Në prag të vizitës së kryeministrit të Greqisë, Aleksis Tsipras, në Beograd, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka bërë një lëvizje të fortë diplomatike.
Gjatë një interviste për agjencinë “Beta”, Daçiç ka njoftuar se Serbia nuk do të përdorë më emrin Republika e Maqedonisë për fqinjin jugor, por njësoj siç bën BE dhe SHBA, në organizatat ndërkombëtare dhe takimet multilaterale do i referohet si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Ky vendim i kreut të diplomacisë serbe bëhet në një kohë kur miku i tij në Shkup, Nikolla Gruevski e ka të vështirë të krijojë qeverinë e re, e cila pritet të formohet nga Zoran Zaev me një ndikim të madh të partive shqiptare.
Daçiç u justifikua me qëndrimet e mbajtura nga Maqedonia në organizatat ndërkombëtare, ku ky vend ka votuar gjithnjë në favor të Kosovës. Ai tha se ndonëse Serbia e kishte njohur Maqedoninë me emrin kushtetues, duke fyer “vëllezërit grekë”, ky shtet sërish voton në favor të Prishtinës.
“Serbia ka bërë një gabim të madh. E gjithë Europa dhe bota po përdorin emrin “Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”, ndërsa ne i dhamë një shuplakë vëllezërve grekë dhe tani presim që ata (grekët) të mos e njohin Kosovën, ndonëse ne njohëm Maqedoninë duke fyer grekët. Maqedonasit gjithmonë votojnë në favor të Kosovës. Duhet ta them se jemi treguar budallenj”, tha Daçiç.
Qëndrimi i ri i Serbisë konsiderohet si një tentativë për të mbajtur vendimin për mosnjohjen e Kosovës nga Greqia të pa ndryshuar. Greqia dhe Rumania konsiderohen si shtete kyçe për të zhbllokuar njohjen e plotë të Kosovës nga Bashkimi Europian. Përveç këtyre dy shteteve, Sllovakia, Qipro dhe Spanja janë tre shtetet e tjera të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës nga Serbia.
Por nuk është vetëm Maqedonia ajo që është kritikuar nga Daçiç për qëndrimin ndaj Kosovës, por edhe fqinji tjetër, Mali i Zi. Ministri i Jashtëm serb tha se Podgorica ka të njëjtën rëndësi për Beogradin si Papua Guinea e Re, shtet që ndodhet në oqeanin Paqësor./360grade.al