Home KRYESORE Franca, Haradinaj dhe Facebook-sat folkloristë

Franca, Haradinaj dhe Facebook-sat folkloristë

Nga Azem Parllaku

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj u ndalua nga autoritet franceze si pasojë e një urdhërarresti ndërkombëtar. Autoritetet franceze janë bazuar në një fletëarrest të Serbisë i cili ekziston nga viti 2004.

Mediat kryesisht ato kosovare raportojnë se kreu i AAK-së akuzohet se është përgjegjës për krime të shumta ndaj serbëve, të kryera gjatë luftës në Kosovë, në rajonin e Dukagjinit.

Prokuroria e Serbisë për krime lufte e akuzon Haradinajn se në vitin 1997, së bashku me vëllezërit e tij Dautin e Shkëlzenin, kishte organizuar “sulme terroriste” ndaj policisë serbe në rajonin e Dukagjinit.

Haradinaj akuzohet edhe për themelimin e njësisë speciale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Shqiponjat e zeza”, të cilën Prokuroria e Serbisë e konsideron përgjegjëse për torturimin dhe vrasjen e dhjetëra civilëve serbë, trupat e të cilëve janë gjetur në Liqenin e Radoniqit dhe në disa puse në komunën e Deçanit. Haradinaj akuzohet gjithashtu dhe për vrasje masive të serbëve në zonën e Glloxhanit.

Sipas Prokurorisë serbe për krime lufte, në verë të vitit 1998, në pemishten e Glloxhanit ishin gjetur kufomat e mbi 20 personave të vrarë. Më 4 mars të vitit 2005, gjykata e Hagës kishte ngritur aktakuzë kundër Haradinajt. Ai ishte akuzuar për krime kundër njerëzimit dhe për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, të kryera prej marsit deri më 30 shtator 1998, kur Haradinaj ishte Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit.

Ndërkohë, në 2012-ën, Gjykata e Hagës e kishte liruar Haradinajn nga të gjitha akuzat. Por, Prokuroria serbe për Krime lufte thotë se ka në dorë dëshmi edhe më të fuqishme, të cilat i plotësojnë akuzat me të cilat ngarkohet lideri i AAK-së.

Pas ndalimit të ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj në Francë, autoritetet e këtij vendi thonë se do të shqyrtojnë sot këtë rast. Një burim i tha agjencisë Reuters se hetuesit do të shohin “nëse ka arsye që të mos e ekzekutojnë kërkesën për ekstradim, veçanërisht në rast se urdhri për arrestimin është lëshuar për çështje politike”.

Ndërsa rasti pritet të shqyrtohet, folkloristët e rrjeteve sociale në Kosovë dhe Shqipëri, e akuzojnë Francën se po bashkëpunon me Serbinë, kur në fakt harrojnë se;

Gjatë fushatës së bombardimeve të kryera nga NATO mbi instalimet ushtarake serbe në Serbi dhe Kosovë, Franca ishte shteti që vendosi në dispozicion 20-40 avionë, mes tyre avionë gjuajtës bombardues, avionë për zbulimin e objektivave dhe transmetim të dhënash, avionë për furnizim me karburant në ajër, teksa mbajti në gatishmëri të pandërprerë luftarake Aeroplanmbajtësja “FOCH”.

Franca është një prej vendeve të mëdha dhe të rëndësishme të Europës, e cila qysh në krye të herës e ka mbështetur Pavarësinë e Kosovës dhe e ka njohur Kosovën si shtet.

Share: