Home KRYESORE Refugjatët në Serbi: Të izoluar e të pashpresë!

Refugjatët në Serbi: Të izoluar e të pashpresë!

Mijëra refugjatë qëndrojnë në Ballkan të frenuar në rrugën e tyre drejt Europës. Dëshpërimi rritet dita-ditës, sidomos në Beograd. Një reportazh nga zonat e braktisura të kryeqytetit serb.

“Sa vjeç je?”, “Pesëmbëdhjetë!”. “Vetëm e ke marrë rrugën?” “Po, vetëm!” “Askush nuk kujdeset për ty?” “Jo, askush!” “Ke familje në Gjermani?” “Jo. Familja më ka dërguar këtej, ndoshta mund ta dish si është gjendja në Afganistan. Babai im nuk donte, që të bëhesha bujk si ai.”

Sohail është një djalë i ri, me sy të mëdhenj dhe mjekër adoleshenti. Ai është njëri nga mijëra refugjatët që kanë zbarkuar në Serbi. Ata u frenuan për të vazhduar itinerarin e Ballkanit, sepse erdhën vonë, kur ishin ngritur gardhet, kur u vendosën kontrollet, dhe dëbimet u kthyen në modë në Europë.

Serbia e ndjek me zell këtë politikë, e nuk ka zgjidhje tjetër: Vendet fqinje i kanë mbyllur kufijtë, Hungaria lejon rreth 20 vetë në ditë të kalojnë kufirin. Sohail nuk ka shans. Megjithëse nuk mund të thuash me siguri, sipas cilave kritere vendosin hungarezët, kush lejohet të kalojë kufirin. E sigurtë është: vetëm familjet lejohen të kalojnë.

Etapa e torturës që mban emrin “Beograd”

Adoleshenti nga Afganistani ka gjetur strehë në një magazinë të braktisur pas stacionit të trenit në Beograd, një ndërtesë që kutërbon nga urina, tymi, myku dhe djersa e shumë kilometrave të lënë pas. Plehrat sundojnë kudo, mes tyre burra që falen, të tjerë që flenë, diku më tej një zjarr për t’u ngrohur.

Etapa e torturës që mban emrin “Beograd”. Sohail thotë se nuk mund të jetojë kështu. Po pse nuk regjistrohet tek autoritetet për të kaluar në një qendër azili? 12 syresh ka në Serbi, me kapacitet për 7.000 vetë, sigurisht nuk janë hotele luksozë, por të paktën aty është ngrohtë dhe refugjatëve u jepet ushqim. Janë përhapur zëra se kampet janë tejmbushur dhe se në Preshevë për shembull refugjatët nuk mund të dalin jashtë thotë Sohail. „Kam dëgjuar që shumë refugjatë kthehen në Maqedoni, miqtë e mi e kanë pësuar kështu.”

Mrekullia ka shteruar

Radoš Đurović nga Qendra e Beogradit për Ndihmën ndaj Refugjatëve, thotë se kampi i Preshevës është një qendër e izoluar, askush nuk lejohet të dalë jashtë. „Justifikimi për këtë është përhapja e morrave dhe zgjebës. Por nuk mund t’i kufizosh dikujt lirinë e lëvizjes për kërë arsye, këtë e ndalon edhe kushtetuta serbe”, thotë Đurović në bisedë me DW.

Đurović është një nga të paktët që kritikon hapur, shumë të tjerë kanë frikë. Në fillim të nëntorit shteti u ndaloi organizatave humanitare shpërndarjen e ushqimeve në rrugë. Në rast të tillë ato rrezikojnë të mos lejohen të hyjnë në qendrat e azilit. Mrekullia serbe e vitit të kaluar, ku në parqe shihje vullnetarë që shpërndanin supë dhe byrek apo ofronin veshje për refugjatët ka shteruar. Qeveria po ndjek një politikë të ashpër, termi “refugjat” është zhdukur nga përdorimi, në vend të tij flitet për “emigrantë ekonomikë”.

Kufiri me Bullgarinë kontrollohet nga ushtria. Ata që gjejnë një hapësirë kalimi duhen dërguar në qendrat e azilit, thotë i ngarkuari serb për Rëfugjatët, Vladimir Cucić. “Refugjatët duhen larguar nga rrugët e Beogradit, ky është hapi i parë.”

Njerëz të padukshëm

Hipokrizi, kritikon Đurović. „Me deklarata të tilla po e ndryshon qëndrimin edhe opinioni publik serb.” Sipas tij një politikë e tillë e dorës së fortë ndihmon vetëm bandat e kontrabandistëve. „Ato janë bërë korporata të vërteta, edhe disa serbë e përdorin mundësinë për të bërë para shpejt. Rrjetet e kontrabandistëve nuk goditen dot kollaj.”

Sipas disa burimeve të Deutsche Welles këto rrjete veprojnë edhe në Beograd. Sipas një punonjësi të një organizate humanitare, që nuk do të përmendet me emër, dhe që rregullisht është në kontakt me refugjatët, mijëra vetë bëjnë pjesë tek “padukshmit. „

Ata ose kanë kaluar në banesa private, sepse kanë para, ose kanë gjetur një strehë falë kontrabandistëve. Duket sikur policia i toleron këto; e vërteta është disa arrijnë të dalin nga ky vend me ndihmën e kontrabandistëve.” Disa burime të thonë se rruga nga Maqedonia në Serbi kushton nga 300 deri në 500 euro. Magazina e braktisur pas stacionit të trenit është strehë për ata kontrabandistë që vetëm mund të ëndërrojnë për kontrabandistët, sepse nuk i kanë paratë për të paguar.

“Jo vetëm tranzit”

Në Ballkan po rritet dita-ditës dëshpërimi. Në javët e kaluara mediat publikuan lajmin se si dy grupe migrantësh u sulën me thika kundër njëri-tjetrit, një afgan humbi jetën. Një tjetër u vetëvra jo larg një qendre azili, pasi ishte përpjekur disa herë të hynte në ndonjë vend perëndimor. Një tjetër rrezikoi jetën hipur lart në një tren që shkonte drejt Hungarisë.

Në Bullgari dhe Maqedoni me mijëra janë në pritje të hyjnë në Serbi, në Greqi janë ngujuar rreth 60.000 vetë, më tej miliona presin në Turqi, kur Ankaraja kërcënon të hapë portat. Saša Janković, Avokati i Popullit në Serbi, thotë për DW se “Bashkimi Europian ka tradhtuar parimet e veta.” Sipas tij edhe në „Serbi duhet të kuptohet që nuk do të mbetemi vetëm një vend tranziti. Bota është në ndryshim e sipër, miliona janë në rrugë si refugjatë.”

15-vjeçari afgan, Sohail nuk interesohet për gjeopolitikën. Ai thjesht nuk mund të mësohet dot me idenë që të qëndrojë në Serbi. Synimi i tij: Të vazhdojë rrugën drej Europës. “Winter is coming”. “Dimri po vjen”, thotë ai./dita.al

Share: