Policia dha detaje për ngjarjen e ndodhur sot në Fier, ku një qytetar ka tentuar të djegë veten me benzinë në ambientet e komisariatit te saj. Mësohet se ky person ka denoncuar në shtator të vitit 2016 zhdukjen e vajzës nga shtëpia.
Më poshtë njoftimi i policisë.
Policia ka bërë të ditur se sot rreth orës 13:00, ka hyrë në ambientet të Zyrës së Pritjes së Qytetarëve në Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, shtetasi Marko Sillo 57 vjeç, banues në Levan, Fier, dhe pa komunikuar me personelin e shërbimit, ka tentuar të djegë veten me benzinë.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të Shefit të Sektorit të SHCBA, dhe personelit të zyrës së shërbimit të qytetarëve u bë e mundur fikja në kohë e flakëve duke shpëtuar kështu jetën e këtij shtetasi, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Lidhur me këtë ngjarje ju sqarojmë se bashkëshortja e shtetasit të lartëpërmendur, më datën 20 shtator 2016 ka kallëzuar pranë DVP Fier se në vitin 2014 i është larguar vajza nga banesa dhe dyshon se mund të shfrytëzohet për prostitucion jashtë shtetit.
Për këtë kallëzim janë kryer të gjitha veprimet procedurale si nga ana e policisë ashtu edhe nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier
Për ngjarjen e ndodhur sot, janë duke u kryer të gjitha veprimet proceduriale dhe hetimore nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.