Home KRYESORE Qeveria në borxh 18.2 mln euro nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut

Qeveria në borxh 18.2 mln euro nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut

Qeveria shqiptare mbetet borxhlie me rreth 18.2 milionë euro ndaj ish-pronarëve që e kanë fituar të drejtën e kompensimit financiar nga Gjykata e Strasburgut.

Sipas një shkrimi të BIRN, qeveria ende nuk ka ekzekutuar vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për katër çështje, duke kapur këtë shifër borxhi në buxhetin e këtij viti. Orhan Jegeni është një nga fituesit e gjyqit të Strasburgut, që ende nuk e ka marrë atë që i takon. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, (GJEDNJ), këtë pranverë vendosi që qeveria shqiptare duhet t’i paguajë Jegenit dhe familjes së tij 3.3 milionë euro për pronën, që regjimi komunist u kishte konfiskuar pas Luftës së Dytë Botërore.

GJEDNJ-ja lëshoi vendimin e saj më 17 mars, duke urdhëruar qeverinë të bëjë pagesën brenda tre muajve të ardhshëm, ose deri më 17 qershor. Deri tani, 3.3 milionë eurove u është rritur interesi prej 60 mijë eurosh për shkak të vonesës së pagesës. Nëse vendimet e gjykatës nuk ekzekutohen brenda afatit kohor prej tre muajsh, ajo imponon një dënim prej 3.5 për qind. Çdo muaj vonesë në dorëzimin e parave i kushton qeverisë shqiptare me rreth 10,000 euro, të cilat do të shkojnë të gjitha për familjen Jegeni.

Megjithatë, fatura e fundit mund të jetë edhe më e madhe për qeverinë shqiptare, sepse Jegeni dhe 3.3 milionë eurot e tij janë vetëm një pjesë e një rasti shumë më të madh. Vendimi i 17 marsit nga GJEDNJ-ja mban emrin “Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë” dhe përfshin një numër të familjeve, ish-pronarëve shqiptarë, të cilët kanë ngritur akuza kundër Shqipërisë për pasurinë e konfiskuar nga ata rreth shtatë dekada më parë.

Shuma totale që gjykata e urdhëroi Shqipërinë t’ua paguajë familjeve arrin në 10.7 milionë euro. Gjatë këtij viti, Gjykata e Strasburgut ka lëshuar tri vendime të tjera të ngjashme në lidhje me ish-pronarët shqiptarë, dënime të cilat arritën në një shtesë prej 7.5 milionë eurosh. Pra, totali i madh që do të paguhet nga buxheti i Shqipërisë është rreth 18.2 milionë euro.

BIRN-i ka pyetur Ministrinë e Financave nëse ndonjë kompensim është paguar, por nuk ka marrë përgjigje të drejtpërdrejtë deri në kohën e publikimit. Në qoftë se qeveria ka dështuar të paguajë ndonjë prej këtyre pagesave të kompensimit, vetëm gjobat kanë arritur shumën 296.000 euro. Çdo muaj i vonesave do t’u kushtojë taksapaguesve të Shqipërisë një dënim prej 53,000 eurosh.

Përgjigja e Financave

Fillimisht Ministria e Financave nuk ka dhënë informacion të saktë për BIRN. Kur BIRN-i kërkoi të dijë nga ministria nëse ata kanë paguar ndonjërin nga kompensimet dhe sa është shuma, ministria nuk arriti të japë një përgjigje të qartë. “Aktualisht, mundësitë për pagesën e pjesës më të madhe të detyrimeve janë gjetur, si dhe me ndryshimet në buxhetin e vitit 2016, po bëhen përpjekje të japin vendimet e mësipërme (katër vendime për çështjen e pronave gjatë vitit 2016) dhe interesin e çdo dite vonesë”, thuhet në përgjigje.

Sokol Puto, një avokat i cili ka mbrojtur ish-pronarët në Strasburg, tha për BIRN-in se Shqipëria ishte e detyruar të paguajë në përputhje me vendimin e gjykatës, ashtu siç e ka miratuar Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Procesi i kompensimit është monitoruar nga një komitet i Këshillit të Europës. Fondi rezervë në të cilën qeveria duket se është mbështetur në vitin 2016 është përdorur për lloje të ndryshme të emergjencave, por nuk është i përshtatshëm për të mbuluar pagesa të mëdha si në këto raste.

Megjithatë, qeveria beson se ligji i ri për pronat i miratuar në vitin 2015 do të sigurojë kompensim të ligjshëm për të gjithë pronarët e mëparshëm. Në ligjin e ri, qeveria u zotua për të vënë mënjanë rreth 400 milionë euro dhe 23.000 hektarë të tokës bujqësore për përdorim për më shumë se 10 vite për të kompensuar rreth 26.000 raste.

Ligji gjithashtu parashikon që ish-pronarët mund të kompensohen me asete fizike. “Me miratimin e ligjit të ri të pronave, çështja e pronave është zgjidhur plotësisht dhe eliminon kostot e paparashikuara që vinin nga Strasburgu në lidhje me këtë çështje”, shkruhet në deklaratën e ministrisë, dërguar për BIRN-in

Share: