Ylvi Beqja është dëshmitari kyç në çështjen kundër Emiljano Shullazit dhe bandës së tij. Ai ka pranuar se i ka paguar Shullazit 541 mijë euro “cash” nën kërcënim dhe i ka dhënë 20 % të pronësisë së hotel “Vollga” në Durrës.
Në dëshminë e tij për prokurorinë e krimeve të rënda, një pjesë e të cilit është publikuar nga gazeta Panorama, Beqja ka rrëfyer se si e kërcënoi Shullazi dhe banda e tij.
Kërcënimi i parë sipas biznesmenit u bë pak pasi ishin takuar dhe Dani ishte i pakënaqur me kontratën e firmosur për Vollgën.
“Mbeta i befasuar dhe unë i thashë që ne e kemi një kontratë dhe kur të mbarosh punën tënde, kur të mbaroj gjyqet, mund të mbarojmë punë bashkë. Në këtë moment më shau dhe fyeu me fjalë nga më të rëndat. Nxori diçka nga brezi dhe në sekondë pashë që në bark më kishte vënë një pistoletë. “Dëgjo këtu ti k…, unë i nxjerr zorrët në shesh më të mirit dhe jo ty që s’ma ndjen fare!”. U tremba dhe më iku gjaku”, ka thënë Beqaj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Të premten Gjykata për Krimet e Rënda pritet të zhvillojë një seancë për sigurim prove të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja. Biznesmeni do të përballet me Shullazin dhe anëtarët e bandës së tij. /Lapsi.al