Home KRYESORE Shërbimi pediatrik në QSUT, jashtë kontrollit. Mjekët: Mund të na ndodhë ndonjë...

Shërbimi pediatrik në QSUT, jashtë kontrollit. Mjekët: Mund të na ndodhë ndonjë skandal me fëmijët

Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+”

Asnjë recepsionist apo roje në derën e Urgjencës së Pediatrisë në QSUT e megjithatë ky shërbim po përballet me një numër shumë të lartë pacientësh. Mjekët e urgjencës pohojnë për “Shëndet+” se vetëm ditën e djeshme (e diel) janë paraqitur për të marrë shërbim rreth 400 fëmijë. Situata është e njëjtë edhe në ditët e tjera, veçanërisht gjatë kësaj periudhe ku është edhe piku i virozave. Kjo mbingarkesë, veç të tjerash, urgjencës i vjen edhe për shkak se prindërit preferojnë t’i sjellin fëmijët e sëmurë drejt e në urgjencën e pediatrisë edhe për komplikacionet më të lehta, pavarësisht se trajtimi dhe vizitat mund të merren fare mirë pranë mjekut të familjes.

Një gjë e tillë vërtetohet edhe nga burime pranë Poliklinikës së Specialiteteve numër 3 në Tiranë, që ka në organikën e saj edhe mjek infeksionist pediatër. Rezulton se numri i pacientëve që paraqiten në këtë shërbim, është i paktë.

Njerëzit anashkalojnë mjekun e familjes. Për çdo gjë shkojnë drejt e në urgjencë!

“Pediatër të përgjithshëm kanë të gjitha Qendrat Shëndetësore. Pacientët kur shkojnë të mjeku pediatër në Qendër Shëndetësore, marrin rekomandim për te ne (pra te mjeku specialist), pastaj nëse ne e vlerësojmë se gjendja e fëmijës është e rëndë, e çojmë në QSUT. Në të kundërt e mjekojmë këtu. Problemi është se për një temperaturë pacienti nuk ka pse shkon direkt në urgjencën e QSUT-së. Në urgjencë shkohet kur fëmijët kanë nevojë për serum, që nuk ia bëjmë dot këtu.

Megjithatë, prindërit i bien shkurt. Si rezultat, ndërkohë që mjekët e QSUT-së nuk kanë kohë të marrin frymë, mesatarja e vizitave në poliklinikën e specialiteteve nr.3 është vetëm 9 vizita në ditë”, shprehen burimet nga kjo qendër specialitetesh.

Petrit Çaça: 400 vizita në ditë, jemi të lodhur!

Petrit Çaça, shef i shërbimit të urgjencës së Pediatrisë në QSUT, shprehet se prindërit janë të painformuar. Sipas mjekëve, prindërit vijnë në urgjencë për çdo problem të fëmijës, duke anashkaluar mjekun e familjes apo specialistin. Kjo shkakton rritje artificiale të fluksit të punës për mjekët. “Sepse, nëse pacienti vjen dhe kërkon shërbim në urgjencë, ne nuk ia mohojmë këtë të drejtë. Por kjo çon në mbingarkesë dhe pamundësi për t’u shërbyer në kohë edhe atyre që kanë vërtet nevojë”, thotë Çaça.

“Unë e kam diskutuar këtë çështje shpeshherë, e kam ngritur edhe në konferenca. Pacienti niset nga Bathorja dhe do të vijë në spital, në Tiranë. Vjen dhe thotë jam urgjencë. Para disa ditësh madje, njëri hyri dhe ia futi derës me grusht. Vetëm dje kemi pasur 400 pacientë. Si t’i përballojmë? Me gjithë këtë numër pacientësh, është e pamundur t’u japësh shërbim të gjithëve njëherësh. Është një lodhje e papërballueshme”, shprehet Çaça për gazetën “Shëndet+”.

Eli Foto: Të hapet shërbimi 24 orë i ambulatorit të Tiranës

Eli Foto, shefe e shërbimit të pediatrisë infektive në QSUT, shprehet se zgjidhja është në dorë të Ministrisë.

“Duhet të hapet shërbimi 24 orë i ambulatorit të Tiranës. Ambulanca qendrore të ketë 24 orë shërbim. Pikat kryesore duhet të jenë të hapura. Pra, Bathorja, Kamza, lagjet e Tiranës të kenë shërbim pediatrik 24 orë. Kur vjen fëmija me 40 temperaturë, çfarë do të bëjmë ne? Sigurisht që do ta vizitojmë. Duhet të vendoset shërbimi 24 orë në pikat kryesore të Tiranës. Është një fluks jashtë kapacitetit tonë, pasi të gjithë i sjellin fëmijët këtu, askush s’i çon në qendër shëndetësore as ditën, as natën. Me këtë fluks, sikur të ndodhë ndonjë skandal me fëmijët për shkak të mospërballimit të fluksit, ç’të bëjmë ne? Këtu edhe pavioni është bërë njësoj si urgjenca, me një mbingarkesë tepër të madhe”, shprehet Foto për gazetën “Shëndet Plus”.

Urgjenca pediatrike, çdo ditë mbi 300 fëmijë

Sipas autoriteteve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë, urgjenca pediatrike  është një strukturë filtër që i shërben gjithë shërbimeve të Pediatrisë. Ajo përbëhet nga dy dhomat e vizitës ku çdo ditë paraqiten mesatarisht 300-330 fëmijë (në 1 muaj rreth 8500-9000 fëmijë), si dhe dhomat e spitalit ditor, ku fëmijët vëzhgohen gjatë 24-orëshit dhe më pas, në varësi të gjendjes, shtrohen ose kthehen në shtëpi me mjekimin përkatës. Rreth 34% e pacientëve paraqesin gastroenterite të dehidrimeve të mesme e të rënda, 32% bronkopneumoni e bronkiolite, të tjera gjendje febrile dhe intoksikacione./shendeti.com.al

Share: