Serbia aspiron NATON dhe BE, por qeveria e Serbisë do të përfitojë një tjetër ndihmë nga ana e Rusisë për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse, teksa Kryeministri Alexandër Vuçiç ndodhet në Moskë për të firmosur marrëveshjen e marrjes së gjashtë avionëve Mig-29.
Në bazë të komunikatës zyrtare, këto mjete ushtarake do të vijnë falas për ushtrinë serbe, e megjithatë, cështja duket se është më e ndërlikuar se kaq. Për shkak të vjetërsisë, mjetet fluturuese kanë nevojë për rinovim, i cili mund të kushtojë nga 180 deri në 230 milionë Euro.
Por pavarësisht kësaj, Kryeminsitri Vuçiç është shprehur sërish optimist për këtë akord, duke u shprehur se duhet marrë gjithashtu parasysh fakti që në rast se do të bliheshin të rinj, vlera e gjashtë avionëve Mig-29, shkon në afro 600 milionë euro.
Në ditën e parë të qëndrimit të tij në Moskë, Kryeministri i Serbisë, mbajti një takim me Ministrin e Mbrojtes së Rusisë, Sergei Shoigu, në të cilën palët konfirmuan vullnetin për të dërguar deri në fund këtë marrëveshje që po diskutohej prej kohësh.
Përveç gjashtë mjeteve fluturuese, Serbia do të përfitojë edhe një sërë mjetesh të tjera ushtarake, përfshirë 30 tanke të llojit T72S, si dhe 30 automjete ushtarake, pa asnjë kosto. Në bazë të marrëveshjes, pritet që transferimi i gjithë kësaj infrastrukture ushtarake të përfundojë brenda tre muajve.
Në mbyllje të fjalës së tij, Vuçiç theksoi se kishte mbajtur në këtë mënyrë edhe një premtim të bërë kur ishte Ministër i Mbrojtjes, ku kishte thënë se do të punonte për të sjellë të paktën katër avionë Mig-29 në Serbi.