Nga Romeo Hanxhari
I nderuar Kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese dhe Mjedisit, të nderuar deputetë anëtarë!
Disa shoqata mjedisore ku unë jam anëtar më informuan për letrën që ju u keni nisur të gjitha shoqatave mjedisore të Shqipërise për të kërkuar opinione deri në dt 23 Janar për ndryshimet që ju keni programuar në Ligjin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve. Për këtë shkak po ulem t’ju ridërgoj mendimin tim personal.
Them “t’ju ridërgoj” sepse unë jua kam bërë me dije mendimin tim drejtpërdrejt në të njëjtin Komision Parlamentar për të njëjtin Ligj në shtator të vitit 2011. Disa prej jush janë aty anëtarë që atëherë…
Në vitin 2011 unë drejtoja një shoqatë mjedisore dhe m’u kërkua zyrtarisht për të dhënë një opinion direkt përpara jush, për më tepër që jepja prej shumë vitesh lëndën universitare “Politikat e mjedisit”.
…Dhe mendimi im, të nderuar zotërinj, nuk ka ndryshuar që atëherë. Nëse ka ndryshuar mendimi i shumicës aktuale, thjesht pohojeni dhe ecni përpara.
Do të argëtoheni nëse hapni procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit tuaj të Shtatorit 2011. Do të gjeni fjalët e mia të atëhershme që tani ju i thoni vetë, dhe do të gjeni fjalët tuaja të atëhershme që ju tani i kundërthoni totalisht.
Do të gjeni një dialog të këtij lloji:
Unë: Ligji flet për “mbetje” që kanë vlerë ekonomike, dhe që konsiderohen në gjithë botën si “lëndë të para dytësore”. Ne si shoqatë e mbështesim duke kërkuar kontroll të përvitshëm mbi kapacitetet përpunuese të industrisë së riciklimit.
Ju: C’është ky term “mbetje”. Populli u thotë “plehra”. Nuk ka fjalë tjetër. Po na mëson shqip ti tani neve?! Kush je ti kshu? Ne “plehra” u themi. Ti thuaju “mbetje” por ne “plehra” do i themi.
Unë: Të nderuar deputetë, nuk mund dhe nuk duhet të përdorni termin “plehra” sepse nuk është korrekt. Ju kujtoj që në të gjitha gjuhët e perëndimit, këta dy terma janë të ndryshme: në anglisht flitet për “waste”, pra “mbetje”, ndërsa fjala “garbage” është kur ato janë të pandara. Ju po përdorni në parlament një term jo-korrekt. Në cdo vend normal të botës do të ishte skandal, sepse ju keni edhe rol edukues për njerëzit.
Ky ishte shumë shkurt dialogu i vitit 2011 midis meje dhe jush në të njëjtën sallë ku ju do të bëni konsultimet me shoqatat sot. Të nderuar deputetë të shumicës, unë nuk kam ndryshuar që nga 2011. Kam sërish të njëjtat mendime. Po ashtu mendim të pandryshuar kanë edhe kolegët e mi që janë kundër, dhe të cilët ju sot i quani “sharlatanë”. Ndërsa ju zotërinj, ju e keni kthyer pllakën totalisht, dhe unë nuk e di se pse. …Pra, duke ditur që “sharlatan” quhet ai që e ndryshon shumë shpesh qëndrimin e vet, më thoni ju lutem, kush është sharlatani në këtë histori?!
Për korrektesë dhe transparencë, ja ku po ju rendis disa nga mendimet e mia që i keni të shkruara në procesverbalet tuaja që në vitin 2011.
Unë edhe dje edhe sot kam bindjen profesionale që mbetjet e llojit “lëndë të para dytësore” nuk janë problematike edhe nëse lejohen të importohen, mjafton që të importojmë aq sa kemi kapacitetin përpunues, nën kontrollin transparent të kujtdo, dhe me leje importi të përvitshme. Ju dje në opozitë mendonit krejt të kundërtën time, ndërsa sot jeni dakord me mendimin tim të djeshëm. Ndërkohë që atë lejen e përvitshme e keni liberalizuar në të përdyvitshme. Ju dje nuk donit ta njihnit termin “lëndë të para dytësore” që ua thoshim ne ekspertët sic e përdor bota, ndërsa sot ju na e thoni të njëjtin term me pasionin e atij që ka zbuluar vetë i pari diçka madhështore. Sa më bëni për të qeshur sa herë që ju dëgjoj ta thoni… Më thoni pra, kush është sharlatani këtu?!
