në të cilin po kalojmë ne, shqiptarët, është një nga pikat më kritike të historisë sonë si komb dhe si shtet. Paria e Tiranës dhe projekti i saj i transformimit të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare kanë dështuar plotësisht, pa asnjë mëdyshje dhe me turp. Nuk ka zgjedhje, ceremoni, ritual, fytyra të shplara, përkujtimore, vrasje mafioze, klan kriminal, sindikatë ndërkombëtare krimi që i nxjerr nga ky dështim i frikshëm dhe i gjithanshëm. Kësaj rruge ku janë duke shkelur, këta do t’i shkojnë deri në fund jo sepse nuk dinë tjetër, jo sepse nuk kanë zgjidhje tjetër, por sepse nuk duan tjetër. Këta e kanë bërë gjithcka me ndërgjegje e pa mëdyshjen më të vogël dhe kanë dështuar. Por, dështimi nuk është i tyre. Ata që kemi dështuar për shkakun e tyre jemi ne shqiptarët. Në rruge e sipër, gjatë këtij tranzicioni, ata i kanë arritur qëllimet e tyre të pasurimit e të shfrytëzimit deri në palcë të burimeve material të shtetit shqiptar. Ne ngadalë po në mënyrë të pathyeshme po kthehemi në skllevërit e tyre modern, një popull që jeton sot për nesër, që nuk ka nder e vlera, që nuk e di kish është dhe që nuk ka forca të luftojë për veten e vet, për familjet e veta, për të të ardhmen e fëmijevë të vet.
Ata po lënë këtu vetëm eshtrat e kockat e shtetit e të kombit shqiptar, vetëm atë që nuk kanë arritur ta blejnë, ta shesin, ta vjedhin, ta këmbejnë, ta privatizojnë, ta përvetësojnë, ta dhurojnë apo ta pronësojnë. Mirëpo, uria e tyre për para është kaq e madhe sa nuk duan të heqin dorë pa ia përtypur edhe eshtrat e shtetit e të kombit tonë. Prandaj, kjo është një pikë shumë kritike sepse ne shqiptarët jemi në buzë të humnerës morale, ekonomike, politike, kombëtare ku na ka sjellë me qëllim paria sunduese e Tiranës dhe ku do të mbesim për shumë kohë, në se nuk kërkojnë ndryshimin. Në shumë drejtime, në mungesë të një kthese politike, ky moment historik që lidhet edhe me ndryshimin e pritshëm të strukturës së marrëdhënieve ndërmjet Fuqive të Mëdha, do të jetë më shumë se sa një hap më tej në greminën në të cilën po rrëshqasim edhe më poshtë, pa shpresë dhe pa zgjidhjen e duhur. Shqiptarët si komb, në shtetin shqiptar përballen me realitetin e përmbylljes së procesit të transformimit në skllevër të një parie që tashmë i mban peng në vathën e vet të krimit e të korrupsionit që është shteti shqiptar dhe mbasi ka grabitur cdo gjë që mund të grabitej tani do të kthehet e do të hajë vetë shqiptarët. Sepse për këta që nuk kanë lënë gjë pa bërë, hyena e cakallë me fytyrë njerëzore që nuk kanë as nder, as vlera, as moral, as njerëzillëk, as komb, me kenë shqiptarvrasës e shqiptarurrejtës është lavdërim.
Këta janë shkaku pse jemi këtu. Paria e Tiranës, pavarësisht grindjeve brenda llojit për për interesat e tyre, e konsideron veten si një klan i mirëorganizuar që beson vetëm në paranë e në pushtetin dhe që i është imponuar si superior në të gjithë drejtimet shoqërisë dhe kombit shqiptare. Por ky superioritet i rremë mbështetet në një gjykim që e mat gjithcka me paranë dhe pushtetin dhe me lidhjet e qëndrave të errta të ndikimit jashtë shtetit shqiptar. Pavarësisht emrave, gjenealogjive, krushqive, origjinave dhe klaneve, që mund të kenë vlerë në nivelin individual e familjar, si grup kompakt paria nuk ka asnjë vlerë morale njerëzore, etnike, apo kombëtare shqiptare. Këta janë një bandë kriminale që ka shkuar në origjinat e veta. Nga ana e jonë, tashmë ne shqiptarët jemi një komb i shkërmoqur, i coroditur, pa vlerat e pa drejtimin e duhur moral dhe politik dhe nën një injorancë të theksuar politike, me një infantilizëm të spikatur politik, dhe me një mungesë vetëdije kombëtare që nuk ka krahasim me kombet e tjerë.
