Nga Azem Parllaku
Prej disa orësh Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, ka shpërndarë në faqen zyrtare të saj një video, nëpërmjet të cilës thuhet se, me kërkesën e deputetit të Parlamentit të Shqipërisë, Namik Dokle dhe banorëve të fshatrave Borje dhe Shishtavec të Kukësit, ministri i infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, angazhuan ekipe kosovare për hapjen e rrugëve nga drejtimi i Prizrenit në drejtim të këtyre fshatrave të Kukësit.
Më herët nëpërmjet një statusi deputeti Dokle, shprehej me superlativa për mikun e tij të vjetër Minxhozi, teksa komentuesit, nuk nguruan t’a anatemonin deputetin, që dikur është zgjedhur nga votesit e komunitetit goran të Kukësit, e përgjatë asaj periudhe, nuk kishte bërë aq sa duhej për ata. Komentet e çiltra adresoheshin edhe në drejtim të ambasadorit Minxhozi, teksa atij i silleshin në vëmendje, disa vizita dhe takime me fermerët e fshatrave Borje e Shishtavec, si inisiativa të propoganduara bujshëm, por që për fat të keq, asnjë prej projekteve të promovuara nuk u realizua. Minxhozi, nuk mundi dot as t’u siguronte farërat e patates, e as t’u garantonte shitjen e produkteve bujqësore të zonës në tregun e Kosovës.
Disa ditë më parë sesa, deputeti Dokle dhe ambasadori Minxhozi të zgjoheshin, ka qenë Bashkia e Kukësit, e cila i kishte bërë një kërkesë zyrtare kryetarit të komunës së Dragashit, për të mundësuar hapjen e rrugës deri në qendër të fshatit Borje, meqenëse Komuna e Dragashit me kërkesën e Policisë së Kosovës, po hapte rrugët për në Pikat e Kalimit Kufitar, respektivisht në Shishtavec dhe Borje. Kësaj kërkese i’u përgjigj publikisht duke e konfirmuar menaxheri për mirëmbajtjen e rrugëve në rajonin e Prizrenit, Ferid Tafallari.
Ai tha se; “Me kërkesën e Bashkisë së Kukësit jemi angazhuar t’u mundësojmë banorëve të këtyre fshatrave që rezultojnë të bllokuara që nga 4 janari që të lidhen me Restelicën dhe komunën e Dragashit”.
“Falënderim dhe mirënjohje pa kufi. Përzemërsisht u jam mirënjohës ambasadorit tonë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ministrit të infrastrukturës në Republikën e Kosovës, Lutfi Zharku dhe bashkëpunëtorëve të tij. Sapo i njoftuam që bora e madhe kishte bllokuar fshatrat Borje dhe Shishtavec dhe se zhbllokimi nga drejtimi i Kukësit do të vonohej shumë, morën masa të menjëhereshme, angazhuan njerëzit, shkuan edhe vetë dhe sot Shishtaveci dhe Borja e kanë të hapur rrugën drejt Prizrenit e prej andej për në Kukës, Tirane e kudo, ku njerëzit mund të kenë nevojë. Punë e mrekullueshme” shkruan Dokle.
Ajo çfarë ka harruar deputeti Dokle dhe miku i tij Minxhozi, është se aksi rrugor Kukës-Shishtavec, kishte disa ditë që ishte hapur, madje kontraktori “RSM&H” u kishte mundësuar në kohë rekord qarkullimin drejt qytetit të Kukësit pjesës më të madhe të fshatrave të njësive administrative Shishtavec dhe Topojan.
E nëse me të vërtetë 1,5 km rrugë u hapën në drejtimin e Pikave të Kalimit Kufitar, së pari: ajo u bë që Policia e Kosovës të jetë në detyrë, pasi është e angazhuar me shërbim në këto vendkalime, së dyti: disa ditë më parë autoritetet lokale në Kukës dhe Dragash ishin dakortuar për një ndërhyrje të tillë, së treti: banorët e këtij komuniteti nuk e kanë hak të përdoren politikisht sa herë bie borë./perqasje.com