Një burim parlamentar ka bërë me dije se kryeministri italian, Matteo Renzi, do ta dorëzojë dorëheqjen nga posti i shefit të qeverisë të premten, ndërsa presidenti, Sergio Mattarella, është duke u përpjekur që ta ngadalësojë ritmin e krizës politike.
Renzi njoftoi të hënën në mëngjes se do të jepte dorëheqje, pasi pësoi humbje të thellë në referendum, por Mattarella, pushtetet e të cilit përfshijnë edhe emërimin e kryeministrit dhe shpërbërjen e parlamentit, i ka kërkuar atij që të qëndrojë në postin e kryeministrit derisa të kalohet buxheti i vitit 2017-ës në një seancë parlamentare të parashikuar për t’u mbajtur ditën e sotme.
Nuk është e qartë pse është shtyrë dorëheqja e Renzit deri të premten, por Mattarella dëshiron që parlamenti të përpilojë një ligj të ri elektoral para se të mbahen zgjedhjet, raporton Reuters.
Zgjedhjet parlamentare në Itali nuk janë parashikuar para vitit 2018, por ekziston konsensusi i partive që zgjedhjet të mbahen në fillim të vitit 2017.