Ne jemi në një gjendje marrëzie kolektive dhe në këtë absurd kriminal që e konsiderojmë realitet, ne shqiptarët po ndjekim qorrazi parinë dhe veglat e saj politike, mediatike, kriminale, dhe kulturore. Edhe kur nuk i ndjekim prijatarët e parisë, ne po ndjekim si rrugë shpëtimi projekte vlerash e qytetërimesh që njëlloj na cojnë tek humbja e identitetit dhe e vlerave themelore, dhe kjo është pikërisht ajo cka i intereson parisë. E kështu ata na sundojnë, luajnë si macja me miun me ne, dhe bëjnë cka duan me ne sepse ne i kemi lejuar ata që të bëjnë këtë. Sepse në këtë rrugë ku jemi duke ndjekur parinë, d.m.th., në rrugën e vesit, të krimit, të poshtërsisë, të mashtrimit e të cnjerëzimit, të gjithë bashkë e secili më vete, ne shqiptarët po kthehemi në skllevër të vullnetshëm të këtij grupimi që me këmbëngulje, me shumë aftësi punon dhe i arrin me të gjithë mënyrat e mjetet qëllimet e veta. Parimi i parisë është që një ujk i vetëm e mbyt një kope me njëmijë dele. Deri më tash ia kanë arritur.
Pavarësisht asaj që këta iu thonë përmes veglave të tyre mediatike, analitike, politike, propagandistike e me radhë, e vërteta është shumë e hidhur. Këta kanë dështuar. Kanë dështuar dhe nuk ka Zot që të dalë e të thotë të kundërtën e të bindë njeri. Kanë dështuar tërësisht. Por këta kriminelë duan që fajin të na e lënë ne, shqiptarëve, karakterit, traditave, vlerave dhe vecantësive tona. E kjo nuk është e nuk mundet me kenë e vërtetë!! Ne e dimë kush jemi dhe nuk jemi kjo corbë etnike e kriminale që janë këta. Këta duan që të gjejnë rrugëzgjidhjen e tyre nga ky qorrsokak politik duke na shtyrë edhe në luftë civile, vllavrasje, përplasje e shtretim vetëm e vetëm që të garantojnë mundësinë që të jenë të domosdoshëm në këtë fazë të frikshme të historisë së kombit shqiptar që do të shpaloset në pak vitet e ardhshme.
Prandaj, kush e kupton shkallën e dështimit të tyre, secili e të gjithë bashkë kemi vetëm dy zgjidhje. Ose të bëhemi skllevër të tyre dhe të shuhemi si skllevër që jetojnë sot për nesër e nën mëshirën e tyre. Ose të kërkojmë të ardhmen që na duhet dhe të punojmë për atë të ardhme me të gjithë mjetet e mënyrat e duhura e të pranueshme. Kjo është një zgjidhje që cdo shqiptar që ka mend duhet t’ia parashtrojë vetes. Cfarë të ardhme dëshëron për veten dhe për fëmijët tuaj??? Pë rata që duan të jenë skllevër, shteti shqiptar është vendi ideal i skllevërve. Ata që nuk duan lirinë, nderin e sigurinë për vete e për fëmijët e tyre le të bëhen mushka droge, le të shesin fëmijët e tyre për organe e pjesë këmbimi, le të nisin vajzat e motrat për prostituta, dhe vetë të bredhin me makina të reja e të bëhen sic I don paria e Tiranës.
Por për ata që duan me kenë shqiptarë e njerëz, kjo është e papranueshme. Andaj, ne na duhet që me cdo kusht e me cdo mënyrë të dalim nga kjo gjendje dhe e vetmja rrugëzgjidhje që kemi është që të shohim vetveten në sy dhe të bëjmë atë që duhet. Ne duhet të nisim rrugëtimin e ri e ndryshe, duke pasur si busull të pandashme udheheqëse vlerat tona autentike etnike kombëtare, të mendojmë për shtetin tone kombëtar, për kombin tone etnik, për vlerat dhe për virtytet e shqiptarit. Dhe këtë do ta bëjmë edhe duke synuar t’iu ikim mashtrimeve, rrenave, hileve, krimit, veseve e poshtërsisë së parisë. Do të jetë e mundimshme por na duhet një fillim i ri sepse nuk ecet në humnerën ku po rrëshqasim me kaq vërtik. Në duhet që të kërkojmë me cdo kusht një fillim të ri të mbështetur tek këto vlera sepse cdo gjë tjetër ka dështuar.
Nuk ka asnjë dyshim se sot më shumë se kurrë, edhe për shkak të humnerës që na pret, ne shqiptarëve na duhet një rrugë e qartë, një vizion i balancuar, një zgjidhje e mundshme, praktike, realiste dhe që e vë shoqërinë tonë shqiptare në binarët e duhur dhe në rrugën e normalitetit. Si duhet të veprojmë që të kemi edhe ne, shqiptarët si komb, një të ardhme normale? Cfarë duhet të bëjmë që të kemi një të ardhme me siguri, me ekulibre shoqërore, me begati, me mjaftueshmëri, me harmoni, me drejtësi, me virtyte e me moralin e duhur? Cila lloj shoqërie, cili lloj shteti, cila mendësi e strukturë institucionale na i garanton këto të mira që i kanë disa nga të tjerët dhe që ne përditë e më shumë iu largohemi aq sa tani kanë nisur të na duken të pambrritshme?
Ky manifest ka pikërisht këtë qëllim: të parashtrojë një trajtim ndryshe të gjendjes, të ofrojë një zgjidhje të nevojshme, të përvijojë një mundësi që nuk duhet humbur, dhe të piketojë atë që, sipas bindjes sonë, është rrugëdalja e vetme nga qorrsokaku ku na mbajnë mbyllur ata që na duan skllevër. Nuk do të nisim duke gjykuar të shkuarën; nuk presim të dënojmë njerëz e klane; nuk synojmë të hedhim poshtë të mirat që mund të jenë bërë. Por duke besuar se me kohë përgjegjësia do të shkojë tek ata që e meritojnë, qëllimi i ynë është me dhënë një pamje të asaj të ardhmeje e cila, me punë e me mund, do të na drejtojë në rrugën e bashkëkohësisë dhe të vlerave të shtet-kombeve normale. Sepse tashmë zgjidhja e jonë si shqiptarë është e qartë dhe nuk ka tjetër. Nga një anë, ose do të vazhdojmë në këtë rrugë ku jemi e do të bëhemi skllevër të të tjerëve e të mendësive jo shqiptare dhe të jetojmë si të huaj në shtetin tonë. Nga ana tjetër, do të duhet që me mundim e me sakrifica, të ndjekim rrugën e duhur, të bëjmë shtetin tonë në shërbim të shqiptarëve edhe përkundër të gjithë armiqve që i kemi të shumtë, që i kemi edhe midis nesh, që shtohen dhe që bëjnë cdo gjë të mundshme që të na mbajnë si skllevër dhe që më shumë se cdo gjë e kanë frikë bashkimin e shqiptarëve në një shtet-komb normal. Rruga është e vështirë e nuk dihet ku do të dalë, por nuk ka asnjë rrugë tjetër që na kthen tek një jetë e sigurtë, me nder, me dinjitet, me respektin që meritojmë, me të ardhme për fëmijët e brezat që vijnë, dhe me një shtet që do të na shërbejë ne shqiptarëve e jo të huajve dhe veglave të tyre shumëetnike e shqiptarurrejtëse që sundojnë shtetin shqiptar.
VIJON
(Kjo eshte pjesa e pare e Manifestit Politik te Bleta Shqiptare. Ne ditet e ardhshme do te botohen edhe pjeset e tjera.)