Një kërkesë e pazakontë është bërë nga Partia Socialiste për amendimin e Kodit Zgjedhor. PS kërkon që portalet online që nuk janë të regjistruara në Shqipëri të mbyllen gjatë fushatës zgjedhore.
Një nen i posaçëm është formuluar kundër portaleve që nuk janë regjistruar në AKEP, por në servera të tjerë të ligjshëm në vende të ndryshme të botës.
PS kërkon që këto portale të mbyllen ose të regjistrohen.
Neni 10 i amendamenteve të PS thotë: “Ndalohet përdorimi i portaleve elektronike të pakontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Mediave për propagandë zgjedhore. Autoritetet shtetërore të marrin masa për mbylljen gjatë fushatës zgjedhore të portaleve elektronike të paregjistruara, të cilat përhapin propoagandë zgjedhore, zhvillojnë sondazhe pa respektuar rregullat e këtij Kodi apo kalojnë kufirin e informimit dhe konsiderohen propagandë zgjedhore”.
Propozimet kundër mediave online vijnë në një kohë kur mediat online janë kthyer në shqetësimin kryesor të kryeministrit. Për shkak se kanë mbetur thuajse të vetmet media që nuk i kontrollon dot, kryeministri i ka sulmuar disa herë publikisht.
Ato pritet të hapin debat të madh, për faktin se konsiderohen si një tjetër përpjekje e kryeministrit për të vënë nën kontroll këto media.
Edhe pse disa portale janë të regjistruara jashtë Shqipërisë, ata janë subjekt i ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare dhe shqiptare. Disa prej tyre u mbyllën me kërkesë të njerëzve pranë qeverisë, që i raportuan për shkelje të privatësisë. Kjo provon se në çdo rast, portalet janë të kontrollueshëm kur shkelin ligjet dhe se ato veprojnë në përputhje me ligjet e vendit.
Për këtë arsye, kërkesa e PS për t’i mbyllur ato gjatë fushatës zgjedhore është tërësisht e bazuar në qëllime politike. Ajo është një tentativë e pastër e kryeministrit dhe mazhorancës që ai përfaqëson për t’u mbyllur gojën mediave kritike që nuk ka arritur t’i vërë nën kontroll, me leje ndërtimi, tendera, koncesione e shpërndarje të parasë publike. Kërkesa bëhet qesharake kur vjen nga partia e një kryeministri që rri gjithë ditën në mediat sociale dhe i përdor për propagandë papushim.
Në një tjetër nen PS kërkon të mos publikohen exit poll 5 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
“Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 5 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve, përfhsirë edhe datën e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, thuhet në pikën 4 të nënit 10 të propozuar nga Partia Socialiste. Arsyet e kësaj kerkese nuk janë shpjeguar. /Lapsi.al