-Botimi i Vendimit të “Kushtetueses” për “Vettingun” mban peng Reformën në Drejtësi-
Ligji që do të kontrollojë pasuritë dhe figurën e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, I njohur ndryshe si “Vettingu” ende nuk ka hyrë në fuqi, edhe pse Gjykata Kushtetuese e konsideroi të rregullt dhe në përputhje me Kushtetutën.
Procedura kërkon që vendimi I gjyqtarëve kushtetues të zbardhet ne Fletoren Zyrtare, sepse në këtë mënyrë merr fuqi të plotë zbatuese ligji më i rëndësishëm për reformimin e drejtësisë në Shqipëri.
Fletorja e fundit zyrtare e sapo botuar nga Qendra e Publikimeve Zyrtare i përket datës 6 Janar 2017 dhe në të nuk rezulton i botuar vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetutese i datës 22 dhjetor 2016, vendimi që rrëzoi kërkesën e opozitës dhe të Unionit të Gjyqtarëve për Ligjin e Rivlerësimit Kalimtar të trupës gjyqësore në vend.
Me hyrjen në fuqi të Vettingut do të nisë një proces i ndërlikuar dhe zinxhir i kontrollit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe ngritja e Institucioneve të reja të drejtësisë.
Për herë të parë magjistratët duhet të tregojnë jo vetëm pasuritë e veta, por edhe të të gjithë familjarëve, përfshirë edhe ata në lidhje të parë krushqie.
Për herë të parë gjyqtarë e prokurorë duhet të japin informacione të detajuara për formimin e tyre profesional, duke qënë nën monitorimin e ekspertëve të huaj, si pjesë e Operacionit të Monitorimit Ndërkombëtar.
Ajo çfarë e bën edhe më interesant verifikimin e sistemit të drejtësisë është se ata që refuzojnë të kontrollohen, gëzojnë me ndryshimet e reja kushtetuese të drejtën të dorehiqen nga detyra e gjyqtarit ose prokurorit, duke mos kandiduar më në sistem për një periudhë 15-vjeçare./360grade.al