Nga Vincent W.J. van Gerven Oei-Exit.al
Gjatë dy javëve të fundit, pas miratimit të Masterplanit Tirana 2030 nga Bashkia Tiranë, arkitekti dhe politikani Stefano Boeri ka filluar një fushatë të vërtet promovuese në shtypin italian. Media italiane si Corriere della Sera, La Stampa, Huffington Post Italy dhe e-flux architecture të gjitha shkruajnë se si ish-këshilltari bashkiak për kulturën në Bashkinë e Milanos ka rijetësuar ndikimin “italian” në peisazhin urban të Tiranës, gati një shekull pasi pushtimi fashist italian vendosi të heqë ndikimin otoman të qytetit dhe të vendosë një aks të bazuar në simbolet e fashizmit.
Për shembull, artikulli në e-flux architecture (publikim me pagesë) hapet me fjalët “Gati një shekull më pas, italianët projektojnë sërish Tiranën”. Corriere della Sera shkruan, “Në fund, asgjë nuk është rastësore. Riorganizimi urban i Tiranës përfundon në duart e një italiani”. Boeri, qartazi, merr meritat e paraardhësve të tij fashistë. Kjo nuk është e huaj për të: gjyshi i tij ka qënë deputet i Partisë Nacionaliste Fashiste.
Le të shohim se çfarë Boeri po shet në gazetat e vendit të tij.
Pylli Orbital
Një nga punët më të njohura të masterplanit Boeri është i ashtuquajturi “Pylli orbital”, një rrip prej dy milionë pemësh rreth qytetit, i cili do të formojë një barrierë natyrale për të ndaluar përhapjen e qytetit. Në e-flux, ai tashmë e ka fryrë numrin në “3 milionë pemë të reja”. Ky është një nga 13 “projektet strategjike” të masteplanit të parashikuara për t’u zbatuar deri më vitin 2030.
Sigurisht, zbatimi i këtij plani ambicioz është i kushtueshëm. Ndaj edhe realizimi i masterplanit mbështetet shprehimisht në “komunikimin e afërt ndërmjet sektorit publik dhe sektorit privat”. Për ato të cilët ende nuk i njohin kodet e politikës: kjo do të thotë Partneritet Publik-Privat dhe koncesione. Por, çfarë do të thotë kjo? Mos ndoshta qytetarët e Tiranës duhet të paguajnë tarifë për hyrjen në këtë pyll? Apo, ndoshta ai do të jepet me qira pasi të hapet?
Por, duke parë planin e këtij “projekti strategjik”, ne menjëherë shohim se deri më 2021, bashkia do të shpenzojë kohën me “fillimin”.
Vetëm në vitin 2021, pylli do të “zhvillohet”. Kjo reflektohet edhe në buxhet: deri në vitin 2020 asnjë fond nuk është parashikuar për “pyllin orbital”. Dhe me të gjitha punët e mëdha infrastrukturore në të shkuarën, qeveria planifikon të nisë zbatimin e tij për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021. Projektet e tjera ndjekin të njëjtën logjikë: unaza e katërt, ruajtja e arkitekturës së shekullt të XX, dhe punimet në tranzitin midis aeroportit Nënë Tereza dhe qendrës do të fillojnë në vitin 2019, kur Veliaj të jetë duke kandiduar për herë të dytë.
Bulevardi i ri dhe Parku/Sheshi i Botës
Zgjatimi i bulevardit kryesor të qytetit dhe zhvillimi i të ashtuquajturit “Parku i Botës” (në shkrimin e e-flux ai quhet “Sheshi i Botës”) në të cilin do të zhvendosen të gjitha godinat e përfaqësive të huaja është një tjetër “projekt strategjik”. Sipas afateve të projektit, ai duhet të filloi këtë vit (Edi Rama dhe Erion Veliaj e kanë vendosur gurin e parë). Buxheti i planifikuar për të shënohet thjeshtë me “XXX”. Me fjalë të tjera, asnjë nuk e di se sa shumë do të kushtojë ky projekt.
Sidoqoftë, mungesa e transparencës për kostot e kësaj ndërhyrje prestigjoze urbane të cilën batakçiu Boeri e shet si “vizionare”, janë bërë tjetër kund dhe ato vetëm shënohen nën titullin “PPP” — zgjidhja magjike e qeverisë për problemet buxhetore.
Në një pjesë tjetër të raportit, një figurë shërben për të treguar kostot e bulevardit të ri. Nga viti 2016 deri më vitin 2020, bashkia planifikon të shpenzojë 108,5 milionë (hamendësojmë) lekë për Bulevardin. 7,5 bilionë lekë pritet të investohen nga “burime të tjera të ardhurash, si PPP”.
Me fjalë të tjera, Bashkia Tiranë planifikon të mbulojë 1.4 për qind të shpenzimeve të përgjithshme të bulevardit të ri dhe “Parku i Botës” gjatë katërvjeçarit tjetër, duke shpresuar se 98.6 për qind do të kryhet nga investitorët privatë.
“Projekte të tjera strategjike” të cilat bazohen fort në PPP janë zhvillimi i Kinostudios (76 për qind investime PPP) dhe Kombinatit (81.3 për qind investim PPP). Ndërkohë, bashkia nuk bazohet fare në të ardhurat nga burimet e saj.
Shkurt, Boeri ka filluar fushatën e tij në Itali të bazuar në projekte të cilat ende nuk janë financuar, ose të cilat janë planifikuar për të filluar vetëm pas disa vitesh. Nëse shohim se në atë çfarë qytetarët e Tiranës do të preken direkt nga masterplani, do të jetë shkollat e reja publike-private të premtuara nga Kryebashkiaku Veliaj vitin e shkuar, disa rrugë të reja nëpër lagje të ndryshme, dhe stimujve të paqarta ndaj “ekonomisë krijuese”. Ndaj ndoshta do të shohim pak më shumë piktura “të këndshme” në kabinat elektrike. Asnjë nga këto nuk ka lidhje me vizionin “madhështor” të shfaqur nga vizionari Boeri — dhe asgjë “strategjike” në plan nuk lidhet me jetën e zakonshme të qytetarëve të Tiranës.
Me një arrogancë të cilën Boeri e ka të përbashkët me klientët e tij, ai iu drejtua bashkëatdhetarëve të tij italianë “Shqipëria është përpara nesh. Ne duhet të mësojmë”. Për ato fqinj të cilët u skandalizuan nga këto fjalë mund t’i them vetëm se tani ju mund ta kuptoni atë që ne vuajmë çdo ditë.
/Nga Vincent W.J. van Gerven Oei-Exit.al