Këngëtarja Eneda Tarifa është ankuar se shërbimi i ambulancës është vonuar për një rast urgjence, ku ajo ka qenë e pranishme vetë.
Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, ku Tarifa shkruante në një status në ‘Facebook’ duke u shprehur se edhe pse e kishte marrë ambulancën tre herë në telefon për një person me epilepsi, asnjë nuk e ka vënë ujin në zjarr.
“Ky është kulmi ! O njerëz, si ka mundesi te marresh urgjencen tre here dhe ata te mos e vene ujte ne zjarr !? Nuk ma rrok truri, nje qytet me gati 1 miljon banore, te mos vere ne gadishmeri (ne fundjave te pakten ) me shume se dy apo tre ambulanca ? Ketu nuk pi uje as emri as njohja asgje. Eshte thjesht nje deshtim. Ketu njeriut i bie epilepsia dhe ambulanca vjen mbas 40 minutash ? SOS. Ca i vrasin, ca i lene te vdesin.”, – reagoi Tarifa në ‘Facebook’.
Por duket se ketë pretendim e hedh poshtë Ministria e Shëndetësisë, pasi sipas tyre ambulanca ka shkuar në destinacion për vetëm katër minuta.
Për të vërtetuar këtë gjë, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të ‘Gazetës Express’ videon e regjistrimit elektronik të shërbimit të urgjencës nëpërmjet sistemit GPS të aktivitetit të lëvizjes në terren të autoambulancës “TR 9921 K Urgjenca e Tiranës”.
Pas interesimit të Gazeta Express, mësohet se thirrja për t’i ardhur në ndihmë personit në nevojë është marrë nga centrali i shërbimit të urgjencës mjekësore në orën 06:10 dhe autoambulanca ka mbërritur në vendngjarje për t’i ardhur në ndihmë qytetarit në fjalë në 06:14.
Po ashtu, pas lajmit të rastit në fjalë, Tarifa ka reaguar edhe ndaj mediave duke ironizuar me fjalët “Dhe ja ku shpërthejnë portalet me tituj nga me te temerrshmit, duke politizuar gjithçka. O pike e zeze…”/lapsi.al