Nga Dr. Sorina Koti*
Viti 2017 pritet me ndjeshmëri të lartë për çdo shqiptar brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, edhe për vetë faktin se jemi në një vit elektoral. Ky është viti ku qeveria do bëjë gjithçka për të manipuluar opinionin e qytetarëve për “performancën” e saj. Kjo është një sëmundje e çdo qeverie në vite elektorale. Një sëmundje që e trajton qytetarin si ai pianeci që mban mend vetëm kush ia dha gotën e fundit dhe jo se ku e çfarë piu gjithë ditën.
Ndaj do të shohim në këtë vit veç fjalimeve për suksese dhe arritje, edhe prerje të shiritave të inagurimeve, të projekteve të reja e të vjetra. Ky është viti, ku Qeveria do harxhojë gjithë të ardhurat e buxhetit për tendera dhe për kontrata me klientë të saj, që për të ngatërruar qytetarët i quan konçension.
Këta pastaj do të punojnë fort, jo për zbatimin e projektit apo shërbimit, por për mbledhjen e votave dhe garantimin e një mandati të dytë të Qeverisë. Por kjo nuk është situata ekonomike-politike që duam, nuk është Qeveria që punon vetëm për 5 muaj, nuk është angazhimi dhe përkushtimi, që deputetët kanë kundrejt elektoratit. Shqiptarët nuk duan më politikanë, që tregojnë se punojnë vetëm 2-3 muaj para daljes së listave elektorale.
Prej dy dekadash shohim sesi rriten shpenzimet operative dhe kapitale gjatë viteve elektorale, sesi rriten pagat për administratën dhe abuzohet me marrjen e borxhit publik. E për fat të keq, të gjitha këto shpenzime mbulohen me borxh afat-gjatë dhe afat-shkurtër. Borxhi për frymë në vitin 2017 do jetë 56% më shumë se në vitin 2016, ose 383.000 lekë/person .
Borxhi do kapë një nivel prej 24.7 miliard lekë më shumë se 2016. Këto të dhëna na tregojnë se vit pas viti individi ka një borxh më të madh për të shlyer, vit pas viti konsumatori shqiptar është më i varfër, duke pasur më pak të ardhura për të shpenzuar. Çdo borxh i marrë është barrë, që rëndon mbi konsumatorin përfundimtar dhe biznesin. Shlyerja e borxhit do çojë në rritjen e vazhdueshme të taksave dhe akcizave, ashtu siç po ndodh edhe gjatë këtyre 3 viteve të fundit.
Gjatë viteve elektorale agresiviteti i qeverisë për shpenzime është në kah të kundërt me konsumatorin dhe biznesin. Të dhënat statistikore historike na tregojnë se, konsumi dhe investimet private dhe ato të huaja kanë tendencë të ulen gjatë periudhës para-zgjedhore. Pasiguria dhe problemet, që lindin gjatë viteve elektorale frenojnë aktivitetin investues, konsumues dhe depozitues nëpër bankat e nivelit të dytë. Ndërsa qeveritë tentojnë të shpenzojnë më shumë, për t’u bërë më të besueshëm përballë qytetarëve votues.
Vendimi për rritjen e pagave të administratës në muajin Mars është një element fushate, që nuk e ndihmon aspak nënpunësin e administratës të konsumojë më shumë apo të jetojë më mirë, pasi nuk ka një studim të mirëfilltë se çfarë efekti do të ketë në ekonomi kjo rritje.
Gjithashtu, nuk ka asnjë studim se sa duhet të jetë paga dhe se sa është minimumi jetik në Shqipëri. Studimet ekonomike e kanë llogaritur afërsisht një minimum prej 16.000 lekë/individ në muaj, por nevoja është më e lartë për shkak të çmimeve të tregut. Për më tepër, që kjo rritje e pagave në sektorin publik, do të bënte presion kundrejt sektorit privat për rritje pagash. A do të jetë i gatshëm biznesi të rritë pagat në të ardhmen?
Në kushtet e vështira ku ndodhet biznesi, me taksa dhe tatime të larta, mungesë incentivash dhe me aksione dhune gjobash, mundësia për t’u rritur dhe investuar është pothuajse e parealizueshme. Defiçenca e demokracisë dhe përplasja e pritshme me opozitën që kërkon garanci për Zgjedhje të lira dhe të ndershme do ta shtojë pasigurinë ekonomike në vend. Pavarësisht se çfarë do bëjë Qeveria gjatë 5 muajve të ardhshëm, duke filluar nga rritja e pagave, falja e gjobave dhe kamatave, nuk do mund ta zhbëjnë gjithë rrëmujën ekonomike-financiare, që shkaktoi Qeveria e majtë gjatë mandatit 4-vjeçar. Janë vetë qytetarët ata, që duhet të tregojnë se e kanë mësuar hilen e vjetër të qeverisë, që tenton t’i gënjejë qytetarët si pijanikun me gotën e fundit. Janë ata, që duhet të tregojnë se katër muaj zullum i sheqerosur nuk fsheh dot helmatisjen e ekonomisë dhe jetës së tyre për katër vjet me rradhë.
Viti 2017 do të jetë një vit ankthi ekonomik, por edhe një vit i mundësisë së madhe të qytetarëve që, pasi t’i kenë bërë llogaritë e katër vjetëve të pasojave të kësaj Qeverie, të dinë të zgjedhin alternativën, që do sjellë reforma ekonomike dhe zhvillim të qendrushëm, që do të shtojë hapësirën e lirisë, që do të mundësojnë forcimin e qytetarit e nismës së lirë. Dita e parë pas zgjedhjeve do të jetë rrugëtimi ndryshe i Shqipërisë, besimi për një Shqipëri që ofron mundësi për të gjithë…
*Koordinatore ekonomie, PD