Krijimi i qeverisë së ardhshme maqedonase, përbën një interes të veçantë për Tiranën zyrtare. Fati i qeverise së Shkupit, varet ekskluzivisht nga qëndrimi që do të mbajnë partitë politike shqiptare atje.
Qeveria shqiptare ka përgatitur një dokument këshillues për të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni, ku përcjell qëndrimin e saj rreth qëndrimit të faktorit shqiptar në vendin fqinj. Vizion Plus ka mësuar se kryeministri Edi Rama, do t’ia përcjellë këtë letër, në takimet që do të ketë ditën e enjte me drejtues dhe përfaqësues të subjekteve politike shqiptare. Interesi më i madh i Tiranës zyrtare është ai për të pasur një përfaqësim sa më të plotë në qeverinë e ardhshme të Shkupit, me qëllim, ushtrimin e presionit pozitiv për të mbrojtur interesat e popullsisë shqiptare në Maqedoni.
Këtij dokumenti i ka paraprirë një takim që kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar me kreun e BDI-së Ali Ahmeti në Tiranë, pak kohë më parë. Në qendër te takimit, ka qenë rezultati i zgjedhjeve në Maqedoni dhe theksi është vendosur tek fakti që shqiptaret kanë rol përcaktues në kabinetin e ri qeverisës.
Pas rezultatit zyrtar të shpallur nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, rezultoi se VMRO-DPMNE, partia e e drejtuar nga ish kryeministri Nikola Gruevski, mori 51 deputetë, LSDM e opozitarit Zoran Zaev 49 deputetë, ndërkohë që partitë shqiptare: BDI me 10 deputetë, Lëvizja Besa 5 deputetë, Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë e PDSH vetëm 2 deputetë. Ajo që ra më shumë në sy nga votimi i 11 dhjetorit, ishte fakti se shqiptarët në masë votuan për partinë maqedonase LSDM, tregues i një revolte ndaj partive politike shqiptare, të cilat për elektoratin e tyre nuk ka përmbushur pritshmërinë në mbrojtje të interesave.
Në një intervistë të pak kohëve më parë, deputeti shqiptar i zgjedhur nga listat e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Muhamed Zekiri, ka theksuar se partisë së Nikolla Gruevskit, nuk i duhet dhënë asnjë shans për të qeverisur Maqedoninë, kjo për shkak të persekutimit që regjimi i VMRO-DPMNE i ka bërë shqiptarëve. Ai theksoi se zgjidhja për të refuzuar njëherë e mirë regjimin e Gruevskit është një qeveri e krijuar nga LSDM, ku pjesë do të jenë edhe partitë shqiptare./vizion plus