Unë edhe dje edhe sot mendoj që nuk është korrekte as moralisht dhe as shkencërisht të flitet për “plehra”. Ju dje mendonit krejt të kundërtën time, ndërsa sot jeni dakord me mendimin tim të djeshëm. Dje flisnit vetëm për “plehra” ndërsa sot bëni moral duke thënë “si mund të flitet për plehra?!”. Hë, kush është sharlatani këtu?!
Unë edhe dje edhe sot mendoj që ne duhet ta vlerësojmë maksimalisht industrinë tonë të riciklimit, sepse ajo është një industri që bën një lloj shërbimi publik edhe pse është private. Ju dje mendonit krejt të kundërtën time, ndërsa sot jeni dakord me mendimin tim të djeshëm. Ju dje e quanit biznesin e riciklimit si “biznes kriminal që do të importojë plehrat e botës” ndërsa sot e paskeni zbuluar si një aleat të rëndësishëm të mjedisit. Biznesi është i njëjti, si dje edhe sot. …Më thoni pra sërish, kush është sharlatani këtu?!
Unë edhe dje edhe sot jam pro importit të kontrolluar të lëndëve të para dytësore. Unë mbaj të njëjtin qëndrim. Ju dje më quanit “sharlatan” ndërsa sot më quani “të ndershëm”.
…Kush është pra sharlatani këtu?!
Unë edhe dje edhe sot mendoj njësoj, që një pjesë e kolegëve të mi të nderuar të shoqërisë civile kanë qëndrime ekstreme. Por ama e respektoj maksimalisht qëndrimin e tyre konseguent bindjes së vet. Po ju?! Ju dje i puthnit dorën në sallën e Komisionit zonjës që e drejtonte lëvizjen “kundër importit të plehrave”. Ndërsa sot po ju e quani “sharlatane” po atë zonjë, e cila s’bën gjë tjetër vecse mban të njëjtin qëndrim si dje. Më thoni pra, kush është sharlatani këtu?!
Ju dje i quanit kundërshtarët e importit të mbetjeve “heronj të Shqipërisë së së nesërmes”, dhe “pararojë të ndryshimit që po vjen”, ndërsa sot i shikoni si armiq… Po këtu, shikoni ndonjë sharlatan këtu?
Në përfundim, të nderuar deputetë të shumicës në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese dhe Mjedisit, vazhdoni përpara me guxim në nismën tuaj. Ju kthyet 180 gradë, nga dje në opozitë me sot në pozitë, por ama sot erdhët në pozicionin normal. Nxirrni të paktën një mësim, edhe pse me vonesë: që cështjet e menaxhimit të mjedisit nuk mund të përdoren me populizëm vetëm e vetëm për të përfituar vota. Sepse vjen një ditë dhe situata ju kthehet kundër, e s’keni nga ia mbani por do kapërdini c’keni thënë. Prandaj sot, pas gjithë këtij teatri jo të ndershëm 5 vjet rresht, të paktën tregoni fisnikëri: kërkojuni falje të gjithë atyre të cilëve ndryshe ua thatë e ndryshe ua bëtë, thojuni “na falni po ju gënjyem dhe ju përdorëm”, kërkomëni falje edhe mua e shumë kolegëve të mi që na keni paragjykuar e denigruar padrejtësisht dje, kërkojuni falje edhe të gjithë kolegëve ambientalistë që po i paragjykoni e po i denigroni padrejtësisht sot, e me rradhë. …Pasi të kërkoni tërë këto falje, unë do të vij me bindjen time dhe do të mbështes nismën tuaj sërish hapur në atë Komisionin tuaj. …Por jo sot. …Jo sot. Sepse sot aty nuk ka ndershmëri. Sot aty ka vetëm teatër.
Prof.dr. Romeo Hanxhari, Universiteti i Tiranës, PhD në “Menaxhim i Mjedisit dhe Burimeve të Territorit”