Home KRYESORE Shuhet mbrojtësi i Arbërishtes ne Itali. Lamtumirë profesori i të gjithëve!

Shuhet mbrojtësi i Arbërishtes ne Itali. Lamtumirë profesori i të gjithëve!

Nga Ledi Shamku-Shkreli

Këtë mëngjes reshti rrugëtimin e tij tokësor një nga gjuhëtarët më në zë të kësaj disiplinës sonë, Tullio De Mauro. Vështirë të mësohesh me kësi lajmesh në kësi rastesh! Janë do njerëz për të cilët ti as që e mendon përkohësinë, packa se vitet ikin. I takon e i ritakon në konferenca ndërkombëtare, gjithnjë aktivë e mendjemprehtë pavarësisht motnimit, gjithnjë me një kontribut të ri shkencor për krejt gjuhësinë si shkencë, ndaj nuk të kalon nëpër mend se një ditë si kjo e sotmja mund të të thonë: ndërroi jetë.

Tullio De Mauro është një mendimtar i pakohshëm.

Po e nis nga ne, duke thënë që cdo shqipfolës i është detorës profesorit. Në vitin 1999, parlamenti italian vendosi ta rishikojë ligjin 482 për mbrojtjen e pakicave gjuhësore, pasi ligji pararendës patë lënë jashtë vëmendjes disa gjuhë të rëndësishme. Arbërishtja ishte një nga këto të pastreha. Dhe arriti të përfshihej në ligjin mbrojtës falë këmbënguljes së Tullio De Mauros. Është historik fjalimi i tij në atë seancë parlamentare, në të cilën i bën thirrje ndërgjegjes së cdo senatori e deputeti italian të kujtojë kontributin e vyer të arbëreshëve si Antonio Gramshi e Francesk Krispi në krejt historinë e Italisë. Falë tij shqipja e arbëreshëve sot gëzon mbrojtje ligjore.

Deri në vitin 2005 isha “takuar” vetëm nëpër libra me profesorin. Fillimisht pat qenë Saussure shkuesi ynë i parë. De Mauro qe ndër 4 saussurianistët më të mëdhenj të botës gjuhësore. Përkthimi i tij në italisht i Kursit e sipmos apendiksi i gjatë e i cmuar me të cilin pati pajisur botimin më kishin dhënë celësat e duhur të leximit jo thjesht se c’vlerë kishte Saussure për gjuhësinë në përgjithësi, po sidomos se cfarë revolucioni mund të ofronte Kursi për gjuhësinë shqiptare e cila vijonte ta mbante jashtë sinorëve të vet. Vendosa t’i rihyja përkthimit të Kursit në shqip pikërisht pas leximit të atij apendiksi.

U takova kësisoj me mendimin e profesorit dhe nuk u ndava më.

Më pas ndesha në 10 tezat e tij për një edukim gjuhësor demokratik. Ato teza ishin (dhe mbeten) Kushtetuta e Gjuhësisë, por krejt të panjohura për institucionet tona shkencore dhe edukuese. Asokohe punoja në Institutin e Gjuhësisë, Vendosa t’i përkthej e t’i shumëfishoj e më pas t’i shpërndaj për diskutim me kolegët e Institutit. Efekti ndriçues i tyre qe i shpejtë e po aq i shpejtë qe edhe reaksioni kundërshtak i rojeve të preskriptivizmit gjuhësor këtu te ne.

Mbi parimet e këtyre tezave themeluam në vitin 2004 Rrethin Gjuhësor të Tiranës dhe zgjodhëm President Nderi pikërisht Tullio De Mauron. Qasja e Rrethit qe e qartë, do përpiqeshim të demokratizonim mendimin më të pademokratizuar në këtë vendin tonë, atë gjuhësor, dhe do ta nisnim pikërisht nga 10 tezat e tij dhe nga vëzhgimi i konteksteve të gjalla gjuhësore, ashtu si pati bërë ai me italishten kur hartoi “Il Grande Dizionario dell’uso”. Kuptova shpejt se kjo lagjia jonë e gjuhëtarëve kishte nevojë jo vec ta lexonte por ta dëgjonte De Mauron, të këmbente mendim me të. Kishim nevojë për kurajën e tij për të kapërcyer murin e trashë të mjegullës që ndante studimet laboratorike nga përdoruesit e shqipes.

Duhet të kapërcenim ideologjitë damtore, dialektofobitë, rrudhjet e buzëve para cdo dukurie gjuhësore. Dhe kështu mora kurajën e i shkrova, ndonëse pa e njohur. Një letër e thjeshtë që përmbyllej me fjalët: “Profesori i të gjithëve, të njohur e të panjohur, kemi nevojë për ty këtu në Tiranë. Rrethi Gjuhësor i Tiranës ka nevojë për ty”. Nuk e prisja aq të shpejtë përgjigjen e madje as nuk e prisja atë lloj përgjigjeje: “Vij me dëshirë, dhe nuk dua asnjë shpërblim. Për sa ditë ta gjykoni do jem aty me ju gjithë kohës në të gjitha debatet që lypen”.

Erdhi. Tullio De Mauro erdhi në Shqipëri në tetor 2005. Dhe qëndroi plot katër ditë. Katër ditë të mbingarkuara me leksione magjistrale, me debate shpesh të vështira, me konferenca shtypi, me tryeza pune me Rrethin Gjuhësor, me nënshkrime aktmarrëveshjesh ndërinstitucionale (të cilat për mendjembylltësinë e institucioneve tona mbeten ende në letër). Di të them se mendimi gjuhësor në Shqipëri nuk qe më i njëjti i patrazuar me ardhjen e tij.

Për akademizmin gjuhësor shqiptar ka dy etapa: para dhe pas ardhjes së De Mauros. Tezat nuk ishin më pëshpërima por u bënë zyrtarisht program pune i një rrethi njerëzish, i atij Rrethi të Tiranës që e pat zgjedhur President.

Vijova të mbetesha në kontakt të pandërprerë me të, me mendimtarin më demokratik që kisha njohur në punët e kësaj shkencës sonë. Dëgjoheshim e shkruheshim kohë pas kohe. Në një nga letrat e fundit më shkruante: “E cmoj idealizmin tënd për t’i shërbyer politikës; unë vetë i kam shërbyer edhe legjislativit edhe ekzekutivit. Por ti ke një profesion dhe politika është edhe iluzion. Dua të marr sa më shumë lajme nga profesioni yt.”.

Vijoi të mbetej i lidhur me shqipen, deri në takimin tonë të fundit në Kongresin Ndërkombëtar të Maltës. Pas kumtesës sime për gjendjen faktike të paskajores në gjuhën shqipe, kërkoi vëmendjen e të pranishmëve që të rishikoheshin të dhënat e shqipes në përpunimin e ri të Atlasit për Gjuhët e Europës dhe e kërkoi me fjalët: “Shqipëria ka dalë nga diktatura. Dhe e ka të qartë tashmë se një gjuhë është shumë më tepër se kodi drejtshkrimor i saj”.

E thërrisnim të gjithë “Profesor”, pavarësisht nga mosha që mund të kishte secili nesh. Ishim të gjithë, jemi të gjithë, nxënësit e mendimit të tij të bukur.

Lamtumirë, Profesori i të gjithëve! Të qoftë me dritë udha! Të qoftë e lehtë lëndina, moti e stina, sic themi ne shqiptarët!

Share: