Një avion charter u nis pak minuta pas orës 10:00 të datës 16 janar 2017 nga Rinasi me destinacion Parisin. Partia Demokratike deklaroi dje, në dy dalje publike, se në avionin privat udhëtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe një biznesmen nga Tirana, me interesa në planin urbanistik dhe lidhje me biznesin e plehrave: Artan Sheqeri.
Lapsi.al ka siguruar dokumentat e udhëtimit të charter-it dhe personave që deklaruan në pikën e kalimit kufitar të Rinasit se do të udhëtonin me këtë mjet.
Në orën 10:00 në dalje regjistrohet nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Cvetko Mazniku, si person që do të udhëtonte me charter, siç tregon ky dokument.
Menjëherë pas tij, në orën 10:01 kalon për të udhëtuar po me charter biznesmeni Alban Gëzim Dabulla (shih dokumentin e publikuar nga lapsi.al)
1 minutë më pas, po për t’u ngjitur në charter në Rinas kalon biznesmeni Artan Halil Sheqeri, siç vërtetohet nga regjistri i policisë së Rinasit i siguruar nga lapsi.al.
Në të dhënat e policisë së Rinasit nuk shënohet destinacioni i charter-it. Partia Demokratike thotë se ai ishte Parisi.
Një ditë me vonë nënkryetari i Bashkisë dhe dy biznesmenët kthehen në Rinas po me charter.
I pari në hyrje në Rinas regjistrohet Artan Sheqeri, në orën 18.22 të datës 17 janar, i dyti Dabulla në orën 18:23 dhe i treti Mazniku në orën 18.24 (shih dokumentat e publikuar nga lapsi.al).
Partia Demokratike thotë se me të njëjtin avion ka udhëtuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Charter-i, sipas PD është paguar nga biznesmeni sheqeri, me vlerë 60-70 mijë euro për udhëtimin e Parisit. Po sipas PD, udhëtim i dyshimtë ka lidhje me detyrën e Veliajt dhe interesat e biznesmenit me ndërtimet në Tiranë dhe me biznesin e plehrave.
Bashkia i mohoi akuzat. Ajo publikoi dy bileta të Veliajt të datës 17 janar, të orës 11:15 me destinacion Milanon, me një linjë Low Cost.
Akuzat e PD se në charter ishte edhe Veliaj mbeten të pavërtetuara. PD deklaroi se në udhëtimin e luksit ishte edhe nënkryetari Mazniku, por bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj kësaj akuze.
Udhëtimi i Maznikut me charter Tiranë – Paris – Tiranë, që sipas PD kushton 60-70 mijë euro, ngre pikëpyetje të mëdha.
Cili ishte motivi që zëvendësi i Erion Veliajt udhëtoi me fluturimin luksoz drejt Parisit nën shoqërinë e dy biznesmenëve?
Bashkia heshti duke i shtuar edhe më shumë dyshimet. Ajo përjashtoi vetëm Veliajn nga fluturimi luksoz, ndërsa nuk bëri asnjë sqarim për zëvendësin e tij, duke i lënë pa përgjigje akuzat se udhëtimi kishte për qëllim interesat e biznesit në projektet publike të bashkisë më të madhe të Shqipërisë. /Lapsi.al