Home KRYESORE Bujar Lako, “Distanca që na bashkoi”…

Bujar Lako, “Distanca që na bashkoi”…

Nga Kastriot Kotoni

Dikur në kryeqytetin tonë, Tiranë, emrat e rrugicave ose pallateve simbolizonin emrat e njerëzve të shquar të sportit dhe artit e jo rrallë herë nguliteshin në memorjen e njerëzve emrat e zonave si “Kinostudio” apo “Kombinati”, “Lapraka” e “Uzina Tirana” dhe “Tifozat e Partizanit”, si dhe “21 Dhjetori” e “Zogu i Zi”, “Tirana e Re” apo “Pazari i ri” dhe “Shallvaret” apo zona e “Varrit të Bamit” ose “Lagjia e Dibranëve” me tifozat e shumtë të Tiranës.

U përvijuan me rritjen e qytetit edhe pallati i sportistave dhe pallati i artistave. Pallate si tek ish-pastiçeri “Flora” apo tek kinema “Partizani”, u quajtën pallati i artistave andej nga vitet 1970. Krijohej kështu një zonë e banuar me njerëz të shquar të artit, të cilët ishin elita e kryeqytetit. Më në qendër të Tiranës u krijuan lagjet e reja tek rruga “Myslym Shyri” qysh nga fillm-vitet ‘64 e në vazhdim deri në ditët e sotme.

Mes një përzierje të lagjeve të vjetra me ato të rejat, do të riemëroheshin me emra të tjerë shumë rrugica e pallate. Kështu fillon kinema “Dajti” dhe kinoteatri “Rinia”, po ashtu shkolla “Kristoforidhi” me tregun “Çam” dhe pallati i “Kinostudios” dhe pallati i aktorëve dhe artistëve dhe tek ish “Ekspozita Kineze”. Pra u krijua një minilagje me njerëz të artit.

Ata banorë që e kishin privilegjin për t’i patur kaq pranë këta mite të artit shqiptar ishin padyshim edhe spektatorët e parë dhe artëdashësit më të hollë për nga shijet artistike, falë faktit se ishin edhe miqtë më të afërt të fëmijëve dhe familjarëve të artistëve. Bujar Lako, aktori i cili u nda nga jeta para disa ditësh, ishte dhe një nga fatet tona si banorë të kësaj lagjeje tek rruga tashmë më e njohur në Shqipëri siç është rruga “Myslym Shyri”.

Ai do t’i mungojë shumë syrit dhe memorjes së këtyre banorëve dhe jo vetëm familjes dhe njerëzve të tij të zemrës. Bujari artist dhe Bujari bashkëqytetari dhe bashkëkohësi ynë, ishin dy ndarje të natyrshme mes nesh dhe atij. “Distanca pozitive” që na bashkonte do të thoja, sepse Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe njerëzit e saj të shquar dolën nga një sistem diktatorial komunist, jo vetëm më të varfër, por edhe më pak të përkrahurit në sistemin e ri demokratik.

Kultura e një hierarkie të vlerave ende është shumë larg në Shqipëri e shumë njerëz ia vënë fajin politikës e shumë të tjerë ligjeve të së drejtës së autorit të cilët nuk u aprovuan në të mirë të artistëve e në mbrojtje të artit shqiptar. Liria si koncept demokratik ishte dhe është ende larg në artin tonë e të rendur pas shfaqeve komerciale shumë artistë shqiptar u dhanë pas tyre edhe për arësye mbijetese. Bujar Lako nuk e dorëzoi veten pas këtij fenomeni dhe ishte shumë dinjitoz deri ditën e fundit të jetës.

Më se njeherë kur e kam pyetur për ndonjë rol të ri në film apo teatër Bujari tundte kokën në mënyrë mohuese e sikur donte të thoshte: “- Po ku janë ata regjizorë apo produncentë?”

Ai ishte një artist autentik në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, kishte një liri të vetëpërcaktuar që krijonte më tej origjinalitetin e tij si artist, por edhe si person publik(Liria e vetpërcaktuar, sipas Rusoit, është nocioni i asaj që unë jam i lirë, kur e vendos vetë ç’më përket dhe jo kur marr formë nga ndikime të jashtme).

Kam pasur fatin që ta njoh nga larg aktorin Bujar Lako nga tregime të miqve të tij të ngushtë si të ndjerët Kadri Roshi, Llazi Serbo, Fatos Sela…dhe të gjallët Ndriçim Xhepa dhe Timo Flloko, Guljem Radoja, tek të cilët ai ndjehej mirë shpirtërisht. Humbja e vëllait të tij Adhurim Lako nga një aksident automobilistik e tronditi shumë Bujar Lakon dhe familjen e tij.

Me ndjesinë se po shkruaja për një njeri të apasionuar si rrallëkush pas librave, siç ishte Adhurimi, mbasi e kisha botuar shkrimin në një gazetë kulturore “Art Plus” dhe në disa gazeta  të përditshme, mora një falenderim nga i biri Buajrit, Bojkeni, i cili më falenderoi edhe në emër të familjes.

E falenderova dhe i tregova për ndrojen që kisha se si do ta priste Bujari këtë shkrim për të vëllanë. Bujari më takon e më përcjell me një zë shumë të ngrohtë e bindës gjithë mirënjohjen e tij për shkrimin e i thashë më ka prekur shumë jeta e Adhurimit dhe njeriu i cili më nxiti e më dha kurajo ishte profesor Adrian Klosi.

I kërkova ndjesë që nuk kisha komunikuar më parë me të, por tema e spektatorit dhe artistit, ja zuri vendin bisedës sonë të tretë dhe të fundit. Për mua si spektator ose soditës i kulturës është e shenjtë distanca me artistin e sidomos me aktorin i tregova Bujarit.

E ndaj dua të mos ndikohem nga njohja personale me artistin në mënyrë që ta shijoj shfaqen apo filmin në mënyrë të pavarur, po ashtu sa më shumë rritesh e kupton që profesioni artistit është specifik dhe kërkon qetësinë dhe ambientin e tij për tu kultivuar. Bujari herë e aprovonte dhe herë çuditej me mendimet e mia. Kur pa pritur më pyeti, se cili nga rolet e tia më pëlqente.

I ngrirë si me magji i thashë më gjete gafil, po jap një përgjigje që shumë artist si ti e kanë në majë të gjuhës kur ju bën pyetjen në rolin e gazetarit “Të gjitha rolet i dua njësoj”. Për mua Halit Berati, sepse më intereson mua si një njeri tek i cili është fiksuar historia e kushëririt tim nga mamaja kompozitorit dhe instrumentistit të këngëve të vjetra të Beratit të famshmit, Shyqyri Fuga, dhe kushëririt tim nga babai “Idriz Guri” që me bastunët e tij ironizonte rregjimin.

Kur i tregova se artisti i popullit, Naim Frashëri, ishte nipi i Shyqyri Fugës, ai ma preu në mes bisedën e si një Frashëlli nga nëna e tij, më shpuri në historitë e dejeve të gjakut të tij dhe timin….I shtjellova lidhjet e mia me Frashëllinjtë që na bashkonin e u ndamë sikur të ishim njohur prej kohësh. Por sot, kur e mendoj privilegjin e çdo banori tek rruga “MShyri” që kishin në mes tyre aktorin e shquar Bujar Lako njeriun me veshjen trendi, simpatik e fjalëpak, i cili me modesti e pa shumë ceremonira ulej në kohët me diell në klubet e lagjes sonë e cila e donte dhe e respektonte shumë edhe si çiftin më të pandarë Lako.

Kushedi se kur do të kemi edhe ne shqiptarët shkencën e “Filmologjisë”, e cila ndjek sjelljen psikologjike të spektatorit në varësi të çdo efekti që jep filmi. Kjo shkencë bazohet në rolin e filmit në shoqëri. Filmologjia bën studime psikologjike, sociologjike dhe historike, por dhe studime estetike, sepse përgatit kërkues shkencorë në lëmin e kinematografisë e kur ne në Shqipëri do kemi një specialist të mirëfillt që t’i japë emrit të Bujar Lakos me shokë vendin që u takon në histori.

Po ashtu edhe në teatër, ku ai ishte mjeshtër në rolet e tij, të cilat nuk shlyhen kollaj nga memorja e spektaorit. Po i këtij formati ishte edhe si pedagog i mjeshtërisë së aktorit mjeshtri i aktrimit, kolonjari Bujar Lako. Nga dora e të cilit kanë dalë aktorë shumë serioz e me të ardhme premtuese, që kurrë nuk rreshtin së foluri për ish petagogun e tyre si një njeri jashtëzakonisht të përkushtuar dhe me një kërkesë të lartë estetike./perqasje.com

Share: