Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka nisur tashme një hetim për pasurinë 1.1 miliardë euro të deputetit Alfred Peza.
ILDKP bëri të ditur se mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet jo vetëm për deputetin Peza, por edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur me të, prej vitit 2003.
Njoftimi i ILDKP-së:
Nisur nga njoftimet e mediave në lidhje me blerjen e aksioneve në bankën Credins nga bashkëshortja e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Z. Alfred Peza, me vlerë rreth 1,13 miliardë lekë, Inspektori i Përgjithshëm bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar dhe ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ka urdhëruar fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private që prej vitit 2003, të subjektit Alfred Peza.
Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur.
Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme.
Inspektorati i Lartë gjithashtu falenderon median për bashkëpunimin e deritanishëm me ILDKPKI, dhe i fton ato si dhe çdo person tjetër që zotëron informacione për pasuri të fshehura, të padeklaruara dhe të vëna në kundërshtim me ligjin për subjektin e mësipërm, t’i depozitojnë pranë Inspektoratit të Lartë, duke j’u garatuar konfidencialitetin si një prej parimeve më të rëndësishme të punës së ILDKPKI-së.