Home KRYESORE Armir Shkurti i përgjigjet mesazhit të ministrit Beqaj

Armir Shkurti i përgjigjet mesazhit të ministrit Beqaj

I nderuar zoti Ministër Ilir Beqaj. Dje në telefonin tim mbërriti ky mesazhi juaj. Në fakt pacienti që ka vizituar QSUT në atë periudhë është im atë. Jo vetëm për shkak se sms mbërriti në numrin tim, por edhe për arsye të pamundësisë fizike të tim eti për të kthyer përgjigje, po jua jap unë informacionin që na kërkoni. Por publikisht.

Babai në fakt pati fatin jo të mirë që ato mjedise spitalore t’i vizitojë më 20 nëntor, jo 21. Së pari tek urgjenca. Shërbimi ishte shumë i mirë. Na dhanë një krevat e na lanë në korridor, për shkak se atë ditë kishte fluks të madh. Në pritje të mjekut specialist pacienti pati nevoja fiziologjike. Me shumë dashamirësi, një nga punonjësit e QSUT preu me biçak një bidon plastik uji të pijshëm dhe kështu e zgjidhëm. Për fat bëhej fjalë vetëm për të hollin…

…Pas 3 orësh në korridoret e urgjencës na çuan në një nga pavionet e Spitalit 5. Nuk i besova syve! A spital a hotel luksi ishte? Korridoret e lyer, pllaka të reja të shtrenjta, ndriçim i përsosur. Të të bjerë buka në tokë , merre e haje pa merak se është akull e pastër dyshemeja. Teksa shtyja krevatin e tim eti, më bëri përshtypje tek dera e çdo dhome sistemi i alarmit kundër zjarrit. Ndoshta dhomat kishin vatra me oxhak e me dru? Jo në fakt. Në dhoma nuk kishite asnjë burim zjarri dhe asnjë preçedent zjarri, Meqë na begenisni me sms, po ju sugjeroj që lekët e gjithë këtij sistemi alarmi kundë zjarrit do të qe më efiçente t’i përdorni për sistem sinjalizimi tek koka e pacientit. Më besoni, do shpëtonte shumë më tepër jetë një sistem i tillë ku pacienti në hall me një buton lajmëron personelin. Statistikisht, vdesin në atë spital shumë e shumë më tepër njerëz nga mungesa e këtij sistemi sesa nga mungesa e atij kundër një zjarri që s’ka rënë kurrë e që vështirë të ketë shans të bjerë.

Si familjar i një pacienti do t’ju lutesha të vendosni karrige më të bollshme e më të buta nëpër dhoma. Ne që kemi fjetur netë me rradhë në to ende ndjejmë dhimbje shpine, brinjësh, qafe, kërrbishtash e kryqesh. Me të drejtë shkëlqesia juaj do të më pyesë se “ç’dreqin do ti në dhomën e pacientit e për më tepër kush të ka lënë të flesh aty”. Në fakt në çdo hyrje pavioni shkruhet se ndalohet rreptësisht qëndrimi i familjarëve aty. Por ju betohem se, nëse nuk qëndron të paktën një familjar për pacient tek koka e krevatit, të paktën një xhenaze në turn e nxirrni pa frikë. Familjarët bëhen infermierë, mjekë, fizioterapistë, kuzhinierë, sanitarë, hamej, psikologë, dietologë, korierë….

Në një turn, për 24 pacientë, shërbente vetëm një infermier. Të mirë e të përkushtuar ishin të gjithë, na vret Zoti t’i shajmë. Por punonin në kushtet e urgjencës; shkonin tek ai që ishte për jetë a vdekje. E ndërsa merrej çdo rradhë me atë që qe më rëndë, tek dera presin të paktën 4-5 familjarë të tjerë që thërrasin për ndihmë se dikujt i ka mbaruar serumi, tjetri po përpëlitet, i treti ka humbu ndjenjat… Për rrjedhim, shumë nga shërbimet infermierike i kemi bërë vetë; heqjen e serumit, dhënien e ilaçeve, matjen e temperaturës, pulsit, për të mos thënë ndërrimin e pelenave e larjen e pjesëve intime të trupit, ndërrimin e çarçafëve, ushqimin, transportin. Ne besoj mbaruam punë, por meqë na pyesni me sms, ju lutem lejoni familjarët në pavion dhe u siguroni kushte më të mira fjetje, për të mirën e pacientit.

Ushqimi? Fantastik! E them me provë, pasi përgjithësisht e kam ngrënë vetë. Atë ushqim që sillte spitali babait ia kishte ndaluar mjeku. Më datë 21 , siç ta shënon sistemi që është shtruar pacienti, na erdhi për drekë tasqebab dhe pilaf. Meqë kisha 24 orë aty pa lëvizur dhe të sëmurit i dhamë lëngje të shtrydhur fruti, siç na porositi mjeku. Zero kripë, zero sheqer, zero yndyrë. Kështuqë, për të mos shkuar dëm e për shkak të urisë nga stresi e qëndrimi aty, i hëngra vet. Më beso, i nderuar ministër, nga data 21 që i hëngra, në datë 24 me shumë mundim i…e kupton vetë. Shyqyr që nuk ia dhashë babait , se do të më qe bukosur fare. E di që ushqimin e ka marrë me konçension një kompani. E di edhe kush është drejtuesi i asaj kompanie. Por i thoni t’i mbajë lekët por të gatuajë më shëndetshëm.

Dhe mbi të gjitha, në menu të fusë edhe një shishe ujë!

Po i nderuar ministër! Kur babanë ma dërguan në reanimacion, për shkak të një komplikacioni, më ndaluan tek dera dhe më kërkuan dy gjëra; pelena dhe ..një shishe ujë për të pirë! Mirë në pavion, por as në reanimacion nuk ka ujë për të pirë?

Lekë? Më vret Zoti të them se më kërkuan një qindarkë të vetme. Por nga lekët më rropën! Atë Propafenon STADA, që ti e njeh mirë si problem, e kam gjetur me qiri e me miq. Natyrisht jashtë spitalit. Kam blerë – siç të thashë – pelena, qeska për të urinuar, ujë për të pirë, gjithë ushqimet e pacientit, kam blerë termometër, paracetamol dhe gjithçka tjetër. Infermieri vinte sa herë e thërrisja, m’i bënte gati ilaçet që i kisha blerë unë dhe më porosiste kur t’ia jepja babit. Më ka porositur edhe nja dy herë se ku të çoj analizat e gjakut dhe jashtëqitjes së pacientit. Më udhëzoi herën e parë në fakt , se ishte e vështirë nga Spitali 5 tek Urgjenca e gjashtëkatëshit, por pastaj e bëra rrugë e shkoja vetë.

Nuk po e zgjas, për të mos JU marrë nga koha Juaj e vlefshme, por po e mbyll me vlerësimin maksimal; muret, fasadën dhe shërbimin e personelit e keni të shkëlqyer. Vetëm, amanet , mos i trazoni familjarët e pacientëve. Ata janë në thelb mjekësia falas./parrena/

Share: