Home KRYESORE Sa shtiremi! Bëjmë sikur duhemi .Të lutem , hajde bëjmë sikur duhemi.

Sa shtiremi! Bëjmë sikur duhemi .Të lutem , hajde bëjmë sikur duhemi.

Nga Syrja Kurti

Bëjmë sikur duhemi .Të lutem , hajde bëjmë sikur duhemi! Hajde bëjmë “gjoja”! Në fund të fundit, duam apo jo ta pranojmë kjo botë dhe kjo jetë është e mbushur plot me “sikur”-e.

Të gjithë bëjnë “sikur”.Për shembull,ky vend bën “sikur” na do por nuk është se i bëhet vonë për ne. Nëse do ta provosh, bëj sikur ia ke nevojën këtij vendi, sikur të duhet ndihma e tij dhe do e kuptosh shumë mirë se sa vlen për këtë qytet dhe për këta njerëz.

Provoje por mos e çudit për atë që do të shohësh. Nuk e ha meraku këtë vend për jetët tona, thjesht bën “sikur” dhe ashtu e kalon radhën. Por edhe ne ama, po ashtu ia kemi khyer, bërtasim me të madhe sikur e duam,bëjmë sikur na dhimbset por ama për çdo ditë më shumë ia shtrëngojmë litarin rreth qafës,dhe më shumë ia marrim frymën.

Ia kemi prerë pemët, i kemi marrë hapësirat, I kemi zënë kolektorët, kanalet, e kemi bllokuar dhe bërë vrima-vrima me ndërtime nga më të çuditshmet, mbi tokë dhe nëntokë, por përsëri bëjmë sikur e duam.

Madje edhe banjot publike ia morëm, që njerëzit ta ndyejnë vend e pavend, por përsëri bëjmë “sikur” në dashurinë e madhe që kemi për të. Prandaj edhe ai bën sikur për ne.

“Sikur” bën dhe sekretarja në dashurinë që ka për shefin, por ama dhe shefi vetë ben “sikur” në dashurinë për eprorin e tij dhe kështu “sikur”-i shkon lart , shumë lart, dhe kështu mbeten të kënaqur të gjithë, shkallë pas shkalle.

Plot “sikur”-e janë ceremonitë dhe ditët e festave fetare dhe festave të tjera nga më të çuditshmet dhe më të rrallat që ky vend i ka me shumicë dhe i ka mbledhur si nje buqetë lulesh nga cdo cep dhe skutë e botës.

Te gjithë vrapojnë në mesha, në festa pashkësh a bajramësh, në falje namazesh a në ngrënie tasash me hashure.Të kollarisur, të ngrehur, me një shprehje shenjtori në fytyrë vrapojnë të shprehin dashurinë që kanë për perëndinë, profetët dhe shenjtorët e çdo religjioni, pavarësisht se e kanë anatemuar Atë atje lart me fjalë dhe me vepra një vit të tërë.

Dhe kujtojnë se e hodhën lumin, por edhe Ai ama , bën sikur i beson që ata kanë ndryshuar dhe që kanë hyrë në vathën e Tij.Madje Ai bën sikur nuk ka parë dhe veprat e disa klerikëve të të gjitha llojeve..,bën sikur nuk i ka parë por diku i ka shënuar. Keni vënë re që në mes të pasanikëve të rinj filantropia është shumë në modë?

Bëjnë “sikur” shumë nga ata,sepse e ndjejnë që nuk i takon e gjithë ajo pasuri dhe mundohen të lajnë mëkatet me disa pako dhe kartmonedha të dhuruara,ku si rastësisht janë thirrur sa më shumë media të të gjitha llojeve, dhe mundësisht sa më shumë të huaj, me përfaqësi nga më të ndryshmet, qofshin dhe sikur përfaqësues picash, restorantesh apo fasonesh të falimentuara.

Por dhe ata të shkretët që jeta i ka detyruar të jenë aty në mëshirën e hijenave( që sillen sikur janë dele të dhimbsura), bëjnë sikur i besojnë kur i marrin ato pako.Por sa “sikur”-e ka kjo botë!

“Sikur” bëjnë dhe disa ,( ndoshta dhe më shumë se disa) nga ata të dashuruarit e zjarrtë që shohim rrugëve, parqeve dhe lokaleve, duke u puthur, duke u përqafuar, ose duke ecur të kapur për beli.Në rastin më të mirë dashuron njeri dhe tjetri bën “sikur”, ndërsa në rastin më të keq, të dy bëjnë “sikur” dhe askush nuk e do tjetrin por janë aty se duhet të jenë për arsye nga më të ndryshmet.

Por pa problem, ata mund ta shtyjnë gjithë jetën ashtu,të bëjnë pastaj sikur kanë edhe martesë ose bashkëjetesë të lumtur.Ka shumë të tjerë që e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë. Prej vitesh e vitesh bëjnë “sikur”, pavarësisht se as me sy nuk duan ta shohin njëri- tjetrin.Ndonjëherë dikujt nga çifti i ka mbetur pak respekt për veten dhe mundohet të dalë nga loja por jo,e detyrojnë të hyjë përsëri në lojë dhe të bëjë “sikur”.

Dhe kështu me “sikur” shkon e gjithë jeta me ditë dhe vite falso.. Pra hajde bëjmë edhe ne sikur duhemi,nuk kemi çfarë të’bëjmë,Kjo botë kështu është gatuar plot me “sikur”.-e.

Në fund të fundit, të bësh sikur duhesh, nuk është dhe aq keq në krahasim me sikur-et e tjera, pavaresisht se dashuria në të gjitha llojet dhe në menyrat e saj mund të jetë edhe e gënjeshtërt..

Share: