Nga Erion Kristo
1. Para pak ditësh një grup organizatash të shoqërisë civile u mblodhën dhe dolën para kamerave për t’i përcjellë një mesazh Gjykatës Kushtetuese që ajo të mos vonohet me Vettingun, se na vonohet integrimi. Ndoshta për fajin tim, nuk i njihja ata persona.
Sepse ka dy shoqëri civile: një që jeton në projekte dhe një që jeton në kauza. S`dua të paragjykoj askënd, po nuk e di nëse ata kishin tagër t’i kërkonin Gjykatës Kushtetuese të shpejtonte procedurat. Më tepër mua mu duk si presion politik i veshur në mënyre civile.
Do tu besoja nëse ata do të kishin protestuar kundër PS katër vite me parë, për bllokim të procesit të integrimit. Po jam i gatshëm të tërhiqem nga kjo ide nëse do të kem evidenca të tjera.
2. Para pak ditësh Ambasadorja e BE doli dhe tha se BE do të mbështesë shoqërinë civile në Shqipëri. Se shoqëria civile është e rëndësishme.
Tani pyetja ime është shumë e thjeshtë: kë shoqëri civile do mbështesë madama? Këta të projekteve apo ata të kauzave? Këta që u grinë duke marrë lekë nëpër institucione, që janë thjesht të punësuar të politikës? Apo dikë që është përpjekur të jetë i pavarur? Për mendimin tim, BE nuk e ka seriozisht.
Gjatë gjithë këtyre viteve vetëm disa njerëz kanë marrë para nga BE. Ata nuk kanë qullosur gjë. Po jam i gatshëm të tërhiqem nga kjo ide. nëse do të kem evidenca të tjera.
3. Para pak ditësh dhashë dorëheqjen time publikisht nga shoqëria civile, më tepër nga organizimi i protestave apo kauzave që kam menduar se janë të drejta, qytetare, jopartiake, etj. Këtë e bëra sepse e kuptoj se nuk gjej mbështetje as nga kombëtarët as nga ndërkombëtarët.
Me një llaf, rrah ujë në havan. Lekët e dinë se ku shkojnë, po asnjëherë atje ku duhet. Edhe mbështetja bashkë me to. Nuk doja të riktheja këtë gjest në vëmendje, sepse në të vërtetë ishte një tallje e madhe e menderes, duke luajtur me përgjegjësitë që unë në fakt nuk i mbart.
Ajo që dua të them është kjo: nuk ka rëndësi nëse unë bëhem qesharak apo jo në sytë e njerëzve; nëse unë dështoj apo jo; nëse unë përfitoj apo jo. Ajo që ka rëndësi është se ustallarët morën edhe një konfirmim tjetër të faktit që ne skemi asnjë dëshirë për të ndryshuar jetën tonë.
Ndaj ata do të vazhdojnë të na shkelin me këmbë. Kur nuk erdhet në protestë, ua konfirmuat këtë. Megjithatë, jam i gatshëm të tërhiqem nga kjo ide nëse do të kem evidenca të tjera.