Në selinë e NATO-s kanë thënë se KFOR-i nuk ka qenë i njoftuar për praninë e forcave speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, në veri të Kosovës të shtunën e datës 14 janar.
Pas insistimit të mediave serbe, NATO është përgjigjur në këtë shqetësim. Sipas tyre, Policia e Kosovës nuk i ka njoftuar e as kontaktuar për veprim në veri të vendit, raporton lajmi.net.
“KFOR-i nuk ka qenë i njoftuar me praninë e policisë kosovare ROSU në Veri. Në pajtim me marrëveshjet aktuale dhe mandatin e KFOR-it, institucionet e Kosovës nuk janë të obliguara që të njoftojnë KFOR-in për veprimtarinë dhe vendosjen e ROSU-s në veri të Kosovës”, ka thënë një zyrtar i NATO-s për Tanjug.
Mediat serbe janë angazhuar sot gjatë gjithë ditës që të nxjerrin një arsye se pse ROSU nuk “është dashur të shkojë në veri” për ta ndalur trenin që vinte nga Beogradi.
Këto media janë përpjekur që të thirren në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, ku sipas tyre “është e nevojshme qe forcat policore të armatosura ose forcat e armatosura të Kosovës të marrin pajtimin e NATO-s dhe të bashkësisë lokale që të intervenojnë në veri të Kosovës”.
Më herët, NATO ka thënë se nëse është e nevojshme për të intervenuar në veri, këtë do të bëjnë, por së pari duhet të intervenojë Policia e Kosovës.