Nga Spartak Koka
Në fundjavë Policia e Tiranës në një komunikatë të shpërndarë për mediat deklaronte plot pompozitet se kishte arritur të finalizonte një super operacion “Chaos Party” ku kishte arrestuar 11 menaxherë lokalesh, punonjës apo dhe përdorues.
Të arrestuarit i akuzonte për krijim të kushteve të nevojshme për klientët e tyre që të konsumonin drogë e cila po sipas policisë shpërndahej nga stafi ose nga shpërndarës që hiqeshin klientë. Në të njëjtën komunikatë deklarohej se ishin kapur vetëm 5 gram kokainë dhe 3 gram marijuanë.
Por Prokuroria urdhëroi lirimin e 11 personave pasi arrestimi për 4 menaxherë lokalesh, është cilësuar i paligjshëm. Kjo për shkak se nuk provohej se kishin lidhje me shitje të drogës që në ambientet e këtyre lokaleve. Ndërsa për 7 personat e tjerë punonjës dhe klientë të këtyre lokale është caktuar masa detyrim paraqitje.
Operacioni i fundjavës së Policisë së Tiranës është nga rastet e paprecedenta, ku të gjitha arrestimet vlerësohen të paligjshme dhe asnjë prej të arrestuarve nuk iu provohet në fazën paraprake vepra penale.
Strategjia që ndoqi policia për të bërë kontrolle dhe arrestime masive pa prova, pa konsultim me prokurorin, thjesht e vetëm për të krijuar një show , në rradhë të parë është fyese për integritetin e uniformës policore dhe në rradhë të dytë cënon dinjitetin e personave të cilëve ju publikuan gjeneralitet e plota a thua se ata ishin “killerat” që kishin kryer një veprim terrorist në kryeqytet.
Por pse erdhi ky operacion i organizuar në mënyrën më të paorganizuar?
E thjeshte, për të ulur ngarkesën negative që kishte marrë drejtori i Policisë së Tiranës Ervin Hodaj i cili i ftuar në emisionin ”Opinion” të datës 30 Nëntor u kritikua për dështimin e punës parandaluese për goditjen e tregtimit të drogës në lokalet e natës për vitin 2016, çka ka sjellë dyfishim të numrit të përdoruesve të kokainës në kryeqytet, fakt ky i pohuar nga mjekët e repartit të toksikologjisë në QSUT.
Policia e Tiranës u kujtua për këto “super operacione” vetëm pasi titullari i saj u gjend nën presionin dhe kritikën e mësuesve, gjimnazistëve, artistëve, mjekëve dhe gazetarëve për punën e dobët që kishte bërë në parandalimin e tregtimit të drogës në lokalet e kryeqytetit i kthyer në fenomen dhe rrezik serioz për të rinjtë gjatë këtij viti.
Unë kam qenë një nga gazetarët që kam përgëzuar punën që seksioni i antidrogës bëri në vitin 2015 për goditjen dhe arrestimin e dokumentuar dhe të provuar të grupeve të ndryshme kriminale që shpërndanin drogë në tiranë .
Pasi ishte diçka që vërtet i duhej qytetin tonë të përbashkët pas shumë ngjarjesh të bujshme në ambjentet e këtyre lokaleve me autorë persona që konsumonin lëndë narkotike.
U nis me kontrollin e mirëorganizuar të lokaleve të quajtura “tallava” me plan masash dhe grup pune, në përputhje të standarteve të bazuar në kodin e procedurës penale. Kujtoj se në atë periudhë, disa grupe që ishin kthyer në një rrezik shoqëror për të rinjtë e shkollave 9- vjeçare dhe gjimnazet e Tiranës u shpërbëne për shkak se u hetuan cilësisht dhe vijojnë të jenë akoma në burg pas dënimeve të dhëna nga gjykata.
Kontrollet e vazhdueshme, të përjavshme, në respekt të plotë të privatësisë dhe me informacion të saktë policor (mos të shkohet kuturu duke terrorizuar klientët e atyre lokaleve që ofrojnë jetë nate pa drogë), me plan masash, si dhe nën udhëheqjen e prokurorisë i shërbejnë të mirës publike dhe rrisin standardet e rendit dhe sigurisë në komunitet.
Por jam kundër çdo fushate që ndërmerret ndaj biznesit të ligjshëm dhe që ka synim efektin shok dhe kaotik afatshkurtër për show duke cënuar dinjitetin e të rinjve, pronarëve apo menaxherëve të këtyre lokaleve.
Jam kundër gjithashtu çdo operacioni që nuk ka si qëllim zgjidhjen reale të fenomenit por për të krijuar “Show Party” mediatik.
Operacioni policor i fundjavës “Chaos”, i ndërmarrë më shumë si një fasadë, se sa një nisëm reale për të kontrolluar lokalet e natës, shkaktoi kaos dhe cënim të dinjitetit të personave të arrestuar .
Premtimi gazetarit Blendi Fevziu se stafi i emisionit “Opinion” po përgatiste një investigim për mënyrën se si shitej drogë në lokalet e natës, frikësuoi dhe vuri në siklet dhe në një veprim kaotik dhe aspak profesional drejtorin e policisë Ervin Hodaj.
Ju lutem, pas këtij dështimi mos u justifikoni me shprehjen “që ne i arrestuam po i liroi prokurori dhe gjykata”.
Në rastin në fjalë, duke u bazuar në legjislacionin penal në fuqi oficerët e policisë gjyqësore dhe drejtuesit e Policisë së Tiranës që kanë kryer veprime të paligjshme (sipas Prokurorisë) kanë konsumuar tre kundravajtje dhe vepra penale: shpërdorim detyre, heqja e paligjshme e lirisë dhe kryerja e veprimeve arbitrare.
Pse nuk vepron Prokuroria, që të marrë masa administrative apo t’i kaloje për veprime SHÇBA-së ( Shërbimi I Kontrollit të Brendshëm dhe Ankesave) nisjen e hetimit penal për konsumim të veprave penale të sipërcituara.
Zoti Drejtor i Pergjithshem i Policisë së Shtetit!
Kush do të mbajë përgjegjësi për këto arrestime të paligjshme që dëmtuan seriozitetin e uniformës blu dhe që cënuan personalitetin dhe dinjitetin e 11 shtetasve ?
Kush mban përgjegjësi në këtë polici për punë të dobët dhe kaotike me arrestime të paligjshme?
Zoti drejtor për çfarë paguhen të gjithë ato struktura qe keni në varesi për të krijuar kaos, show apo të kryejnë punën e tyre?
Në këtë operacion plot pikëpyetje dhe që ka nevojë për një analizë më të plotë se si u nis dhe pse dështoi, gjykoj se më e pakta Drejtori i Policisë së Qarkut Ervin Hodaj duhet moralisht të japë dorëheqjen.